Ballina Bota Si pandemia po e “sëmur” demokracinë në Ballkanin Perëndimor

Si pandemia po e “sëmur” demokracinë në Ballkanin Perëndimor

Nga Beáta Huszka&Tania Lessenska, European Council on Foreign Relations

Gjatë gjithë periudhës së pandemisë, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë pasur disa nga nivelet më të larta në Evropë me rastet e reja me Covid-19 për frymë. Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, janë tani midis 15 shteteve më të prekura në kontinent.

Edhe Kosova dhe Bosnja e kanë shumë të vështirë t`a frenojnë përhapjen e virusit.

Të gjitha vendet e rajonit vendosën kufizime të rrepta në jetën publike, që përfshijnë shtetrrethimin, bllokimet e lagjeve dhe qyteteve të tëra, mbylljen e bizneseve dhe shkollave, dhe ndalimet e tubimeve publike.

Qeveritë e Ballkanit Perëndimor i zbatuan këto kufizime në mes të marsit, i hoqën shumicën e tyre në qershor, dhe i rivendosën disa prej tyre në korrik, kur numri i rasteve filloi të rritej sërish. Sidoqoftë, përkundër këtyre ngjashmërive, kishte dallime të konsiderueshme midis këtyre qeverive, sidomos në vullnetin e tyre për të reduktuar liritë e qytetarëve, për të minuar kontrollet dhe ekuilibrat, dhe dobësuar institucionet e pavarura.

Serbia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria dhe Kosova, përjetuan që të gjitha protesta kundër autoriteteve qeveritare rreth kufizimeve apo trajtimit prej tyre të emergjencës shëndetësore. Pavarësisht gjithë sfidave që paraqet kriza e Covid-19, ajo nuk duket se ka sjellë një epokë të re politike në Ballkanin Perëndimor.

Përkundrazi, ka nxjerr më në pah dobësitë ekzistuese të këtyre vendeve në lidhje me sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike. Gjithashtu kriza i ka forcuar qeveritë, ka dobësuar funksionet legjislative dhe mbikëqyrëse të parlamenteve, ka kufizuar lirinë e medias, dhe ka çuar në një rritje të shkeljeve të mbrojtjes së të dhënave personale.

Për shkak të presionit ekonomik të krijuar nga kriza, mund të ketë trazira të mëtejshme politike dhe shoqërore. Banka Botërore pret që aktiviteti ekonomik në Ballkanin Perëndimor të tkurret këtë vit me 4.8 për qind. Kostot sociale të kësaj rënie, janë përforcuar nga ndikimi në punësim, dërgesat e emigrantëve dhe turizëm në disa ekonomi në rajon.

Prandaj, premtimi i BE-së për t’i akorduar 3.3 miliardë euro ndihmë financiare rajonit,për të adresuar nevojat e menjëhershme humanitare gjatë pandemisë, si dhe për të ndihmuar në rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike, do të jetë thelbësor për t’i balancuar këto efekte negative ekonomike dhe sociale.

Shqipëria ishte vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që vuri në zbatim një bllokim të ashpër, që përfshiu përdorimin e ushtrisë dhe policisë. Madje qeveria shqiptare ndryshoi Kodin e saj Penal për të siguruar një bazë ligjore për ndëshkimin e shkeljeve të karantinës me dënime me burg deri në 15 vjet.

Edhe Mali i Zi vendosi një bllokim të kontrolluar nga policia, duke përdorur kërcënimin e ndëshkimeve ekonomike dhe burgosjes. Në fillim të majit, policia malazeze kishte ngritur akuza kundër 1.531 personave, teksa kishte arrestuar 753 prej tyre.

Maqedonia e Veriut zbatoi masa të ngjashme, përfshirë një shtetrrethim gjatë festave myslimane dhe të krishtera, mbylljen e kufijve dhe pezullimin e mësimit në shkolla. Shumica e këtyre kufizimeve mbi lirinë e lëvizjes dhe mbledhjes ishin të përkohshme, të kufizuara në kohën kur shkalla e infeksionit po ngrihej shpejt.

Por, siç tregoi vendimi i Gjykatës Kushtetuese në Bosnje, qeveritë i zbatuan ndonjëherë këto masa në mënyra autoritare dhe antikushtetuese, duke e shkatërruar qeverisjen demokratike dhe shtetin e së drejtës. Kjo prirje ka qenë veçanërisht shqetësuese në vendet ku institucionet e pavarura janë shumë të dobëta për t’i bërë ballë autoriteteve ekzekutive.

Edhe liria e medias, që ka pasur vazhdimisht probleme në Ballkanin Perëndimor prej një dekade, po përjeton një rënie veçanërisht të madhe gjatë pandemisë. Kjo është për shkak të masave emergjente të ndërmarra nga qeveritë për të parandaluar panikun e shkaktuar nga përhapja e informacionit të rremë.

Megjithëse kufizime të tilla duken të justifikuara, duke pasur parasysh nevojën për të mbështetur rendin dhe ligjin, disa qeveri i kanë përdorur ato për t’u mbyllur gojën zërave kritikë dhe për të kufizuar më tej lirinë e shprehjes dhe lirinë e informacionit.

Kështu, Serbia po shndërrohet në një model rajonal, për mënyrën se si autoritetet në pushtet mund të zbatojnë masat kufizuese,si pjesë e një procesi gradual për të vënën nën kontroll të plotë shoqërinë dhe shtetin. Atje, partia në pushtet e ka përdorur dominimin që ka ndaj medias, për të kontrolluar shpërndarjen e lajmeve në lidhje me Covid-19.

Ndërsa qeveritë i kanë forcuar kompetencat e tyre në çdo vend të Ballkanit Perëndimor, përkeqësimi i mbikëqyrjes demokratike nga parlamentet dhe institucionet e pavarura ka qenë më i dukshëm në disa shtete sesa në të tjerat. Mënjanimi i parlamentit ka qenë më i dukshëm në Serbi.

Presidenti Aleksandar Vuçiç e shpalli gjendjen e jashtëzakonshme pavarësisht nga fakti se sipas kushtetutës serbe, kjo përgjegjësi u takon 250 anëtarëve të parlamentit. Në Bosnjë Hercegovinëdhe Shqipëri, aktiviteti parlamentar ka vazhduar. Por për shkak të dominimit të koalicionit qeverisës, ai përbëhet kryesisht nga vendime qeveritare që presin vetëm miratimin.

Në Shqipëri, bojkoti i parlamentit nga opozita dhe mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese, i kanë dhënë qeverisë një pushtet të tepruar. Në thelb, shumica parlamentare e qeverisë shqiptare përballet me pak ose aspak pengesa në miratimin e çfarëdolloj ligji.

Përjashtim bëjnë Mali i Zi dhe Kosova, parlamentet e të cilëve kanë qenë aktivë, dhe ku partitë kanë pasur një rol të madh në një gamë të gjerë politikash. Por këto janë dy vendet ku qeveritë u rrëzuan gjatë krizës, përkatësisht përmes zgjedhjeve demokratike dhe votës së mosbesimit.

Megjithëse BE është e gatshme të nisë negociatat me Shqipërinë, vendi duhet të përmbushë disa kritere në lidhje me procedurat zgjedhore dhe gjyqësorin. Dhe procesi i vetingut në gjyqësor e ka bërë të vështirë funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, të Lartë dhe atyre të Apelit. Për më tepër, çdo përpjekje për përmbushjen e parakushteve, monitorohet nga afër nga vendet anëtare skeptike sikurse është Holanda.

Pakënaqësia e brendshme është rritur gjatë mandatit të Edi Ramës. Pavarësisht nga miratimi fillestar i masave kundër Covid-19, shqiptarët e kanë kritikuar ashpër menaxhimin në tërësi të pandemisë.

Por opozita zgjodhi të largohej nga parlamenti në vitin 2019, duke ndihmuar në krijimin e një perceptimi se institucionet e Shqipërisë janë jofunksionale. Mbetet të shihet nëse pas zgjedhjeve të 25 prillit, të dyja palët do të gjejnë gjuhën e përbashkët mbi çështjet e ngutshme, të paraqitura nga parakushtet e pranimit në Bashkimit Evropian. /Përktheu: Alket Goce-abc