Ndërsa shumë vende po luftojnë për të vënë nën kontroll valën e dytë të pandemisë së koronavirusit, Finlanda ka frenuar infektimet në nivelet më të ulta të vërejtura rreth Europës.
Për këtë po ndihmon edhe fakti se finalandezëve u vjen natyrshëm distancimi social. Edhe pse pozicioni i largët në hartë dhe densiteti i ulët i popullsisë luajnë një rol të rëndësishëm, nuk mund të mos llogarisësh faktin se finlandezët pëlqejnë vetminë dhe hapësirën personale.
Mika Salminen, drejtor i Autoritetit Shëndetësor THL, thotë se finandezët preferojnë t’i mbajnë njerëzit të paktën 1 metër larg, pasi përndryshe nuk ndihen rehat:
“Ne gjithësesi jemi të distancuar. Nëse ka karrige bosh në autobus, ne zgjedhim ato ku nuk ka persona pranë. Distancimin social e kemi të natyrshëm, kështu jemi rritur.
Jemi të mësuar me vetminë dhe na pëlqen të shëtisim në pyje apo të notojmë nëpër liqene. Finlandezët qëndrojnë larg zonave të populluara”.
Mesatarja e rasteve të reja në dy javet e fundit për 100 mijë banorë, është 54,2 në Finlandë. Mesatarja europiane është rreth 575, me Luksemburgun që numëron 1302 të infektuar për 100 mijë banorë.
Sipas një sondazhi, 73% e finlandezëve e vlerësonin si lehtësisht të përballueshme valën e parë të masave kundër koronavirusit, me 23% që konsideronin madje se jeta e tyre ishte përmirësuar.