Nga Al Gore “The New York Times”
Kjo fundjava shkoi shënoi dy përvjetorë. I pari është personale. Njëzet vjet më parë, unë përfundova fushatën time presidenciale, pasi Gjykata e Lartë vendosi papritur mbi fatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2000.
Si zëvendëspresident në detyrë, detyra ime ishte drejtimin i numërimit të votave të Kolegjit Zgjedhor në Kongres, për të zgjedhur president kundërshtarin tim. Ky proces do të ndodhë sërish të hënën ndërsa zgjedhësit e Kolegjit do të ratifikojnë zgjedhjen e amerikanëve për Joe Biden si presidentin e ardhshëm, duke i dhënë fund një fushate të gjatë dhe të rrallë, dhe duke rikonfirmuar vazhdimësinë e demokracisë sonë.
Përvjetori i dytë është universal dhe shpresëdhënës. Kjo fundjavë shënon edhe përvjetorin e pestë të miratimit të Marrëveshjes së Parisit. Një nga urdhrat e parë të biznesit të Presidentit Trump gati 4 vjet më parë ishte tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja, e nënshkruar nga 194 vende të tjera të botës, për të zvogëluar emetimet e gazeve serë në atmosferë që e kërcënojnë planetin tonë.
Me Trumpin që po bëhet gati të dorëzojë pushtetin, presidenti i zgjedhur Biden ka në plan t’i ribashkohet marrëveshjes që në Ditën e tij të Inaugurimit, më 20 Janar 2021. Tani me Biden në Shtëpinë e Bardhë, Shtetet e Bashkuara kanë shansin të rimarrin pozicionin udhëheqës të Amerikës në botë pas 4 vitesh në “sediljen e pasme”.
Sfidat e presidentit të ri do të jenë shumë të mëdha. Më emergjentja, ai e merr detyrën në mesin e kaosit si pasojë e dështimit të madh të presidentit në ikje për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive pandemisë së koronavirusit dhe shkatërrimit ekonomik që ka shkaktuar ai. Dhe ndonëse është pandemia ajo që merr vëmendjen kryesore për momentin, ajo është vetëm më urgjentja nga krizat e shumta me të cilat përballen vendi dhe planeti, përfshirë 40 vite stanjacion ekonomik për familjet me të ardhura të mesme; një pabarazi e madhe e të ardhurave dhe pasurisë, nivele të larta të varfërisë; racizëm i tmerrshëm strukturor; një polaritet politik toksik; skadimin e afërt të marrëveshjeve të kontrollit të armëve bërthamore; një krizë epistemologjike që e minon autoritetin e dijes dhe shkencës; një sjellje e paparimtë nga kompanitë e mediave sociale; dhe më e rrezikshmja nga të gjitha, kriza e klimës.
Para nesh kemi shansin të ndërtojmë një mënyrë jetese më të drejtë për të gjithë njerëzimin. Ky fillim i ri i mundshëm, vjen në një moment të rrallë, kur mund të jetë e mundur shkëputja nga gabimet e të kaluarës, dhe kur trajektorja e historisë mund të ndryshohet nga ajo që ne zgjedhim të bëjmë përmes një vizion të ri.
Me rritjen aktuale të numrit të vdekjeve nga koronavirusit, beteja kundër pandemisë duket si shumë e vështirë, por ajo do të fitohet. Por ne do të jemi ende në mesin e një beteje edhe më të rrezikshme për jetën – mbrojtjen e ekuilibrin e klimës së Tokës – me pasoja të matura jo vetëm në muaj dhe vite, por në shekuj dhe mijëvjeçarë.
Kjo do të kërkojë nga ne të rivendosim një raport të drejtë me natyrën, për hir të jo vetëm të mbijetesës së civilizimit, por edhe të ruajtjes së rrjetës së pasur të biodiversitetit nga e cila varet jeta e njeriut. Perspektiva e frikshme e përballjes me sukses me sfida kaq të mëdha,
ka bërë pesimistë shumë.
Megjithatë, këto probleme, sado të thella, janë që të gjitha të zgjidhshme. Shihni pandeminë e Covid-19. Pavarësisht nga dështimet e politikave qeveritare dhe tragjeditë njerëzore, tani kemi një lajm të shkëlqyer:Shkencëtarët kanë shfrytëzuar përparimet e jashtëzakonshme në bio-teknologji për të prodhuar në kohë rekord disa vaksina.
Ngjashëm, teksa kriza e klimës po përkeqësohet me shpejtësi, shkencëtarët, inxhinierët dhe drejtuesit e biznesit po përdorin përparime mbresëlënëse në teknologji për t’i dhënë fund shumë më shpejt sesa pritej si e mundur, varësisë së botës nga lëndët djegëse fosile.
Biden do ta marrë detyrën në një kohë kur njerëzimi përballet me zgjedhjen e jetës mbi vdekjen. Dy vjet më parë, Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimin e Klimës paralajmëroi për pasojat e rënda – përmbytjen e zonave bregdetare, dhe përkeqësimin e thatësirës, midis shumë katastrofave të tjera – nëse emetimet e gazeve serë nuk ulen me 45 për qind nga nivelet e viteve 2010 deri në vitin 2030 dhe 100 për qind deri në vitin 2050.
Ngadalësimi i ngrohjes së shpejtë të planetit, do të kërkojë një përpjekje të unifikuar globale. Biden mund ta drejtojë këtë mision duke e forcuar angazhimin e SHBA-së për të ulur emetimet sipas Marrëveshjes së Parisit, diçka që vendi është gati të bëjë falë punës së qyteteve, shteteve, bizneseve dhe investitorëve, të cilët kanë vazhduar të eci9n përpara pavarësisht rezistencës nga administrata Trump.
Një shembull është energjia diellore. Kostoja e paneleve diellore është ulur me 89 për qind në dekadën e fundit, ndërsa ajo e turbinave me erë 59 për qind. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë parashikon që 90 për qind e të gjithë burimeve të reja të energjisë elektrike në të gjithë botën në vitin 2020 do të jetë nga energjia e pastër.
Ndërsa kostot e energjisë së rinovueshme vazhdojnë që të bien, shumë kompani po përshpejtojnë braktisjen e e impianteve ekzistuese të karburanteve fosile, shumë përpara skadencës së tyre të parashikuar, duke i zëvendësuar ato me panele diellore dhe turbina
ere apo bateri.
Në një studim i kësaj vere nga Instituti “Rocky Mountain” dhe Klubi Sierra, raportoi se energjia e pastër tani është 79 për qind më e lirë se ajo e impianteve të qymyrit në SHBA. Analiza të tjera tregojnë se energjia e pastër e kombinuar me bateritë, është tashmë më e lirë se shumica e impianteve të reja të gazit natyror.
Siç e tha 20 vjet më parë një ish-ministër i Naftës në Arabinë Saudite:”Epoka e Gurit mori fund, jo pasi kishim mungesë gurësh. Dhe Epoka e Naftës do të mbarojë jo për shkak të mungesës së saj”. Shumë investitorë globalë, kanë arritur në të njëjtin përfundim, duke filluar ta zhvendosin kapitalin e tyre nga bizneset që e shkatërrojnë klimës në zgjidhje të qëndrueshme.
Vetëm gjatë 3 muajve fundit, disa nga udhëheqësit politikë më të rëndësishëm në botë kanë prezantuar nisma të rëndësishme. Falë udhëheqjes së Ursula von der Leyen, Presidentes së Komisionit Evropian, BE sapo njoftoi se do të zvogëlojë me 55 për qind në 9 vitet e ardhshme emetimet e gazeve serë.
Presidenti Xi Jinping është zotuar se Kina do të arrijë zero emetime të karbonit në vitin 2060. Udhëheqësit në Japoni dhe Korenë e Jugut thanë disa javë më parë se vendet e tyre do të arrijnë të njëjtën gjë në vitin 2050. Danimarka, prodhuesi më i madh i gazit dhe naftës në BE, ka njoftuar një ndalim të kërkimit të mëtejshëm për lëndët djegëse fosile.
Me votimin e të hënës së anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor pro Biden, dhe më pas me përurimin e tij ne detyrë, ne do të nisim rivendosjen e Amerikës si vendi i mirë-pozicionuar për të udhëhequr luftën e botës kundër ndryshimeve të rrezikshme të klimës. Për ta bërë këtë, ne duhet të adresojmë drejtpërdrejti të metat tona.
Kjo dhe vetëm kjo, mund t’i pozicionojë Shtetet e Bashkuara në vendin e duhur për të rifituar respektin e kombeve të tjerë, dhe për të rivendosur besimin e tyre tek Amerika si një partnere e besueshëm në sfidat e mëdha me të cilat përballet njerëzimi. Ashtu si në pandemi, dija dhe shkenca do të jetë shpëtimi ynë. Por që të kemi sukses, ne duhet të mësojmë të punojmë së bashku, në mënyrë që të mos vdesim së bashku.
Shënim:Al Gore ka qenë zëvendëspresidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara. Ai ka fituar Çmimin Nobel për Paqe vitin 2007, bashkë me Panelin Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, për punën e tij mbi ngadalësimin e ngrohjes globale./ Perktheu Alket Goce-abc