Ballina Aktualitet Tetovë, reparti infektiv nuk ka më krevate të lira, kështu do të...

Tetovë, reparti infektiv nuk ka më krevate të lira, kështu do të veprohet me pacientët e rinj

Meqenëse numri i krevateve spitalore në repartin infektiv të Spitalit Klinik të Tetovës është i kufizuar, nga sot edhe zyrtarisht nuk ka më vende të lira në këtë repart për pacientët e sëmurë nga Kovid-19, me çka, në funksion do të hyjnë dy kate të repartit për sëmundje interne. Koordinatori i spitalit Gëzim Nuredini, tha se ka edhe mjek të infektuar si dhe në vetizolim, shkruan Portalb.mk.

Sipas koordinatorit të spitalit Gëzim Nuredini, më shumë personel të infektuar ka në repartet tjera të spitalit se sa në atë repart ku punohet me të prekurit, gjegjësisht në infektivin.

“Ka mjek të infektuar dhe ka pasur, por fati i mirë është se në këtë qendër ku punohet me të prekurit, shumë pak të punësuar na janë sëmurë. Por kemi bë një lloj riorganizimi dhe kemi zhvendosur disa mjekë dhe motra dhe kemi bë edhe një listë rezervë nëse rritet numri t`i dalim ballë situatës. Pacienti më i ri është 59 vjeç dhe më i moshuari është diku 74. Oksigjenin nga viti i shkuar e kemi qendror dhe kemi të lidhur çdo hapësirë dhe nuk ka asnjë lloj problemi” tha Gëzim Nuredini nga Spitali Klinik i Tetovës.

Nuredini bëri thirrje që të gjithë qytetarët të i bashkohen kësaj lufte me virusin korona duke reaguar vetë në çdo rast kur do të hasin në mosrespektim të masave përkatëse, ai tha se këtë e bën vetë në shitore dhe vende tjera.

“Kur shkoj para bankave unë reagoj vetë, mos prisni të ju vjen policia apo sigurimi të ju largoj. Nëpër banka nuk është punë e policit apo menaxhmentit të bankës, unë kur shkoj atje vetë reagoj, maskën përse nuk e ke vendosur. Qytetarë bëhuni të përgjegjshëm, menjëherë thuajani tjetrit” shtoi Gëzim Nuredini.

Ndërkaq një javë më herët kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, tha se ka rritje të të infektuarve me Kovid-19 në Spitalin Klinik të Tetovës mirëpo situata është e kontrollueshme, pasi sipas saj, çdo pacient që kërkon ndihmë i ofrohet ajo.

“Në takimin e sotëm përveç shifrave zyrtare, ishte e rëndësishme për ne të kemi një informacion më të saktë për kapacitetet dhe punën e cila bëhet në spitalin e Tetovës, u informuam që kemi rritje të pacientëve të cilët tanimë kërkojnë ndihmë mjekësore, tani për tani të gjithë pacientët që kanë kërkuar ndihmë mjekësore janë trajtuar dhe vazhdojnë të trajtohen. Na u referua që i gjithë sistemi është në funksionim e sipër dhe i gjithë stafi është maksimalisht i angazhuar për të dhënë ndihmën mjekësore sipas protokolleve ekzistuese” tha Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës.

Ndryshe, vetëm për një javë në Tetovë janë sankisionuar gjithsej 428 persona për mosmbajtje të maskës mbrojtëse ndërkaq nga Inspektorati Shëndetësorë janë lëshuar 800 vendime të reja për izolim.