Më 3 nëntor, Shtetet e Bashkuara do të votojnë për të zgjedhur të ashtuquajturit “Zgjedhësit e Mëdhenj”, të cilët nga ana tjetër do të zgjedhin presidentin e 46-të në historinë e tyre.
Sfida është midis Donald Trump, i cili kandidon për partinë Republikane, dhe Joe Biden, ish zëvendëspresident i kabinetit qeveritar të Barack Obama dhe kandidat i demokratëve.
Pritet një pjesëmarrje rekord: mbi 150 milionë nga 240 milionë votues me të drejtë vote.
Kur votohet dhe kur betohet presidenti?
Zgjedhjet do të mbahen të martën, në 3 nëntor 2020.
Sipas traditës qendrat e votimit hapen të martën e parë pas të hënës së parë në muajin nëntor.
Vetëm në Kolorado dhe Oregon, ku për shkak të emergjencës Covid-19 votohet me postë, në të gjitha shtetet e tjera qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 8 pasdite sipas orës lokale.
Më 3 nëntor, votuesit do të thirren për të zgjedhur Zgjedhësit e Mëdhenj, të cilët do të mblidhen më tej në Kolegjin Zgjedhor më 14 Dhjetor 2020 për të zgjedhur presidentin dhe zëvendëspresidentin e ri.
Por sakaq kanë votuar rreth 100 milionë zgjedhës. Pjesa më e madhe me votimin e hershëm javët e fundit dhe disa milionë të tjerë me postë.
Presidenti i ri i Shtëpisë së Bardhë do të betohet në Uashington më 20 janar 2021.
Si votohet?
Në sistemin zgjedhor të Shteteve të Bashkuara, i cili është një komb federal, nuk është vota popullore që vendos presidentin.
Votimi është indirekt: votuesit zgjedhin të ashtuquajturin Kolegjin Zgjedhor (Electoral College) të përbërë nga 538 Zgjedhës të Mëdhenj, të ndarë midis shteteve të ndryshme në bazë të të dhënave demografike.
Fituesi është ai që arrin të marrë të paktën 270 Zgjedhës të Mëdhenj, që është kuorumi i nevojshëm për zgjedhjet.
Në rast barazimi, domethënë nëse të dy kandidatët fitojnë nga 269 vota secili, atëherë vendos Kongresi i Shteteve të Bashkuara.
Për t’u bërë president i Shteteve të Bashkuara, duhet të plotësohen tre kushte: duhet të jesh mbi 35 vjeç, të jesh lindur në Shtetet e Bashkuara dhe të kesh jetuar atje për të paktën 14 vjet.
Rezultatet – Në Shqipëri, rezultatet zyrtare të zgjedhjeve në Amerikë arrijnë natën vonë.