Vala e re e infeksioneve kërcënon të çojë në kolaps sistemet shëndetësore në të gjithë rajonin, duke shqetësuar si pacientët ashtu edhe mjekët.
Ndërsa vendet në të gjithë rajonin raportojnë rritjen më të madhe të infektimeve nga COVID-19 deri më tani këtë vit, autoritetet po synojnë të gjitha burimet e disponueshme për pajisjen e institucioneve të tyre shëndetësore me më shumë dhe trajtime më të mira për pacientët.
Por protokollet dhe raportet e përditësuara mjekësore se autoritetet po punojnë shumë për të siguruar më shumë shtretër spitalorë kanë shumë pak rëndësi për shumë pacientë, të cilët shpesh ankohen se ende nuk mund të kenë qasje apo këshilla mjekësore bazike.
Përgjigjet e ngadalta nga mjekët e mbingarkuar të familjes në sektorin primar të shëndetit, është, thonë disa, pengesa e parë. Procedurat e ngadalta dhe shpesh të shtrenjta për t’u testuar për COVID-19 janë një tjetër pengesë.
Mjekët dhe profesionistë të tjerë mjekësorë janë gjithashtu në prag kolapsi, të mbingarkuar me punë dhe të rraskapitur, të paktë në numër dhe të papërgatitur për të trajtuar një infeksion të këtij lloji dhe qëllimi.
Një tjetër pengesë shtesë është nevoja për të transformuar me shpejtësi pavijonet e spitaleve që nuk ishin krijuar për të trajtuar infeksionet nga COVID-19.
Mjekët thonë se kjo sjell kushte të këqija në spitale, me ankesa që variojnë nga mosrespektimi i protokolleve të sigurisë deri te mungesa e pajisjeve dhe nevoja për të paguar çmime shumë të larta për ilaçe që duhen të bien në kurriz të shtetit.
Për disa, mjekët e familjes e pamundur të arrihen
Për shumë njerëz në të gjithë Ballkanin, mjekët e familjes janë baza e parë në mënyrë që të testohen dhe të marrin ndihmë mjekësore.
Por në Maqedoninë e Veriut, Maja 31 vjeçe nga Shkupi i tha BIRN se ajo kaloi një “makth të papërshkrueshëm” kur ajo dhe prindërit e saj, me të cilët ajo jeton, u sëmurën këtë muaj dhe dyshuan se kishin koronavirus.
U deshën gjashtë ditë pasi ata kërkuan fillimisht ndihmë mjekësore për të marrë rezultatet e testit COVID-19, të cilat dolën pozitive. Më pas u desh një ditë para se babai i saj, i cili ishte më i prekur, të shtrohej në spital.
“Humbëm dy ditë kohë duke u përpjekur të shkonim te mjeku ynë i familjes. Fillimisht, ai nuk përgjigjej në telefon. Pastaj na kërkoi të plotësonim një pyetësor dhe tha se do të shihte se çfarë mund të bënte. Humbëm tre ditë kohë, vetëm për të marrë referimin se mund të testoheshim”, tha Maja.
Gjatë asaj kohe, Maja i telefonoi urgjencës shtetërore dhe disa spitaleve private, pasi babai i saj po dehidratohej, por shërbimet e urgjencës nuk pranuan të vinin pa një rezultat të testit për COVID-19.
Në fund, familja e shpërfilli referimin dhe e kreu testin në një klinikë private në ditën e katërt, duke shpresuar se rezultatet do të vinin më shpejt. Por atyre iu desh të prisnin që të kalonte fundjava, periudhë në të cilën as klinika private nuk kryente testime dhe nuk jepte rezultate testimesh.
Në ditën e shtatë, babai i saj u shtrua më në fund në spital, ku Maja tha se ai mori “jo kujdesin ideal, por ndoshta kujdesin shëndetësor të duhur”. Që kur u nxor nga spitali dhe është në shtëpi, ai ndihet shumë më mirë.
Por Maja është shumë e trembur nga gjithë kjo përvojë. “Na ruajti vetëm Zoti. Ai dhe vëllai im, pasi ai ishte i vetmi që nuk ishte i sëmurë dhe ishte në gjendje të na plotësonte nevojat, të shoqëronte babanë në spital duke vendosur vetë tre maska në fytyrë për t’u mbrojtur dhe duke na sjellë ilaçet e nevojshme”, kujton ajo.
“Në atë pikë je i hutuar, i trembur, i zemëruar e ndoshta dhe nuk mendon si duhet”, reflektoi Maja.
“Jetojmë të gjithë në një lloj mohimi dhe shpresojmë se dikush do të na ndihmojë, që sistemi shëndetësor funksionon… Në fillim prisja që doktori ynë të dinte si t’i përballonte apo menaxhonte gjërat. Një herë që patëm vërtet nevojë për të, por jo. Sistemi nuk funksionon dhe ne mbetëm vetëm”, përfundoi ajo.
Në Kosovën fqinje, situata është po aq shqetësuese për shumë pacientë. Ardian Elezaj i tha BIRN se kur ai shkoi në tre spitale për ndihmë, nuk mori as ndihmën dhe as këshillat e duhura se si duhet të vepronte.
Para një muaji ai filloi të përjetonte simptomat tipike të COVID-19, ethe dhe humbje të shijes. Elezaj shkoi në qendrën shëndetësore në lagjen Dardani në Prishtinë, ku i thanë thjesht: “E kemi të ndaluar të merremi me këto raste. Duhet të shkoni te Bregu i Diellit”, një tjetër qendër shëndetësore në një lagje tjetër.
Qendra shëndetësore atje nuk punonte fare, kështu që Elezaj më pas shkoi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, QKUK, në Prishtinë ku i thanë të shkonte në Klinikën e Sëmundjeve Infektive.
“Personeli i Klinikës së Sëmundjeve Infektive më tha të shkoja të nesërmen. Të nesërmen ata nuk punonin”, tha Elezaj.
I vetmi opsion tjetër, një që shumë njerëz e zgjedhin nga nevoja, është që testimin ta kryesh me pagesë në laboratorë privatë.
Këto teste kushtojnë 40 deri në 60 euro për person. Një familjeje me katër veta do t’i duhej të paguante 200 deri në 240 euro për t’u testuar të gjithë, që është shumë për njerëz që jetojnë me pagë minimale ose me ndihmë sociale, që në shumicën e rasteve marrin do të thotë 200 deri 300 euro në muaj.
Autoritetet shëndetësore në Serbi, Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe gjetkë kohët e fundit kanë marrë të ashtuquajtura teste të shpejta të cilat të japin një rezultat brenda pak orësh. Ato kushtojnë vetëm 15 deri në 20 euro.
Por furnizimet me këto lloj testesh përfunduan brenda pak ditësh, edhe pse priten të vijnë edhe shumë të tjerë.
Garë për të siguruar më shumë shtretër për pacientë me COVID-19
Në javët e fundit, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Kroacia dhe vendet e tjera të Ballkanit janë përballur me mijëra infeksione të reja me COVID-19 në ditë.
Autoritetet e përshkruajnë situatën si alarmante, duke paralajmëruar që sistemet shëndetësore po përballen me sfidën më të madhe në të gjithë historinë e tyre dhe se ata duhet të përqendrohen pothuajse tërësisht te ky virus.
Sipas Autoritetit Kombëtar të Mbrojtjes Civile, Kroacia aktualisht ka 1,944 pacientë në spital me COVID-19, 204 prej tyre në terapi intensive.
Mjekët atje thonë se situata është e rëndë. Shoqata Kroate e Mjekëve të Spitalit, HUBOL, paralajmëroi në fillim të nëntorit se Kroacia kishte “humbur kontrollin e epidemisë në disa segmente”.
“Shërbimet epidemiologjike nuk po funksionojnë më, spitalet po mbushen me shpejtësi me pacientë dhe ka gjithnjë e më pak respiratorë të lirë”, tha ajo.
“Është koha për masa më të rrepta epidemiologjike gjatë një periudhe kohe që të mund të rifitojmë kontrollin mbi epideminë,” vazhdoi HUBOL.
Në tetor, disa mjekë dhe pacientë paralajmëruan për trajtimin joadekuat të pacientëve me COVID-19 në Spitalin Dubrava të Zagrebit, i cili tani po merret ekskluzivisht me pacientë me COVID-19.
Pasi gjendja e tij u përkeqësua, kur 34-vjeçari Domagoj Kovaç, e përjetoi në kurrizin e vetë këtë eksperiencë.
“Ata më futën në spital, por pas kësaj nuk ndodhi asgjë”, tha Kovaç për mediat më vonë.
“Doktorin e prita një ditë e gjysmë. Isha i shtrirë në shtrat, i sëmurë, nuk merrja dot frymë dhe nuk merrja asnjë ilaç. Doktori nuk më vizitoi derisa humba durimin dhe bërtita”, tha ai për gazetën Jutarnji list më 29 tetor. “Vetëm pas kësaj, ata reaguan”, vazhdoi ai.
Me më shumë se 13,000 raste aktive, Maqedonia e Veriut ka mbi 1,200 pacientë të shtruar në spital me COVID-19. Mbi 90 për qind e të gjithë shtretërve në dispozicion për kujdesin intensiv të pacientëve me COVID-19 tani janë të zënë.
Nëpër spitalet në të gjithë vendin janë në dispozicion shtretër të tjerë, por para se të mund të përdoren për pacientët me COVID-19, autoritetet duhet të sigurojnë protokolle strikte për të parandaluar përhapjen e infeksionit, e cila nuk është një detyrë e lehtë.
Klinika e neurologjisë në Shkup është një spital që kohët e fundit u kthye plotësisht në një të ashtuquajtur qendër COVID-19, por kjo shkaktoi një revoltë në mesin e personelit mjekësor i cili tha se ata nuk ishin të përgatitur për të trajtuar sëmundje infektive. Një ish-ministër shëndetësie, Arben Taravari, e vlerësoi vendimin për ta kthyer klinikën në një qendër COVID-19 si “skandaloz”.
Familjarët e pacientëve lejohen në disa spitale
Disa spitale në Kosovë duket se janë në një gjendje më kaotike, duke gjykuar nga raportimet e fundit.
Në shumë vende, të afërmit ose miqtë e pacientëve në spitalet COVID-19 nuk lejohen t’i vizitojnë të sëmurët, ose mund ta bëjnë këtë vetëm në kushte të rrepta.
Por një i afërm i një pacienti të vdekur së fundmi nga COVID-19, i cili pa kushtet në njësinë e kujdesit intensiv të Klinikës së Sëmundjeve Infektive në Prishtinë, i tha BIRN në kushte anonimiteti se të afërmit e pacientëve hynin e dilnin, dhe ndonjëherë ishin më të angazhuar t’i ndihmonin pacientët sesa vetë stafi mjekësor.
“Familjarët lejohen në dhomat e pacientëve dhe shpesh dhomat, me më shumë se një pacient, ishin të mbushura me familjarët e pacientëve të tjerë”, tha ky burim.
Ndër të tjera, burimi tha, “familjarët administronin terapi oksigjeni pa ndonjë këshillim paraprak nga stafi mjekësor” dhe madje “hiqnin tubat pas kryerjes së terapisë, të tilla si infuzioni”.
“Cilindri i oksigjenit në rastin tonë hiqej në mes të natës nga infermierja dhe nuk zëvendësohej nga një tjetër. Kjo ia dëmtoi gjendjen shëndetësore nënës tonë”, pohoi burimi, duke shtuar se me përjashtim të pak mjekëve, personeli mjekësor kalonte shumë pak kohë duke kontrolluar gjendjen e pacientëve.
Mjekët ankohen për rraskapitje dhe mungesë stafi
Serbia ka 5,317 pacientë me COVID-19 në spital, 182 prej tyre të lidhur me aparate oksigjeni. Formalisht, vendi ka 41,988 shtretër spitalorë, që është pak mbi mesataren europiane për 100,000 banorë.
Ajo që mungon është stafi i trajnuar. Dr. Rade Paniç, nga spitali kryesor në Kraljevo, në Serbinë qendrore, tha se mungesa e stafit mjekësor dhe përqendrimi i përgjithshëm te COVID-19 i lë ë një situatë kritike pacientët që vuajnë nga sëmundje të tjera.
“Gjithçka është në varësi të COVID-19. Me mungesën e stafit, departamentet e tjera nuk mund të përmbushin detyrimet e tyre. COVID-19 nuk është sëmundja e vetme këtu, kështu që pacientët e tjerë vuajnë për shkak të situatës”, tha dr. Paniç për BIRN.
Paniç, i cili është gjithashtu drejtuesi i sindikatës së mjekëve, thotë se shteti tani po punëson staf të ri, por nuk mund të gjejë mjaftueshëm, pasi autoritetet për vite me radhë nuk kanë bërë asgjë për t’i mbajtur mjekët në vend.
“Një spital i Beogradit po kërkon 80 anestezistë, por ne mund të kemi dy ose tre në treg”, vuri në dukje ai.
Në Rumani, sipas shifrave të fundit, sistemi shëndetësor publik ka pak më shumë se 3,000 shtretër për pacientët në terapi intensive dhe rreth 1,000 prej të cilëve janë zënë.
Ndërsa furnizimi i përgjithshëm i Rumanisë është më i mirë krahasuar me disa vende të tjera në rajon, ndoshta për shkak të madhësisë së saj, pasja e shtretërve në dispozicion në rajon nuk do të thotë se këta shtretër nuk mungojnë në një rajon tjetër.
Mjekët kanë thënë për mediat se shtetarit në terapi intensive në disa rajone janë zënë.
Javën e kaluar, një mjek nga qarku Timis, në Rumaninë perëndimore, tha se gjashtë vetë kishin vdekur sepse nuk ishin shtruar dot në terapi intensive, pasi të gjitha shtretërit ishin plot.
Presidenti Klaus Iohannis më vonë e mohoi këtë gjë, duke ia atribuuar gjashtë vdekjet gabimeve në komunikim.
Nga ana tjetër, Turqia këmbëngul se i ka gjërat më shumë nën kontroll. Të dhënat zyrtare tregojnë se pacientët me COVID-19 zënë 54.7 për qind të shtretërve spitalorë dhe terapitë intensive operojnë me kapacitet 70.8 për qind.
Të dhënat zyrtare thonë se aktualisht ka rreth 64,000 pacientë simptomatikë në vend, pothuajse 4,000 në një gjendje kritike.
Sidoqoftë, mjekët turq, pacientët dhe të afërmit e tyre nuk kanë shumë besim te të dhënat e qeverisë.
Një mjek në një spital publik në Stamboll i tha BIRN se sistemi shëndetësor ishte shumë i mbingarkuar dhe rrezikonte të kalonte në kolaps, nëse vazhdon fluksi i rasteve me COVID-19.
“Çdo ditë kemi më shumë pacientë dhe numri i shtretërve të zënë arrin një nivel kritik. Numri i shtretërve në terapi intensive është rritur, por druhem se nuk do të mjaftojnë në të ardhmen e afërt”, tha ai.
“Situata është shumë më e keqe në Stamboll, që është edhe pika e nxehtë e pandemisë në vend. Qeveria nuk raporton shifrat reale në pandemi, përfshirë numrin e përgjithshëm të rasteve, por vetëm numrin e atyre që shfaqin simptoma”, tha mjeku, duke shtuar se ky numër nuk ilustron të gjithë situatën.
Shqipëria ka më shumë se 400 pacientë me COVID-19 në spital. Numri i rasteve atje u dyfishua gjatë 26 ditëve të fundit, por shtrime në spital kanë rënë, nga 3.4 për qind e të gjitha rasteve aktive në 2.8 për qind.
Ndërkohë, një treg paralel për pacientët me COVID-19 që vendosin të kujdesen vetë për veten e tyre në shtëpi dhe që refuzojnë shtrimin në spital, por kanë para për të paguar mjekë privatë, duket se është rritur.
E kritikuar se po bën shumë pak për të ndihmuar të sëmurët, qeveria vendosi së fundmi t’u ofrojë pacientëve me COVID-19 disa para në mënyrë që të mbulojnë disa nga kostot e ilaçeve të nevojshme për trajtimin në shtëpi.
Në Malin e Zi, me 10,207 infektime me koronavirus, numri i rasteve aktive është dyfishuar që nga 1 nëntori.
Me 1,620 raste aktive për çdo 100,000 qytetarë, Mali i Zi ka gjithashtu shkallën më të lartë të infektimit në rajon.
Mali i Zi ka hapur tre qendra rajonale COVID-19, në Podgoricë, Berane dhe Tivar, ndërsa në spitalet e tjera në vend disa pjesë u janë kushtuar pacientëve me COVID-19.
Por një infermier nga një qendër klinike i tha BIRN nën kushte anonimiteti se kolegët e tij po punojnë jashtë orarit dhe se ishin shumë të lodhur. Ai tha se kishte mjaftueshëm shtretër të lirë për pacientët me koronavirus, pasi në spital shtrohen vetëm rastet më të rënda.
“Por një pjesë e stafit tonë mjekësor është infektuar, kështu që ne duhet të punojmë jashtë orarit dhe ndonjëherë të bëjmë edhe nga dy turne”, tha ai.
“Njerëzit s’kanë më fuqi, teksa punojnë vazhdimisht nën presion”, tha infermieri. “Nëse numri i rasteve aktive vazhdon të rritet, situata do të përkeqësohet”, përfundoi ai.(birn)