Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, ka dërguar një urim me rastin e ndërrimit të moteve dhe këtë e ka bërë me një video të publikuar në rrjetin social.
“Viti 2020 ishte vit i sfidave, ishte vit në të cilin mbarë globi u balafaqua me pandeminë Kovid-19. Ishte një vit ku ne kaluam në një jetë të kufizuar, në një jetë me distancim social, në një jetë ku secili nga ne u detyrua të mbajë maskë. Ishte një vit, ku në aspektin shëndetësor dhe atë ekonomik, ne paguam çmimin e kësaj pandemie. Prandaj uroj që viti 2021 të jetë një vit i rikthimit në jetën normale, të jetë një vit ku do të bëjmë bilancin e asaj që përjetuam në vitin 2020, të jetë një bilanc me sa më pak humbje në jetët e të dashurve tanë, me sa më pak humbje në ekonomitë tona familjare”, thotë mes të tjerash Kasami në urimin e tij me rastin e ndërrimit të moteve, transmeton Tetova News.
Urimin e plotë mund ta ndiqni në videon në vazhdim:
Gjithashtu kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami në një intervistë në prag të ndërrimit të moteve për “Klan Maqedoni”, ka folur për vitin 2020, për të arriturat e Lëvizjes Besa në këtë vit si dhe pjesmarrjen e saj në Qeveri.
Bilall Kasami ka deklaruar se ky vit ka qenë një vit sfidues, duke e ditur edhe përballjen me pandeminë Covid 19 dhe një vit i rëndë, duke shpresuar në ditë më të mira.
“Lëvizja Besa në 2020 bëri një hap të rëndësishëm me atë që përherë të parë bëri një koalicion parazgjedhor me një parti maqedone dhe doli fitues i zgjedhjeve si koalicion dhe ne sot kemi një qeveri që vazhdon të punojë për anëtarësim të vendit në BE”, deklaroi Kasami.
Gjithashtu Kasami ka përmendur se pjesëmarrja e Besës në qeveri në këtë krizë pandemie ka luajtur një rol të rëndësishëm, ku siç tha Kasami, në dikasterët që ata kanë udhëhequr, kanë dhënë kontributin e tyre.
Kreu i Besës ka folur edhe për vaksinën anti-Covid, ku ka nënvizuar se ajo pritet të arrijë në RMV në ditët e para të vitit të ri, pra diku në mes të janarit të fillojë vaksnimi i popullatës.