Diplomacia e administratës amerikane e tipit ti-mbyllim-sytë-ndaj-së-keqës ka prodhuar një zgjidhje të rrezikshme përgjatë krejt rajonit.
Nga Edward P. Joseph
Në Ballkan, zëri i një superfuqie ka shumë vlerë. Fjalët shpërfillëse të Sekretarit Amerikan të Shtetit, James Baker, në qershorin e vitit 1991 – “Nuk kemi interes aty, nuk na intereson rezultati” – kanë ndihmuar mjaftueshëm në nisjen e shpërbërjes së Jugosllavisë. Një dinamikë e ngjashme është në proces edhe sot.
Agjenda ti-mbyllim-sytë-ndaj-së-keqës e administratës Trump ka kontribuar në përkeqësimin e marrëdhënieve qyshkur luftërat e rajonit përfunduan dy dekada më parë. Administrata mburret me faktin se Presidenti Donald Trump ka arritur “shfletimin e skenarit” në Ballkan me fokusin e tij në ekonomi dhe shpërfillje për angazhimin politik – dhe ai e ka bërë një gjë të tillë. Jo më pak se gjashtë vende, kryesisht pasive – Serbia, Kosova, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut – tani po përjetojnë nivele të rrezikshme të toksicitetit (helmimit) ndëretnik, të gjitha këto nën mbikëqyrjen e administratës Trump.
Nëse marrim shembullin e fundit, zyrtarë të lartë të SHBA këtë muaj, padashur, inkurajuan një aleat të NATO-s, Bullgarinë, që ta kërcënojë me ndërhyrje ushtarake një aleat tjetër të NATO-s, Maqedoninë e Veriut. Më 6 tetor, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, u takua me homologun e tij bullgar, Krasimir Karakachanov, një nacionalist i ashpër me një rekord të gjatë të mospajtimeve kundër Maqedonisë Veriore fqinje. Muajin e kaluar, mes presionit të përshkallëzuar nga qeveria e tij, Karakachanov e përsëriti kërcënimin e Sofjes për të bllokuar negociatat e tejzgjatura të Shkupit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian – një shtyllë në strategjinë trans-Atlantike për të stabilizuar Ballkanin.
Në vend që të ushtrohej presion ndaj Karakachanov për provokimet e tij dhe të kërkohej për vetëpërmbajtje, sipas informatave të Departamentit të Mbrojtjes të SH.B.A.-së, ministri bullgar u lavdërua në Uashington, ndërkohë që zyrtarët po negocionin një “hartë udhe 10-vjeçare për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes” si dhe shitjen e tetë avionëve ushtarakë F-16. Pa asnjë aluzion shqetësimi për diktatet e Bullgarisë, Esper përshëndeti Karakachanovin, i cili ia ktheu me përshëndetjen e tij për Presidentin Trump. Përzemërsia në Uashington u pasua nga një vizitë në Bullgari me 20 tetor nga një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, R. Clarke Cooper, i cili shprehu pa dyshim “mirënjohjen e Shteteve të Bashkuara ndaj Bullgarisë për angazhimin e saj ndaj Aleancës”.
Dy ditë më vonë, Karakachanov tronditi rajonin duke kërcënuar haptazi se do të dërgonte trupa bullgare në Maqedoninë e Veriut. Ultimatumi i përkeqësuar kishte të bënte me pretendimin e Karakachanov se Maqedonia e Veriut po kërcënonte “integritetin territorial të Bullgarisë”, duke nënkuptuar që Sofja kishte një casus belli (shkak për luftë). Jo vetëm që administrata Trump nuk arriti të dërgojë ndonjë sinjal kuptimplotë para këtij shpërthimi, por Shtetet e Bashkuara thënë pak gjë si rrjedhojë. I takoi ministres së mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Radmila Shekerinska, të bëjë qortimin e duhur dhe dinjitoz: “Bullgaria është anëtare e NATO-s, dhe ne jemi anëtare e NATO-s, dhe kjo nuk është mënyra se si anëtarët e aleancës komunikojnë ose duhet të komunikojnë”.
Heshtja e Shteteve të Bashkuara është e pafalshme. Shumë bullgarë të shquar i kanë denuar ngacmimet e qeverisë bullgare të bëra ndaj maqedonasve lidhur me mosmarrëveshjet rreth identitetit, duke e nënvizuar faktin se kjo do të dëmtojë vetë Bullgarinë. Si pasojë, kryeqyteti bullgar, Sofja, javën e kaluar bllokoi hyrjen e Maqedonisë së Veriut në Frontex, Agjencia Evropiane e Kufirit dhe Rojes Bregdetare, duke e dobësuar aftësinë e Shkupit për ta ndaluar migrimin e paligjshëm dhe për ta kontrolluar krimin ndërkombëtar në kufirin që e ndan me Bullgarinë.
Sofja është e izoluar brenda BE, e cila e bllokon – por nuk mund ti parandalojë – vendet anëtare të importojnë mosmarrëveshje bilaterale në kornizën negociuese të BE. Pohimi i pa pëndëse i Karakachanov se forcat bullgare do të “mirëpriten” nga maqedonasit vetëm se e ka përkeqësuar këtë çështje.
Shitja e SHBA e F-16 në Bullgari nuk është justifikim për heshtjen e Esper ose atë të kolegëve të tij nga Departamenti i Shtetit; një administratë kompetente mund t’i shesë F-16 një aleati të NATO-s (Bullgarisë) pa ia shitur edhe një tjetri (Maqedonisë së Veriut). Zyrtarët amerikanë mund t’ia kishin përkujtuar me lehtësi Karakachanovit fjalët e tij, të thëna muajin e kaluar para një komiteti parlamentar, në lidhje me tensionet midis Greqisë dhe Turqisë: “Njohja e historisë së marrëdhënieve në Ballkan – çështjet e diskutueshme midis fqinjëve duhet të zgjidhen përmes negociatave dhe dialogut dhe jo përmes përdorimit të kërcënimeve dhe forcës ushtarake”.
Ashtu sikurse në Bullgari, diplomacia dritëshkurtër e Trump ka imponuar një tjetër mekanizëm të heshtjes, këto herë mbi Serbinë. Në samitin shumë të trumbetuar të Zyrës Ovale midis Serbisë dhe Kosovës me 4 Shtator, presidenti përshëndeti zotimin e palëve të përmbledhura në dy faqe si “historik” dhe “progresit të madh”. Nëpër tubime, Trump ka këmbëngulur se meriton Çmimin Nobel për Paqe, marrë parasysh faktin se iniciativa e tij kishte të bënte me”ndalimin e vrasjeve masive midis Serbisë dhe Kosovës”.
Në fakt, stërzmadhimi i Trump dhe fokusi unitar i administratës së tij në çështjet ekonomike, ka rezultuar me tri pasoja të dëmshme. Së pari, marrëveshja e “normalizimit ekonomik” ka zbutur presionin mbi palën e palëkundur, Beogradin. Duke marrë pjesë në iniciativën e Shtëpisë së Bardhë, presidenti autokratik i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, një tjetër nacionalist i devotshëm, e ka tëhollësuar imazhin e tij pa ndonjë presion për të bërë lëshime të rëndësishme për kundërshtarin e tij.
I dërguari special i Presidentit Trump për Serbinë dhe Kosovën, Richard Grenell, ka theksuar në mënyrë të vazhdueshme se Uashingtoni është fokusuar në arranzhime ekonomike dhe do t’i kthehet vetëm çështjes thelbësore të njohjes reciproke (të cilën Vuçiq dëshiron të shmangë) menjëherë pasi dispozitat ekonomike të hyjnë në fuqi. Në mënyrë të parashikueshme, dialogu i udhëhequr nga BE midis Serbisë dhe Kosovës – i cili përqendrohet në pyetje thumbuese politike – ka ngecur. Ky është një problem i veçantë për Kosovën e izoluar, të panjohur, sepse, nën presionin e SHBA, ajo ka hequr dorë nga e drejta madje edhe për të aplikuar për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare – duke u zbrapsur ndaj shumë akuzave midis Beogradit dhe Prishtinës.
Së dyti, për shkak se administrata Trump është aq shumë e dhënë në imazhin për të qenë e suksesshme, Beogradi, ashtu sikurse Sofja, e di se mund të promovojë brendin e tij helmues të nacionalizmit pa pasur frikën e ndonjë ofendimi amerikan. Në provokimet e llogaritura, Ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin ka përdorur vazhdimisht një epitet tepër fyes për popullin shqiptar në komunikatat zyrtare. Ish ministri i Jashtëm Ivica Daçiq lëshoi një kërcënim ogurzi kundër atyre serbëve të cilët bëhen pjesë e ndihmës së procesit të udhëhequr nga BE për identifikimin e personave të zhdukur – çëshjten e papërfunduar nga vrasjet masive të viteve 1990 ashtu siç po i referohet Presidenti Trump. Në stilin e një bosi mafioz, në mënyrë kërcënuese Daçiq i pyet teleshikuesit, “Çfarë do të bëjmë me serbët që u tregojnë shqiptarëve se ku janë varrosur trupat?” (Daçiq tani vonë është emëruar Kryetar i Parlamentit.)
Ndërkohë që zyrtarët amerikanë zgjodhën heshtjen, kjo gjuhë e papërshtatshme ka provokuar një reagim të ashpër në Prishtinë, nga qeveria dhe opozita. Kryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se këto vërejtje ishin dëshmi se “Serbia ende udhëhiqet nga mendje gjenocidale” – vështirë se relaksimi i marrëdhënieve të jetë trumbetuar nga zyrtarët e administratës Trump.
Më në fund, për shkak se administrata tashmë ka shpallur sukses të menjëhershëm, ajo ka mbyllur njërin sy ndaj mashtrimit të Serbisë mbi zotimet e saja. Brenda disa ditësh nga nënshkrimi në Zyrën Ovale, zyrtarët serbë po e shfuqizonin ndalimin kundër përdorimit të pajisjeve 5G nga “shitës të dyshimtë” – një eufemizëm (term pak më i lehtë) për Huawei.
Në periudhën vetëm brenda dy javësh, Kryeministrja Ana Brnabiç po hapte një qendër të inovacioneve dhe zhvillimit të Huawei në Beograd, duke vlerësuar kompaninë si “një nga partnerët tanë më të mëdhenj dhe më të mirë” në “transformimin dixhital të ekonomisë sonë”, në 5G dhe më gjerë. Ndërkohë, Kina vazhdon të trashë marrëdhëniet e saj me Serbinë, “spirancën” Evropiane të Pekinit. Ministri i Mbrojtjes Vulin kohët e fundit përcolli një stërvitje me zjarr të drejtpërdrejtë të dronëve kinezë të blerë së fundmi, duke theksuar se Pekini kishte transferuar teknologjinë e bashkuar në Serbi.
Këtë muaj, Vuçiq i premtoi ambasadorit rus në Serbi se një tubacion gazi do të përfundojë këtë vit, mes projekteve të tjera në sferën e energjisë, duke kundërshtuar angazhimin e Shtëpisë së Bardhë për të diversifikuar furnizimet e energjisë larg Rusisë. Pasi mori një qortim poshtërues për servilizmin e tij në Shtëpinë e Bardhë, Vuçiq u detyrua të recitonte një listë servile të zotimeve në Kremlin, përfshirë edhe zotimin që Serbia asnjëherë të mos bëhej anëtare e NATO-s, të mos ndryshonte kurrë pikëpamjen e saj për bombardimet e NATO-s në Serbi në vitin 1999, që asnjëherë të mos vendoste sanksione ndaj Rusisë dhe të vazhdojë me politikat e saj miqësore, vëllazërore dhe të pavarura ndaj Rusisë, pavarësisht kritikave të BE-së. Vuçiq sapo ka filluar procesin ligjor për hapjen e një misioni të Ministrisë Ruse të Mbrojtjes në Beograd, duke thelluar marrëdhëniet ushtarake me Moskën.
Befasia e madhe e marrëveshjes së bërë nga kjo administratë – përfshirja e Izraelit – mund t’i sjellë izraelitët më pranë shqiptarëve dhe serbëve – por jo serbët dhe shqiptarët më afër njëri-tjetrit. I preokupuar me marrëdhëniet e veta të acaruara, Izraeli nuk ka asnjë ambicie apo aftësi për të nxitur pajtimin midis palëve.
Si përmbledhje, mburrja e Trump për një “progres të madh” ka rezultuar me një prishje të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Nuk ka shenja që diplomacia e administratës amerikane ka bërë diçka për të parandaluar marrëdhëniet në ngritje dhe shumëplanëshe të Serbisë me Kinën ose varësinë e saj të kahershme nga Rusia. Në të vërtetë, Moska dhe Beogradi janë në qiellin e shtatë lidhur me rezultatet e zgjedhjeve të arritura në Mal të Zi në fund të gushtit duke i vënë në lëvizje forcat pro-ruse, pro-serbe dhe anti-NATO drejt një fitore mahnitëse të zgjedhjeve.
Administrata amerikane u zu përsëri e papërgatitur nga rëndësia që i dha “diplomacisë tregtare” në kurriz të vëmendjes ndaj përmbysjes nga Moska dhe Beogradi. Zyrtarët amerikanë kryesisht injoruan raportin e Departamentit të Shtetit në muajin qershor, duke e cituar frikën e analistëve dhe qeverisë malazeze për një “fushatë të koordinuar dezinformimi, propagande dhe provokimi, disa prej të cilave vijnë nga vendet e treta, që po kërkon nxitjen e ndarjeve etnonacionaliste dhe provokimin e konfliktit përmes protestave. ”
Përmes një fushate dezinformuese hibride të cilën disa analistë e kanë krahasuar me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e SHBA të vitit 2016, akterët serbë dhe rusë ndikuan shumë në narrativat e zgjedhjeve paraprake dhe polarizimin e madh të elektoratit malazes. Ndërkohë që mediat (platformat) online serbe infektuan mediat sociale me lajme të rreme, media ruse promovoi kryqëzimin e Kishës Ortodokse Serbe kundër ligjit të ri të qeverisë malazeze për pronat fetare.
Kur priftërinjtë ortodoksë serbë refuzuan të respektonin kufizimet COVID-19 të ndërmarra nga qeveria e Malit të Zi, Moska i doli në përkrahje priftërinjve, duke marrë si shkas diskriminimin anti-krishterë. Gjatë fushatës disa mujore, administrata Trump ishte e vetëmjaftuar, duke dështuar ta denonte ndërhyrjen nga Serbia dhe Rusia.
Pas zgjedhjeve, nacionalistët triumfues serbë në Mal të Zi i vunë në shënjestër boshnjakët (myslimanët boshnjakë), ndërkohë që shfaqeshin mbishkrime duke festuar gjenocidin në Srebrenicë. Brenda vetë Bosnjës fqinje, marrëdhëniet ndëretnike vazhdojnë në një trajektore në rënie. I vetëdijshëm për mosinteresimin e SHBA, lideri serb boshnjak Milorad Dodik, një klient i Moskës dhe Beogradit, ka përshkallëzuar kërcënimin e tij për të projektuar shkëputjen e njësisë serbe nga Bosnja. Dodik nuk ka marrë asnjë vërejtje lidhur me pretendimin e tij provokues se njohja e Kosovës do të kërkonte njohjen e Republika Srpskas gjithashtu.
Me vendet e Ballkanit që përballen me një krizë shpopullimi ndërkohë që qytetarët e tyre vazhdojnë të largohen në kërkim të mundësive më të mira, tani nuk është koha për madhështinë shkurtpamëse në ekonomi duke injoruar tensionet politike që kërcënojnë rinisjen e konflikteve. Mosmarrëveshjet ndëretnike janë alarm vdekjeje për reformën ekonomike, investimet e huaja dhe krijimin e vendeve të punës.
Një konkluzë e kohëve të fundit e bërë nga një qendër studimi me qendër në Gjermani, Bertelsmann Stiftung, thotë “Në fund të fundit, ekonomia mund të japë vetëm një pjesë të përgjigjes se si ta avancojmë integrimin rajonal, normalizimin e marrëdhënieve dhe anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.” Edhe kushti i “mini-Shengenit” në marrëveshjen ekonomike Trump – i cila synon të reduktojë barrierat për të shpejtuar lëvizjen e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit – sjell komplikime. Vendet më të vogla me deficite të mëdha tregtare si Kosova shqetësohen se kjo do të vuloste dominimin e ekonomisë së Serbisë substancialisht më të madhe.
BE sapo ka zotuar 9 miliardë euro (10.6 miliardë dollarë) për të zhvilluar, modernizuar dhe lidhur ekonomitë e Evropës Juglindore. Detyra e Uashingtonit nuk është ta tejkalojë dhe të shpenzojë më shumë se BE me projekte sa për pompozitet, të pakoordinuara që mund të përfundojnë duke humbur paratë e taksapaguesve. Roli vendimtar amerikan është të sigurojë një zë të qëndrueshëm të autoritetit, parimit dhe urgjencës, duke siguruar që as Brukseli dhe as kryeqytetet e vendeve të Ballkanit, të tilla si Sofja dhe Beogradi të mos largohen nga detyra e vështirë e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve politike të rajonit.