Shpenzimet për regjistrimin e automjeteve me targa të huaja zvogëlohen për 50%. Qeveria i dha dritë jeshile Ligjit për Regjistrimin e Automjeteve me targa të huaja. Sipas informatave të Alsat, rregullat e reja do të vazhdojnë për të gjitha automjetet motorike që janë importuar në vend deri në 1 tetor 2020. Pronari i automjetit është i obliguar t’i paguajë të gjitha harxhimet doganore dhe tatimet ndaj shtetit brenda gjashtë muajve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji, mëson Alsat.
“Automjetet që do të importohen dhe regjistrohen sipas këtij ligji kanë obligime të zvogëluara ndaj shtetit për 50% nga vlera e caktuar e të gjitha taksave që paguhen gjatë importit”.
Ky ligj do të vlejë një vit pas hyrjes së tij në fuqi.
“Për të regjistruar automjet me targa të huaja, qytetarët do të duhet të kenë dokumentacionin për prejardhjen e automjetit, pronësinë e automjetit, detyrimet e rregulluara ndaj shtetit për doganat dhe taksat, korrektësinë teknike, vlerat e matura të gazrave lirues, sigurimin e kryer, taksat e paguara”.
Tani është radha e deputetëve, përkatësisht ligji kalon në Kuvend ku do të vazhdojë debati për këtë zgjidhje ligjore. Pasi të miratohet, Ligji duhet të publikohet në “Gazetën Zyrtare” dhe zbatimi i tij do të fillojë për dhjetë ditë. Alsat veç më informoi se sipas të dhënave nga Drejtoria e doganave gjatë këtij viti pjesa më e madhe e automjeteve të importuara janë nga vendet e BE-së, përkatësisht nga Gjermania, Bullgaria dhe Sllovenia, një pjesë e vogël janë edhe nga SHBA-ja.
https://youtu.be/AeQ-_tLwdFc