I kufizuar një kohë në qarqet shkencore, debati nëse një president mund të falë veten, u rindez pas s u l m i t të dh u n sh ë m në Kapitol javën e kaluar nga mbështetësit e presidentit Donald Trump.
Trazirat çuan në ngritjen e akuzave për shkarkim të presidentit Trump këtë javë dhe nxitën thirrjet e demokratëve për një hetim federal mbi rolin e tij në nxitjen e dh u n ë s.
Kjo nga ana tjetër ka ripërtërirë pikëpyetjet nëse presidenti Trump mund të përdorë fuqinë e faljes presidenciale për veten për të shmangur ndjekjen penale në të ardhmen.
Këtë çështje presidenti Trump e ka mbështetur në të kaluarën. Në vitin 2018, duke u përballur me një hetim për lidhjet e fushatës së tij të vitit 2016 me Rusinë, ai tha se kishte “të drejtë absolute” të falte veten.
Por sado e tepruar që të duket, një “vet-falje” mund të mos jetë domosdoshmërisht në interesin më të mirë të presidentit Trump dhe këshilltarët thuhet se janë përpjekur ta bindin që të heqë dorë nga një ide e tillë.
Falja e vetvetes mund të shihet si një pranim i fajit, kanë thënë ata. Për më tepër, një veprim i tillë, thonë ekspertët ligjorë, mund të kthehet në një efekt të kundërt duke nxitur Departamentin e Drejtësisë nën presidencën e ardhshme të zotit Joe Biden të sfidojë faljen dhe të ngrejë akuza kundër zotit Trump.
A mund ta falë veten presidenti?
Vetë Kushtetuta amerikane është e heshtur për këtë çështje. Artikulli i II-të i aktit themelues i jep presidentit fuqinë për të “dhënë falje për vepra penale kundër Shteteve të Bashkuara, me përjashtim të rasteve të shkarkimit”. Ky tekst lë hapësirë për interpretim.
“Asnjë president nuk ka provuar ndonjëherë vet-falje, kështu që ne nuk kemi ndonjë precedent”, tha Jeffrey Crouch, një profesor i drejtësisë në Universitetin Amerikan dhe autor i një libri mbi fuqinë e faljes presidenciale.”Presidenti (Richard) Nixon mendoi ta bënte atë, por në fund hoqi dorë”.
Ata që besojnë se një president mund të falë veten, argumentojnë se kjo nuk bie ndesh me Kushtetutën. Udhëheqësi amerikan, thonë ata, ka fuqinë të falë krimet federale dhe nëse ai vetë kryen një krim federal, atëherë ai duhet të jetë në gjendje të falë veten për një vepër të tillë.
Por ata që kanë pikëpamje të kundërt- dhe ata janë shumicë – pretendojnë se vetë akti i “dhënies së faljes” nënkupton një veprim dypalësh që përfshinë dy persona.
“Përdorimi i fjalës falje, normalisht nënkupton që një person po falë një tjetër. Kjo është mënyra se si është kuptuar historikisht,” tha Steve Mulroy, një profesor i drejtësisë në Universitetin e Memfisit.
Për më tepër, tha zoti Mulroy, vet-falja është në kundërshtim me një parim të vjetër ligjor amerikan, të rrënjosur në ligjin anglez, që një njeri nuk mund të jetë gj y k a t ë s në çështjen e vet.
“Pra, për atë arsye, ndonëse fuqia e faljes është shumë e gjerë dhe Gj y k a t a e Lartë nuk ka vendosur asnjëherë përfundimisht për të, shumica e studiuesve të kushtetutës do të thoshin se ju nuk mund ta falni veten,” tha zoti Mulroy.
Në vitin 1974, Departamenti i Drejtësisë e shqyrtoi këtë çështje. Përgjigja që doli ishte, jo. Vet-falja do të binte në kundërshtim me “rregullin themelor që askush nuk mund të jetë gjykatës në çështjen e tij”, shkroi Zyra e Këshillit Ligjor të departamentit në një memorandum që mbetet politikë e Departamentit të Drejtësisë.
Si do të dukej një vetëfalje?
Sigurisht, kjo nuk do të thotë që presidenti mund të mos përpiqet të falë veten. Sipas ekspertëve ligjorë, nëse ai vendos për këtë, ka të ngjarë t’i jap vetes një “falje të plotë dhe të pakushtëzuar”. Zakonisht, kur një president falë dikë, dokumenti përcakton akuzat për të cilat ai po i falë, siç ishte rasti me faljet e fundit të disa ish-bashkëpunëtorëve të presidentit Trump.
“Në rastin e tij, presidenti Trump ka të ngjarë të zgjedhë një falje sipas shembullit të faljes së ish presidentit Richard Nixon, për të gjitha krimet kundër Shteteve të Bashkuara”, tha Caroline Mala Corbin, një profesoreshë e drejtësisë në Universitetin e Miamit.
Cilat janë pasojat?
Asnjëherë e provuar më parë, një vet-falje nga presidenti Trump, sipas disa ekspertëve ligjorë, mund të vendos një precedent të rrezikshëm për të ardhmen.
“Vet-faljet presidenciale do të ishin një precedent i tmerrshëm dhe do t’i lejonin presidentët të kryenin krimet më mizore federale dhe thjesht të falnin veten”, tha zonja Corbin.
Ata që mendojnë se një president mund të falë veten nuk pajtohen megjithatë, duke thënë se ka kontrolle të tjera mbi pushtetin presidencial siç është shkarkimi nga Kongresi. Për më tepër, falja nuk e mbron një president nga ndjekja penale shtetërore.
A mund të sfidohet ligjërisht një vetë-falje?
Ndërsa faljet presidenciale janë të përhershme dhe nuk mund të zhbëhen, një vet-falje nga presidenti Trump mund të përfundojë duke u përballur me sfida ligjore në të ardhmen.
Presidenti i zgjedhur Joe Biden e ka bërë të qartë se ai nuk e pëlqen që Departamenti i Drejtësisë të hetojë paraardhësin e tij. Por nëse presidenti Trump do të falte veten, kjo mund ta nxisë Departamentin e Drejtësisë të ngrejë akuza kundër tij, vetëm për të provuar kushtetutshmërinë e veprimit.
Çështja mund të shkojë deri në Gjykatën e Lartë, e cila kurrë nuk e ka peshuar këtë çështje, thonë ekspertët.
“Mund të argumentohet lehtësisht se kjo ishte një çështje e ligjit kushtetues që duhej të zgjidhej nga gjykatat…”, tha zonja Corbin.
Droja nga veprimi i Departamentit të Drejtësisë në përgjigje të një vet-faljeje mund të bëj që presidenti Trump të heq dorë nga shqyrtimi i një mundësie të tillë, tha ajo.
A mund të japë dorëheqje Trump dhe Pance ta fali?
Kjo është një mundësi edhe pse presidenti Trump nuk ka dhënë asnjë shenjë se planifikon të japë dorëheqjen para përfundimit të mandatit të tij më 20 janar.
Ekziston një precedent që një president të falet nga pasardhësi i tij.
Në vitin 1974, pasi që presidenti Nixon dha dorëheqjen për shkak të skandalit Watergate, nënpresidenti dhe pasardhësi i tij, Gerald Ford, e fali atë për të gjitha k r i m e t kundër Shteteve të Bashkuara. Ndërsa presidenti Ford nguli këmbë se e bëri këtë për interesin kombëtar, për kritikët, dukej më shumë si një “vet-falje” nga presidenti Nixon.