Italia, Franca dhe Sllovenia njoftojnë për shtimin e rasteve të infektimeve dhe marrin masa të reja përballë pandemisë.
Qeveria italiane miratoi një projekt-buxhet prej rreth 40 miliardë eurosh për masa të reja kundër koronës dhe forcimin e ekonomisë së sëmurë. Qeveria njoftoi se kabineti kishte miratuar si projektligjin e paraqitur nga Ministri i Financave Roberto Gualtieri për vitin buxhetor 2021 edhe buxhetin shumëvjeçar deri në vitin 2023.
Zgjaten kontratat e përkohshme të mjekëve
Planet parashikojnë “një rritje të konsiderueshme të buxhetit” për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe stabilitetin ekonomik të Italisë. Rreth katër miliardë euro janë planifikuar për sistemin shëndetësor dhe do të përdoren edhe për zgjatjen e kontratave të përkohshme për 30,000 mjekë dhe infermierë.
Rreth gjashtë miliardë euro do të jepen për shkollat dhe universitetet, katër miliardë euro janë caktuar për ndihmë në sektorët e përfshirë nga kriza e ekonomisë. Përveç kësaj qeveria e qendrës së majtë të Kryeministrit Giuseppe Conte dëshiron të shtojë fondin e veçantë për papunësinë. Shuma të mëdha janë planifikuar për familjet. Po ashtu një reformë tatimore dhe mbështetje për Jugun e varfër të vendit. Sipas raporteve shpenzimet do të financohen pjesërisht përmes borxhit dhe pjesërisht me ndihmën e Bashkimit Evropian.
Francë – shtetrrethim natën
Situata e pandemisë së koronës në Francë po vazhdon të përkeqësohet prej disa javësh. Por për shkak rritjes së numrit të infektimeve të reja brenda 24 orësh me 32.427 raste ditën e shtunë, një vlerë maksimale kjo që nga fillimi i testimit në shkallë të gjerë në Francë, në vend janë vendosur masa shtetrrethimi për orët e natës.
Gjendja e shtetrrethimit është shpallur për Parisin dhe tetë qytete të tjera më të mëdha dhe nga ora 21:00 deri në 6 të mëngjesit njerëzit lejohen të dalin jashtë vetëm për probleme madhore.
Sllovenia heq dorë nga gjurmimi i vargut të infeksioneve
Për shkak të rritjes së shpejtë të numrit të infeksioneve me virusin korona, Ministria e Shëndetit e Sllovenisë e ka ndërprerë gjurmimin e kontakteve të njerëzve që kanë rezultuar pozitivë me korona. Sipas njoftimeve Drejtoritë e Shëndetit nuk janë më në gjendje të përballonjnë numrin e madh të rasteve.
Sidoqoftë ata që pas testimit rezultojnë pozitivë do të vazhdojnë të informohen për infeksionin e tyre nga Drejtoritë e Shëndetit dhe të urdhërohen të hyjnë në karantinë dhe të informojnë personat që kanë qenë në kontakt.
Në Slloveni u bënë të njohura të dielën 726 infeksione të reja me virusin korona, kurse një ditë më parë ishin regjistruar 897 raste. Numri i rasteve aktive në këtë vend me dy milion banorë pothuajse është dyfishuar brenda një jave.