Gjatë mandatit të tij Presidenti Donald Trump arriti të sigurojë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve diplomatike mes Izraelit dhe vendeve arabe. Por ai po largohet nga detyra në mesin e tensioneve të reja me Iranin, pas vrasjes së ekspertit kryesor për armët bërthamore të këtij vendi. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara i hedh një vështrim trashëgimisë së Presidentit Trump për Lindjen e Mesme si dhe sfidave diplomatike për administratën e ardhshme të Presidentit të zgjedhur Joe Biden.
Të ashtuquajturat marrëveshjet e Abrahamit për normalizimin e marrëdhënieve të Izraelit me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin, të cilat u nënshkruan në shtator, shihen gjerësisht si arritja më e rëndësishme e politikës së jashtme të Presidentit Donald Trump.
“Pas dekadash ndarjeje e konflikti, ne shënojmë agimin e një Lindjeje të Mesme të re“, ka thënë Presidenti Donald Trump.
Marrëveshjet ndryshuan perceptimin që egzistonte prej dekadash të tëra në rajon, se paqja arabo-izraelite nuk mund të arrihej pa zgjidhur më parë çështjen e njohjes së një shteti palestinez. Ato pasqyrojnë gjithashtu përmirësimin e marrëdhënieve të Izraelit me fqinjët e tij arabë, ndërsa përballen me Iranin, një armik i përbashkët, i dobësuar nga presioni maksimal i Presidentit Trump përmes sanksioneve.
Presidenti i zgjedhur Joe Biden ka thënë se ai mbështet njohjen e Izraelit nga më shumë vende arabe, me një paralajmërim për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhen palestinezët.
“Gjithashtu besoj se Izraeli duhet të jetë i përgatitur të punojë drejt një zgjidhje të mirëfilltë me dy shtete“, ka thënë Presidenti i Zgjedhur Joe Biden.
Zoti Biden ka premtuar të kthehet tek marrëveshja e vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive të mëdha, nga e cila administrata Trump u largua më 2018. Marrëveshja pezullon programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Planet e zotit Biden mund të jenë ndërlikuar nga vrasja së fundmi e shkencëtarit kryesor të Iranit për teknologjinë bërthamore. Shtëpia e Bardhë nuk e ka dënuar sulmin, për të cilin Teherani ka fajësuar Izraelin.
“Besoj se regjimi iranian do të përmbahet, ashtu sikurse bëri pas vrasjes së Qassem Soleimanit dhe do të presë që administrata e Bidenit të marrë detyrën e të shohë nëse mund të arrijë një lloj marrëveshjeje me të, megjithëse ky do të të jetë një proces shumë i vështirë në vetvete. Është fakt se Irani nuk mund të përballojë një konflikt ushtarak me SHBA-në, ose Izraelin, në fakt me askënd tjetër”, thotë Alex Vatanka e Institutit për Lindjen e Mesme.
Ndërsa zoti Trump preferon marrëdhëniet bilaterale shpesh të bazuara në lidhje personale me udhëheqësit e huaj, zoti Biden pritet të ndjekë një qasje shumëpalëshe në angazhimin e tij me aleatët. Megjithatë analistët nuk presin një ndryshim thelbësor të politikës amerikane në rajon.
“Por sigurisht do të ketë një tjetër ton dhe një lloj tjetër angazhimi. Mendoj se njerëzit, veçanërisht ata që janë aktivë në fushën e të drejtave të njeriut e demokracisë në rajon, mezi presin që këto dy çështje të bëhen të rëndësishme edhe një herë për Shtetet e Bashkuara, jo për inkurajim në mënyrë agresive, por të paktën për t’i mbështetur”, thotë Merissa Khurma e Qendrës Wilson.
Ashtu sikurse zoti Trump, zoti Biden ka premtuar t’i japë fund “luftrave pafund” në Lindjen e Mesme dhe Afganistan, duke u përqëndruar vetëm tek al-Kaida dhe grupet terroriste të Shtetit Islamik. Ai pritet t’i japë fund gjithashtu mbështetjes për luftën e udhëhequr nga sauditët, në Jemen. Analistët kanë paralajmëruar rreth pasojave që mund të ketë një prani e zvogëluar ushtarake në rajon.
“Kjo mund të sjellë një ndikim të zvogëluar në Lindjen e Mesme dhe ringjalljen e ISIS-it. Mund të bëjë që armiqtë tanë të kenë sërish rol në Lindjen e Mesme kështu që ka shumë gjëra të cilat presidenti i zgjedhur duhet t’i trajtojë vitin e ardhshëm”, thotë Natasha Hall e Qendrës për Studime Strategjike e Ndërkombëtare me bazë në Uashington (CSIS).
Në muajt e tij të parë, zoti Biden ka të ngjarë të përqendrohet tek përgjigjja ndaj pandemisë përfshirë shpërndarjen e vaksinave duke ia deleguar pjesën më të madhe të politikës së jashtme sekretarit të Shtetit. Anthony Blinken, njeriu që ai ka zgjedhur për këtë detyrë, ka punuar me zotin Biden për rreth 20 vjet, përfshirë dhe mbi çështje që lidhen me Lindjen e Mesme, me rezultate të ndryshme në Egjipt, Irak, Siri dhe Libi.