Prej rrokaqiellit te telefoni mobil: çfarë është shpikur apo ka lulëzuar në Amerikë, herët apo vonë është shtrirë edhe në pjesë të tjera të botës. Tani Amerika është një vend i përçarë, ku dy kampe pothuaj të barabarta urrehen mes vete si të ishin në prag të luftës civile. A është kjo e ardhmja që e pret krejt botën perëndimore? Disa përgjigje të mediave gjermane dhe zvicerane.
Nga Enver Robelli
“Frankfurter Allgemeine Zeitung” është gazetë konservatore. Nuk ka ndonjë simpati për të majtën. As në Gjermani, as në Amerikë. Nuk do të ishte befasi sikur një gazetë e tillë edhe në SHBA të përkrahë një president konservator. Por Donald Trump nuk është konservator. Donald Trump është Donald Trump. Ai ia ka dalë të fusë nën kontroll Partinë Republikane dhe për aq kohë sa e siguron pushtetin, krerët republikanë heshtin, përulen dhe durojnë çdo marrëzi trumpiste. Rrjedhimisht, edhe një gazetë aq proamerikane si “Frankfurter Allgemeine Zeitung” është kritike e ashpër e Trumpit.
Një ditë pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA në kryeartikullin e botuar në rubrikën e kulturës, në Feuilleton, siç thonë gjermanët duke “e vjedhur” një fjalë franceze, nuk fshihej dëshpërimi. Autori pyeste: si është e mundur që 60 milionë amerikanë të besojnë se qenkësh mirë të qeverisesh nga Trumpi? Gjenerata të tëra të europianëve janë rritur me idenë se Amerika është vend i ardhmërisë, toka e premtuar. Amerika, thoshte filozofi i madh gjerman Hegeli para 200 vitesh në ligjëratat e tij mbi historinë e botës, “është vend i ardhmërisë; çfarë bën vaki atje, nuk i përket historisë botërore, pa marrë parasysh sa e rëndësishme mund të jetë për Europën, kjo nuk ka të bëjë me neve”. Siç u tha: këtë Hegeli e ka thënë para 200 vitesh.
Ndërkohë – çfarë është shpikur apo ka lulëzuar në Amerikë, herët apo vonë është shtrirë edhe në pjesë të tjera të botës. Gazetari i “Frankfurter Allgemeine Zeitung” numëron: ndërtimin e rrokaqiejve, kredinë për konsum, motorizimin masiv, sociologjinë, muzikën e xhazit, popkulturën, lëvizjen studentore, fast foodin (ushqimin e shpejtë), neokonservatorizmin, kërkesën për kritikë dhe “korrektësinë politike”, internetin dhe telefonat e mençur.
Ndërkohë – jo vetëm nga viti 2016 Amerika përjeton një polarizim ekstrem shoqëror. Komandanti për polarizim quhet Donald Trump. Por do të ishte e padrejtë që për këtë të akuzohet vetëm Trumpi. Ai është ventili që përçon atë që gurgullon brenda një pjese të shoqërisë: agresiviteti, mosbesimi, urrejtja. Trump është në krye të një lëvizjeje që ka filluar qëmoti dhe para tij gjeti shprehje te lëvizja “Tea Party”. Me gjasë miliona amerikanëve nuk u bën përshtypje që gjatë qeverisjes së tij Trump i ka përkrahur para së gjithash ata që qëndrojnë mirë ekonomikisht. Përkundër gati një çerekmilioni të vdekurish nga pandemia, ky president vazhdon të jetë i popullarizuar. Madje i përkrahur edhe nga shumë gra, ndonëse ka thënë se mund ta prekë çdo grua mes këmbëve dhe kjo nuk ka asnjë pasojë për të. Emancipimi nuk është vetëm çështje burrash, me gjasë.
Sipas “Frankfurter Allgemeine Zeitung” Trump “jeton në botën e tij, në të cilën faktet vlejnë vetëm nëse flasin për të, në të cilën nuk meritojnë respekt as institucionet (gjyqet, shkencëtarët, opozita, ekzekutivi), as nuk ka solidaritet me të përvuajturit, në këtë botë të Trumpit hapur mund të gënjehet dhe rezultati i zgjedhjeve në thelb është i qartë sapo të kandidojë ai”. Autori nuk e fsheh habinë se si ekziston një elektorat, i cili me gjasë është indiferent ndaj rrenës dhe poshtërsisë, vrazhdësisë dhe narcizmit të përfaqësuesit më të lartë.
A është kjo e ardhmja e shumë shteteve perëndimore? “Frankfurter Allgemeine Zeitung” nuk e shtron këtë pyetje në kontekst të gjerë, por e merr Amerikën si model inspirimi dhe pyet: “A është kjo e ardhmja jonë?” Gjermania, për shembull, ka qenë gjatë digë kundër popullizmit. Tani afërsisht çdo i pesti gjerman voton një parti që ka tendenca autoritare dhe strehon brenda vetes edhe neonazistë. Në shtetet si Sllovenia apo Hungaria qeverisin kryeministra me raport tepër fleksibël ndaj të vërtetës dhe me tendenca autoritare. Kryeministri slloven Janez Jansha ka disa ditë që ka humbur kontrollin dhe në përkrahjen e tij për Trumpin ka shkuar aq larg, saqë e krahasoi Joe Bidenin me Sllobodan Millosheviqin.
Njëri prej shpjeguesve më të mirë të Amerikës, George Packer – ai ka shkruar biografinë e Richard Holbrooke, që sapo është botuar nga “Koha” – ka folur këtë javë për gazetën zvicerane “Tages Anzeiger”. Në fund të intervistës Packer bën një sqarim interesant që do të duhej t’ua hapte sytë shumë europianëve, që me arrogancë habiten se si “amerikanët votojnë dikë si Trumpi”. Packer thotë: “Ne jemi po aq të lëndueshëm dhe të kërcënuar nga shpërbërja e demokracisë si vendet e tjera. Përherë kemi menduar se jemi të veçantë dhe të jashtëzakonshëm. Por ngritja e popullistëve të djathtë autoritarë dhe e socialistëve të majtë radikalë dëshmon se ne tashmë nuk jemi ndryshe politikisht. Europianët nuk duhet të na shikojnë me shqetësim. Nuk jemi përbindëshi përtej Atlantikut. Madje ne jemi pasqyra e Europës”.
Packer ka shumë të drejtë. Pse aq shumë gjermanë votojnë AfD-në, një parti që model biznesi në politikë e ka urrejtjen? (Ka gazetarë arrogantë gjermanë që këtë pyetje nuk ia shtrojnë vetes kurrë, as opinionit). Pse kaq shumë italianë e adhurojnë Matteo Salvinin, i cili sa i përket retorikës nuk dallon shumë nga Trumpi? Polarizimi shumëvjeçar në SHBA ka prodhuar ndarje të mëdha shoqërore. Përçarje të thella që ndajnë edhe familjet, jo vetëm grupet shoqërore. Besimin e ka zëvendësuar urrejtja. “Jemi komplet të përçarë, nuk kuptohemi me njëri-tjetrin, përbuzemi dhe urrehemi. Por ne jetojmë bashkë në këtë shtet dhe askush nuk ka zgjidhje për përçarjen e vendit. Këto zgjedhje vetëm sa e kanë ashpërsuar problemin”, thotë George Packer.
Nëse fiton Joe Biden, ai do të përpiqet të ulë temperaturën, të qetësojë gjakrat. Biden do të përpiqet të mjekojë shpirtrat e trazuar amerikanë. A ka shanse për sukses? Packer: “Ai (Biden) do të thotë se dëshiron të pajtojë, se është president i të gjithë amerikanëve. Trumpi është i paaftë ta thotë këtë, nuk i intereson. Presidenti mund të bëjë dallimin me tonin e tij, atmosferën politike, dhe Biden do të bëjë aq sa mundet. Por përçarja nuk fillon lart, ajo fillon fare poshtë, ajo është e thellë dhe ekziston qëmoti. Secila palë ëndërron t’ia imponojë tjetrës vullnetin e vet, gjë që është e pamundur. Natën e parë pas zgjedhjeve këtë qenë të shtyrë të kuptojnë para së gjithash demokratët. Ndonëse në mbarë vendin ata kanë një shumicë, prapë nuk munden të zbatojnë idenë e tyre të Amerikës”.