Numri i rasteve aktive me Kovid-19 në Tetovë dhe pesë komunat përreth është 1004, ndërkaq nga fillimi i pandemisë deri sot në këtë rajon janë regjistruar 3526 raste me virusin korona, nga të cilët 2287 janë shëruar kurse 140 kanë ndërruar jetë. Gjendja alarmante vazhdon të jetë në arsim ku gjithsej 44 mësimdhënës të Tetovës janë pozitiv, shkruan Portalb.mk.
Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, informoi në lidhje me numrat e fundit të rasteve pozitive në Tetovë dhe pesë komunat përreth.
“Në Tetovë dhe 5 komunat përreth, numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me #COVID19 është 3526. Nga ky numër deri më tani janë shëruar 2287 persona kurse 140 kanë ndërruar jetë, me çka numri i rasteve aktive në Tetovë dhe 5 komunat përreth është 1004” tha Teuta Arifi.
Si qëndron gjendja në Spitalin klinik të Tetovës?
Edhe pse në Tetovë aktualisht ka 45 pacientë të hospitalizuar me Kovid-19, vetëm katër prej tyre janë në gjendje më të lehtë shëndetësore ndërkaq të tjerët janë në mbështetje të oksigjenit.
“Aktualisht kemi 45 pacientë të hospitalizuar, vetëm katër prej tyre janë me simptome më të lehta ndërkaq të tjerët janë në përkrahje të oksigjenit” tha Gzim Nuredini, mjek.
Arifi informoi se ka pasur riorganizim të hapësirave të Spitalit klinik të Tetovës, me qëllim që të mund të ofrohen pandërprerë shërbimet tjera shëndetësore.
“Sa i përket kapaciteteve spitalore, Qendra Klinike në Tetovë në kuadër të organizimit të brendshëm ka bërë ndarjen fizike të hapësirave ku trajtohen pacientët me covid19, me qëllim që të mund të ofrohen pandërprerë edhe shërbimet tjera shëndetësore të mjekësisë sekondare si dhe intervenime të ndryshme kirurgjike” tha Arifi pas mbledhjes së shtabit të krizës.
Gjendja në arsim vazhdon të ngelet alarmante
Gjithsej 44 punonjës të arsimit në Komunën e Tetovës janë të infektuar aktualisht me Kovid-19 edhe pse procesi i mësimit vazhdon të jetë në distancë sipas planit të paraparë.
“Në arsim gjendja me COVID19 në çerdhet dhe shkollat e komunës së Tetovës është me sa vijon: Në çerdhet e kopshtit për fëmijë “Rinia” kemi 6 raste aktive dhe 1 grup të fëmijëve në izolim. Në shkollat fillore janë 16 mësimdhënës pozitiv dhe 8 grupe klasore në izolim. Në shkollat e mesme 22 mësimdhënës janë pozitiv me COVID19. Procesi i mësimit në distancë zhvillohet sipas planit të paraparë, dhe pas përfundimit të procesit të notimit të parë, janë duke u zhvilluar edhe këshillat e paraleleve” theksoi Arifi.
Mbi 300 dënime për mosmbajtje të maskës mbrojtëse për 7 ditë
Përkundër numrave të shtuara të rasteve pozitive me Kovid-19, në Tetovë një numër i madh i qytetarëve vazhdojnë të mos i binden rregullit për mbajtje të maskës mbrojtëse.
“Gjatë 7ditëve të kaluara prej 16 deri më 23 nëntor, sipas të dhënave nga SPB – Tetovë për mosmbajtjen e maskave mbrojtëse janë shqiptuar urdhëresa për kundërvajtje për gjithsej 328 persona. Gjatë kësaj periudhe 714 persona kanë marrë vendime të reja për izolim, kurse janë kyer kontrolle edhe 1343 personave me vendim për izolim të detyrueshëm nga Ispektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor” informuan nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB), Tetovë.
Shtabi i krizës në Tetovë: Të shtyhen ahengjet dhe festat, respektoni masat!
Kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi në emër të shtabit të krizës apeloi deri te qytetarët që të respektojnë masat për mbrojtje nga virusi korona, marrë parasysh atë siç thotë ajo, seriozitetin e gjendjes epidemiologjike në vend.
“Më lejoni që në emër të Shtabit të krizës pranë komunës së Tetovës, edhe njëherë të apeloj që është shumë me rëndësi gjithsecili prej nesh të tregojë vetëdije të lartë njerëzore dhe shoqërore, dhe duke marrë parasysh seriozitetin e situatës epidemiologjike në vend, të respektojmë masat dhe rekomandimet mbrojtëse.
Të gjithë pa përjashtim të mbajmë maskat mbrojtëse, ta ruajmë distancën fizike dhe higjienën personale. Festat dhe ahengjet familjare ti shtyjmë për kohë më të mira, që të mundemi të gjithë t’ju gëzohemi duke pasur pranë të gjithë miqtë, të afërmit dhe anëtarët e familjes, të cilët tash kanë një shëndet më të brishtë, me qëllim që të mund ti kemi afër vetes edhe shumë vite të tjera” tha Arifi.
Ndryshe, deri më tani, gjithsej 312 143 teste të për Kovid-19 kryer në Maqedoninë e Veriut. Numri i përgjithshëm i rasteve të diagnostikuara në vendin tonë që nga fillimi i pandemisë është 54 743, numri i pacientëve të shëruar është 32 366, numri i atyre që humbën jetën është 1511 dhe numri i rasteve aktive është 20866.