Takim me historinë. Mbrëmjen e sotme në Shkup, Kosova do të sfidojë Maqedoninë e Veriut në gjysmëfinalet e fazës play-off për Euro 2020.
Një ndeshje sa edhe e vështirë aq edhe historike për djemtë e Bernanrd Challandes të cilët mund të bëjnë të lumtur gjithë shqiptarinë nëse arrinë të fitojnë sot dhe të avancojnë në finalen e play-off aty ku do të përballen me fituesen e çiftit Gjeorgji-Bjellorusi.
Shpresat për një triumf të mundshëm në stadiumin Toshe Proeski janë të mëdha për dardanët pavarsisht 8 mungesave me peshë që trajneri Beranrd Challandes ka në formacion.
Emra të tillë si Muriqi, Rashica, Rrahmani, Kryeziu, Voca, Bernard Berisha nuk do të jenë pjesë e kësaj sfide, megjithatë me grupin e futbollistëve që ka në dispozicion, Kosova mund t’i bëjë keq Maqedonisë së Veriut.
Në sulm mund të aktivizohet Atdhe Nuhiu ose Benjamin Kololli si 9-sh fals, peshën e mbrojtjes do ta mbajnë Fidan Aliti me Mërgim Vojvodën, ndërsa në mesfushë Valon Berisha, Arbër Zeneli e Bersant Celina janë emrat që duhen pasur më shumë frikë nga maqedonasit.
Edhe te vendasit janë grumbulluar disa lojtarë shqiptarë ku spikasin Alioski, Bejtullai, Ferhan Asani dhe mbi të gjithë Enis Bardhi i cili do të jetë një rrezik për Kosovën edhe nëpërmjet goditjeve standarde.