Shteti jugor i Xhorxhias do të luajë një rol kryesor në politikën kombëtare amerikane kur votuesit të drejtohen në qendrat e votimit në janar për të vendosur dy gara balotazhi të Senatit.
Zgjedhjet pritet të përcaktojnë balancën e pushtetit në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për dy vitet e ardhshme.
Presidenti i zgjedhur Joe Biden ishte përsëri në fushatë:
“Kemi shumë punë për të bërë dhe planifikoj t’i hyj punës menjëherë. Më duhen dy senatorë nga ky shtet që duan të realizojnë diçka”, tha zoti Biden në mbështetje të kandidatëve demokratë për në Senat, pastorin Raphael Warnock dhe zotin Jon Ossoff.
Ata do të duhet të mposhtin senatorët republikanë David Perdue dhe Kelly Loeffler në mënyrë që demokratët të mund të fitojnë kontrollin e Senatit, nëpërmjet votës përfundimtare të Nënpresidentes së zgjedhur Kamala Harris. Nëse ata humbin, republikanët do të mbajnë shumicën dhe zoti Biden do të ketë shumë më pak pushtet politik në Kongres.
“Fakti është që në të dyja dhomat e Kongresit, diferencat janë historikisht të ngushta, kështu që ata nuk duhet të humbasin asnjë votë, nga asnjë grup parlamentar për të miratuar legjislacionin. Do të jetë një betejë e vështirë”, thotë Kejsi Burgat, nga Universiteti George Washington.
Për shkak se zgjedhjet e nëntorit nuk arritën të japin fitues të plotë në Xhorxhia, këto gara balotazhi kanë vëmendjen e të gjithë vendit.
“Xhorxhia do të përcaktojë rrjedhën e presidencës Biden”, thotë ish-presidenti Barack Obama.
Por, të dyja palët kanë investuar shumë.
“Unë mendoj se Zoti na ka vendosur në këtë pozitë tani për t’u ngritur dhe për t’i treguar botës se çfarë do të jetë Amerika për pesëdhjetë deri në njëqind vitet e ardhshme”, tha senatori republikan David Perdue.
Kandidatët republikanë premtojnë se do të shërbejnë si brezi mbrojtës kundër një Shtëpie të Bardhë demokrate dhe Dhomës së Përfaqësuesve.
“E di që do të rezistojmë sepse askush nuk dëshiron axhendën radikale të së majtës”, tha senatorja republikane Kelly Loeffler.
Presidenti Trump bëri fushatë për senatorët Perdue dhe Loeffler, ndërsa pretendoi në mënyrë të gabuar se e mundi Joe Biden-in në Xhorxhia.
“Është e manipuluar”, deklaroi Presidenti Trump.
Këto pretendime për manipulim mund të dekurajojnë mbështetësit e presidentit që të dalin për të votuar.
“Nëse mbështetësit e Trump-it ulen në shtëpi dhe thonë ‘Gjithçka është e manipuluar, nuk ia vlen të marrësh pjesë në proces, // ne më mirë të lutemi sesa të votojmë sepse ky është një mashtrim’, kjo dëmton shanset e republikanëve”, thotë Capri Cafaro, nga Universiteti Amerikan.
Një rinumërim me dorë e çertifikoi zotin Biden fitues në Xhorxhia me më pak se 12’000 vota – një diferencë e afërt që tregon se shteti historikisht republikan nuk do të jetë i lehtë për t’u zhvendosur.
“Në mënyrë që demokratët të jenë të suksesshëm në janar, ju duhet të keni republikanë centristë ose të moderuar që lëvizin përgjatë spektrit politik”, thotë zonja Cafaro.
Votimi i parakohshëm tashmë është duke u zhvilluar – përpara ditës së zgjedhjeve më 5 janar 2021.(VOA)