Ballina Aktualitet Zaev nuk e pranoi propozimin e Mickoskit për takim liderësh

Zaev nuk e pranoi propozimin e Mickoskit për takim liderësh

Kryeministri Zoran Zaev, nuk do ta pranojë ftesën e liderit opozitar, Hristijan Mickoski për takim liderësh, për të diskutuar për çështjen e kontestit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për gjuhën dhe identitetin maqedonas.  Zaev vlerëson se nuk ka nevojë për një gjë të tillë, transmeton Portalb.mk.

“Nuk shoh nevojë për takim liderësh. Sidomos me një njeri që nuk ka qëndrim për asnjë çështje të rëndësishme nacionale ose strategjike. Gjuha maqedonase, identiteti maqedonas dhe veçantia janë të konfirmuara ndërkombëtarisht dhe njihen nga e gjithë bota. Me fqinjin tonë, Bullgarinë, kemi marrëveshje për bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë, i cili është nënshkruar edhe në gjuhën maqedonase. Presim që në frymën e kësaj marrëveshjeje, të vazhdojnë që bashkërisht t’i ndërtojmë marrëdhëniet. Për temat që dalin nga Marrëveshja shprehim vullnet t’i zgjidhim përmes punës së komisioneve që kanë kompetenca për këtë. Mickoski nuk është për marrëveshje për asnjë lloj teme, ai kërkon mënyrë vetëm se si ta dëmtojë shtetin, posaçërisht proceset që na çojnë drejt BE-së”, tha Zaev për TV21.

Lideri i VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në konferencën e deshme për media, ka kërkuar takim liderësh për diskutimin e çështjes së kontestit me Bullgarinë, si dhe për zhvillimet e tjera aktuale në vend.

“E shfrytëzoj këtë rast t’i ftoj liderët e partive relevante politike, të ulemi dhe të flasim hapur për çështjen që është sot aktuale, ndërsa ajo është negociatat me fqinjin tonë lindor. Ajo është shumë e rëndësishme. Si VMRO-DPMNE, i ftojmë të gjitha partitë relevante politike të ulemi në takim liderësh dhe të flasim për të gjitha çështjet aktuale të rëndësishme politike, që duhet ta përcaktojnë ardhmërinë e qytetarëve maqedonas dhe të Maqedonisë si shtet. Këtu para së gjithash mendoj në zhvillimet rreth negociatat me fqinjin tonë lindor, por edhe në regjistrimin, në katastrofën në ekonomi, debaklin në arsim”, tha mbrëmë Mickoski.

Gjuha, sikurse edhe shumë çështje të tjera historike vlerësohen si pengesë bullgare në rrugëtimin eurointegrues të Maqedonisë së veriut. Dje, Anëtarët e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë në Komisionin e përbashkët për çështjet e historisë dhe arsimit, edhe pas dy ditëve takim në Shkup, akoma nuk kanë gjetur zgjidhje të përbashkët për disa çështje. Anëtari bullgar i komisionit, Angell Dimitrov, raportoi se në lidhje me gjuhën nuk është folur, ndërsa në fund u paralajmërua se sivjet do të ketë edhe një takim të Komisionit në Sofje.