Një variant i tretë me mutacion i koronavirusit Covid-19 duket se është shfaqur në Nigeri, vendin me popullsinë më të madhe të Afrikës, njoftuan autoritetet e atjeshme.
Zbulimi vjen pak pasi dy variante të tjera më të fuqishme të koronavirusit u raportuan nga Britania dhe Afrika e Jugut.
John Nkengasong, kreu i Qendres së Kontrollit e Parandalimit të Sëmundejve në Afrikë, njoftoi sot prezencën e variantit të ri P681H, për të cilin tha se është ndryshe nga ato të zbuluara së fundmi në Britani dhe Afrikën e Jugut.
Varianti mutant 501.V2 fajësohet për rritjen e rasteve të infektimit gjatë valës së dytë në Afrikën e Jugut, me rreth 9000 raste të reja të regjistruara.
Disa ekspertë thanë se nuk besojnë se varianti i ri në Nigeri është më infektues të mëparshmit, por Dr Nkengasong tha se kjo ende nuk dihet.
“Duhet të na jepni pak kohë … është ende shumë herët,” tha ai.
Alarmi për variantin e ri erdhi pas zbulimit të mutacioneve në sekuencimin gjenetik të viruseve, tha Nkengasong, që vinin nga dy pacientë të testuar respektivisht në 3 gusht dhe 9 tetor në shtetin Osun të Nigerisë.
“Ndryshe nga varianti i parë në Britani, ne nuk kemi raportuar një rritje të rasteve dhe nuk kemi prova për të thënë se varianti P681H po kontribuon për shtimin e përhapjes së virusit në Nigeri,” thuhej në dokument.
Nkengasong shtoi se varianti i ri afrikano-jugor është i pranishëm vetëm atje.
Ekspertët kanë thënë se lindja e mutacioneve të virusit është diçka normale gjatë ecurisë së një pandemie.
Mbrëmë ministri i shëndetësisë i Afrikës së Jugut dha alarmin për përhapjen me më shumë 14,000 raste të reja ditore infektimesh, duke përfshirë dhe rreth 400 vdekje.
Kontinenti afrikan ka tashmë 2.5 milionë raste të konfirmuara me Covid-19, ose ndryshe 3.3 përqind të rasteve globale.
Nigeri ka një popullatë rreth 200 milionë dhe më shumë se 80,000 raste të konfirmuara koronavirusi.