Një grup studiuesish nga Universiteti i Melburnit në Australi, lidhën me sukses trurin e njeriut me një kompjuter me programin Windows 10, duke përdorur një metodë që u teorizua për herë të parë në vitin 2016:duke futur disa nga elektrodat e pajisjes në një nga venat e qafës së njeriut.
Tomas Oksli, autori kryesor i studimit dhe shefi ekzekutiv i kompanisë “Synchron”, e cila shpreson të gjejë një përdorim komercial për teknologjinë, tha për Wired se ”pacienti arriti që të vërë nën kontroll Windows 10”.
Studimi, i cili u botua në “Journal of NeuroInterventional Surgery” javën e kaluar, zbuloi se 2 pacientë me sklerozë anësore amiotrofike, e njohur gjithashtu si sëmundja Lou Gehrig, ishin në gjendje të kontrollonin mausin e një kompjuteri thjesht duke përdorur trurin e tyre.
“Pjesëmarrësit iu nënshtruan një trajnimi të asistuar mbi të mësuarit e lëvizjeve, për të përdorur sinjalin elektrokortikografik të transmetuar me valë, dhe të shoqëruar me lëvizjet për të kontrolluar veprime të shumta të klikimit të mausit”- thuhet në të.
“Duke përdorur një kombinim të një gjurmuesi të syve me navigimin përmes kursorit, pjesëmarrësit arritën kontrollin e sistemit operativ Windows 10, për të kryer aktivitete instrumentale të detyrave të përditshme të jetesës”-shton ai.
Kompania e Elon Musk “Neuralink”, po punon mbi një teknologji të ngjashme që mbështetet në futjen e rreth 1 mijë elektrodave në trurin e një personi nga një kirurg-robot, dhe që deri më tani është testuar vetëm tek derrat.
“Ekziston një dilemë midis asaj se sa invaziv dëshiron që të jesh, dhe në cilin nivel mund të mbledhësh informacione”- thotë Endrju Pruzinski, neuroshkencëtar nga Universiteti Perëndimor në Kanada.
“Kjo teknologji po përpiqet të gjejë të mesmen e artë, për të futur një kateter afër aktivitetit nervor. Është padyshim një teknologji invazive, por sigurisht jo aq invazive sa futja e elektrodave në tru”-thekson ai. (Newsmax – Bota.al)