Nga George T. Conway
Ajo që po ndodh është e kuptueshme. Një presidencë e nisur me gënjeshtra, dhe e nxitur që atëherë prej tyre, ishte e destinuar të mbaronte në mënyrën më të keqe,në krahasim me gjithë të tjerat.
Presidenca e Donald Trumpit nisi më 20 janar 2017, ditën që ai tha se “në ceremoninë e inaugurimit ishte turmat më e madhe që ka parë ndonjëherë historia”, një pretendim ky absurd, pasi çdo kush mund të konstatonte të kundërtën qoftë edhe me pamje të vetme.
Që nga java e tij e parë në detyrë, presidenti gënjeu për një palë zgjedhje, për të cilat të gjithë ranë dakord se ai i kishte fituar. Ai pretendoi se “manipulimi i votës” nga “miliona jo-qytetarë, kufoma dhe njerëz të regjistruar në dy shtete”, e kishte privuar atë nga fitimi i shumicës së votës popullore në vitin 2016.
“Nuk mendoj se dikush tjetër para meje, ka bërë atë që kemi bërë gjatë 100 ditëve të para”- deklaroi Trump pasi kishte thënë qindra gënjeshtra gjatë asaj kohe. Ai pohoi, pa prova, se presidenti Barak Obama kishte vendosur një “përgjues nw telefonat e mi”.
Ai gënjeu në mënyrë të përsëritur mbi kujdesin shëndetësor, ekonominë, emigracionin dhe tregtinë. Ai madje pretendoi se sipas planit të tij mbi taksat, ai vetë do të paguante më shumë.“Do të paguaj ndoshta më shumë sesa paguaj tani” – deklaroi Trump. Kjo, ndryshe nga pjesa tjetër e pretendimeve të tij, mund të ketë qenë fjalë për fjalë e vërtetë, pasi siç e dimë tani, deri atëherë ai nuk po paguante fare taksa .
Por e gjitha kjo ishte vetëm fillimi. Trump ka thënë gënjeshtra për thuajse gjithçka që nga ajo kohë, gënjeshtra të mëdha dhe të vogla, kuptimplota dhe të pakuptimta, duke thënë gjithçka për ta vendosur veten në pozicionin apo dritën më të mirë.
Ai gënjeu mbi pagimin e një ylli të pornografisë për të kryer marrëdhënie. Ai gënjeu, pavarësisht provave fotografike, kur tha se nuk kishte takuar kurrë një grua që e akuzoi atë për përdhunim. Ai gënjeu për atë për të cilën u fajësua, dhe për atë që duhej të ishte fajësuar, duke pretenduar se biseda e tij telefonike me presidentin ukrainas ishte e përsosur.
Deri në fund të gushtit, kur ai pranoi nominimin e tij për rizgjedhje, ai kishte thënë më shumë se 22.000 gënjeshtra, ndërsa gjatë fushatës finale ka të ngjarë të kenë arritur në më shumë se 25.000 deri tani.
Gënjeshtrat më të reja janë më seriozet – si për individët ashtu edhe për demokracinë tonë. Pa hezitim, Trump ka thënë gjithçka që ka menduar se ishte e dobishme për të politikisht në lidhje me pandeminë, qoftë e vërtetë apo e kuptueshme.
Ne e dimë përmendësh refrenin e tij:”Koronavirusi praktikisht nuk prek askënd. Një vaksinë është thuajse gati. Imuniteti i tufës do të na shpëtojë. Kemi kaq shumë raste, pasi po testojmë shumë. Mjekët dhe spitalet po gënjejnë mbi numrin e të vdekurve për të marrë para. Shtypi flet pa pushim për Covid-in për të dëmtuar imazhin tim. Shihemi më 4 nëntor, nuk do të dëgjoni kurrë më për virusin”.
Më 4 nëntor, vendi regjistroi një shifër rekord prej 104.004 rastesh të reja. Numri i të vdekurve i ka kaluar 233.000. Ne do të numërojmë rastet e reja dhe vdekjet edhe shumë kohë pasi të kemi mbaruar me numërimin e votave.
Sa i përket demokracisë sonë, Trump keqpërdori pa ndërprerje dhe me synime të këqija procesin zgjedhor, ashtu siç bëri kur mori detyrën. Duke e parë të vështirë rizgjedhjen në detyrë, ai bëri çdo pretendim të rremë që mund të de-legjitimonte, apo të krijonte bazën për të sfiduar rezultatin, edhe me çmimin e minimit të sistemit demokratik që ai u betua ta mbronte.
Votimi përmes postës përbën manipulim, tha Trump, përveç rastit kur ai ndodh nga njerëz apo vende që e mbështesin atë. Sipas tij guvernatorët demokratë po ua hidhnin qenve fletëvotimet me postë. Ose po hidheshin nëpër lumenj. Votat po falsifikoheshin, ose po hidheshin në kosh, zgjidheni vetë.
“2020 do të mbetet në histori si zgjedhjet më të deformura dhe të manipuluara. Një turp i madh për SHBA-në”- shkroi ai në Twitter që në muajin korrik. Trump theksoi se mund të humbte vetëm nëse zgjedhjet ishin “të manipuluara”.
Sjellja e Trump ilustron, si dhe çdo gjë tjetër gjatë 4 viteve të fundit, papërshtatshmërinë e tij në postin e presidentit. Trump mund t’i humbasë proceset gjyqësore dhe zgjedhjet, por ai nuk do të heqë kurrë dorë nga pretendimet e tij për manipulimin e votave.
Kjo u pa së fundmi në daljen e tij për mediat të enjten mbrëma, kur Trump pretendoi, pa asnjë bazë, se i kishte fituar zgjedhjet. Në fund, pretendimet e tij absurde për manipulime, do të kenë arritur vetëm një gjë:Ai do të ketë shpërdoruar shansin e tij të fundit dhe më të mirë për të treguar se mund t’a pranonte të vërtetën, dhe që të paktën një herë të bënte diçka për vendin, dhe jo vetëm për veten e tij. / “The Washington Post” – Bota.al