Në botë regjistrohen 32 mijë avionë, duke mos llogaritur avionët privatë (jet). Pjesa më e rëndësishme i takon transportit të pasagjerëve. Dita më e keqe e 2020 ishte 14 prilli
80% e avionëve janë për pasagjerë
Në botë numërohen thuajse 32 mijë avionë, tetë në dhjetë përdoren për transportin e pasagjerëve, kurse pjesa tjetër është për transportimin e mallrave nga një vend në tjetrin i planetit, pak më shumë se gjysma janë Airbus A320 dhe Boeing 737, të ashtuquajturit mjete narrowbody. Këto janë statistikat e fundit të këtij viti, i cili për të dytën herë është futur në një periudhë letargjie udhëtimesh për shkak të koronavirusit. Këto statistika nuk përfshijnë fluturimet e avionëve privatë (jet-ët).
“Familja” më e rëndësishme
Duke krahasuar të dhënat e shoqërive ndërkombëtare Cirium dhe Ch-Aviation, në fund të shtatorit numëroheshin 31.785 aeroplanë, nga këta 26.188 për transportin e pasagjerëve, pjesa tjetër për mallrat. Në kompleks, rreth 46% përbëheshin nga modele të “familjes” Airbus A320 (që përfshijnë edhe A319 dhe A321) – për shembull avionët që përdoren nga Alitalia, Wizz Air apo easyJet — dhe Boeing 737 (flota e Ryanair). Sipas platformës Cirium, 14 prilli ishte dita më e keqe për transportin ajror global. Covid-19, kufizimet e qeverive dhe lockdown-et e ndryshme lanë në tokë 60% të avionëve që transportojnë udhëtarët. Në fillim të tetorit, sipas Cirium, nga 31.785 avionë, ishin në shërbim 21.927, ndërsa 9.858 të tjerë ishin të parkuar në pritje që tregu të rimëkëmbet.
Në tokë!
Një pjesë të rëndësishme të avionëve të ndaluar përbëhet nga avionë Airbus dhe Boeing, që përdoren për fluturime ndërkombëtare, që shënojnë -90% krahasuar me një vit më parë. Po ku ndodhen gjithë këta avionë? Ose më saktë ku janë regjistruar? Mbi të gjitha në Azi (33,8%) — siç shihet nga shifrat e siguruara nga Ch-Aviation; Amerikën e Veriut (30%) dhe në Europë (24,5%). Sipas të dhënave të përditësuara nga Eurocontrol, në Kontinentin e Vjetër, katër nga dhjetë avionë të regjistruar, nuk bëjnë fluturime prej disa ditësh. Kjo shifër është e destinuar të rritet nga nëntori deri në shkurt-marsin e 2021. Sipas Boeing, një nga dy gjigantët kryesorë të hapësirës ajrore, pavarësisht COVID, nga ky vit e deri në 2029 do të ndërtohen 18.350 avionë të rinj dhe 24.760 nga viti 2030 deri në 2039, për një total prej 43.110 avionësh në 20 vitet e ardhshme.
Burimi: Corriere della Sera