Rudy Giuliani, avokati i Presidentit Donald Trump u zotua se do të ngrejë padi, për disa pretendime të pabaza për manipulimin e votave gjatë së shtunës, teksa disa kanale mediatike shpallën Joe Biden si fituesin e zgjedhjeve presidenciale.
“Mos u bëni qesharakë. Nuk vendosin mediat për rezultatin e zgjedhjeve. Por gjykatat, po”.
Replika e Giulianit ka ardhur menjëherë pasi u informua mbi rezultatin e zgjedhjeve gjatë një konference për shtyp në Filadelfia.
Fitorja e 20 votave elektorale në Pensilvani i dha Biden më shumë se pragu i nevojshëm (270) për të fituar, duke bërë që të gjitha kanalet e rëndësishme mediatike ta shpallnin fitues, katër ditë pas ditës së zgjedhjes.
Trump ka pretenduar vazhdimisht për mashtrim elektoral, por pa prezantuar prova.
Giuliani tha se Trump nuk do të tërhiqet nga zgjedhjet por se do ta sfidojë rezultatin e zgjedhjeve në gjykatë.