Një aksident tragjik është regjistruar mbrëmjen e të martës në autostradën A14 në Itali, ku ka humbur jetën një 19-vjeçar dhe kanë mbetur të plagosur 3 persona të tjerë. Aksidenti ndodhi të martën, rreth orës 6 të pasdites në hyrje të Riminit.
Mediat italiane shkruajnë se viktima është shtetasi shqiptar Matteo Skënderi, i cili ishte duke drejtuar një automjet të tipit “Opel Corsa”. 19-vjeçari ka humbur kontrollin e automjetit dhe ka përfunduar duke u përplasur me një furgon punëtorësh.
Si pasojë e aksidentit të rëndë i riu ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa 3 punonjës u dërguan në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Mediat vendase raportojnë se autoritetet italiane kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.