Mjeku i njohur Drini Dobi ndërroi jetë më datë 9 dhjetor në një spital në Itali, pasi u dërgua për mjekim në vendin fqinj, ndërsa i shfaqi simptoma të rënda të COVID 19.
I ndjeri Dobi, vetëm 51 vjeç u infektua më 22 nëntor.
Ditën e djeshme, 9 ditë pas vdekjes, është pritur trupi i tij i pajetë në Rinas dhe sot Drini është përcjellë për në banesën e fundit.
Është një nga humbjet prej virusit që ka prekur shumë njerëz, pasi Dobi njihej si mik i të gjithëve, humanizmi dhe ndihma për të tjerët ishin një pjesë e karakterit të tij që ka mbetur në kujtesën e atyre që e njohën.
Kolegu i tij Arben Gjata, që sot ka qenë një nga ata që kanë përcjellë Drinin në banesëne fundit, shkruan në rrjete sociale:
“Rruge te mbare Drin!
Mik i mirë i kohëve të vështira, do të nisesh sot. Do të udhëtosh drejt një toke të panjohur. Drejt të panjohurës që do ta prekim të gjithë një ditë. E unë do të shoqëroj deri në aeroportin e fundit, atje ku do të kalosh kufirin e jetës.
Te pelqente shume te fluturoje mik, por sot nisesh në fluturimin e fundit drejt engjejve! Engjej te bardhe, engjej mantel-bardhe! Pse kaq shpejt Drin? Kishe ende shume per te bere! Porta e shpirtit tend te pa fund ka qene edhe me e gjere se dera e madhe e Dobateve!
Nisemi Drin! Drin, si dikur, kur veç njëri prej nesh kish makinë dhe shoqëronim njëri- tjetrin. Si dikur Drin, kur uleshim mbrëmjeve e flisnim gjatë. Eja Drin, futi valixhet në bagazh. A ke harruar gjë?! A nisemi ?! Pse e ke me dy mendje Drin?! Çfarë ke harruar?! Kthehu, merr atë që ke harruar dhe eja..
Të shoh Drin. Ke harruar përqafimin e fundit. Të shoh teksa e merr nga Ersi, Florida dhe Flora. I shtrenjti yt David të vështron gjatë. Dhe ti ngulesh përballë tij dhe harron se je për rrugë Drin.
Eja Drin! Erdhi koha për t’u nisur. Sa shumë gjëra kam për të thënë Drin dhe sa pak kohë ka mbetur deri në aeroport.
A e mban mend sa e gjatë ishte dita jote Drin? Ajo fillonte herët në mëngjes dhe përfundonte vonë në mbrëmje. Kishte vend për të gjithë në kohën tënde. Nuk ekzistonin të panjohurit për ty. I kishe të gjithë të njohur.
A e mban mend Drin?! Ishte vonë atë mbrëmje, megjithatë për ty nuk ishte kurrë vonë. Ti kishe gjithmonë orën e miqësisë. Akrepat e orës sate tregonin përherë kohën për të thënë “po”. Ishte prag mesnate. Erdhe për të vizituar një pacient. Pasi mbarove, nxorre një shishe verë te kuqe dhe pimë të dy nga një gotë. Dhe folëm gjatë bashkë, siç flasin dy “telendare’, miq të mirë, që kanë kohë pa u parë, por që e vazhdojnë bisedën sikur të ishin takuar një ditë më parë.
Drin, po i jap ngadalë makinës. Dua që kjo rrugë të zgjasë gjatë”.