“The Economist”
“Çfarë presidence ka qenë!”. Pas një takimi të tensionuar të liderëve të BE në mesin e dhjetorit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ia rezervoi buzëqeshjen e saj më të madhe kancelares gjermane, Angela Merkel.
Takimi i nivelit të lartë, në të cilin udhëheqësit e BE-së arritën marrëveshje mbi një numër çështjesh të ndërlikuara, ndodhi në fundin e presidencës 6-mujore gjermane të Këshillit të Bashkimit Evropian, të cilën ia dorëzoi Portugalisë më 1 janar të këtij viti.
Ai moment, mund të dëshmohet si maja më e lartë e mandatit të fundit të zonjës Merkel
në detyrë. Një vit më parë, popullariteti i saj po binte me shpejtësi. Duke premtuar të mos garonte për një mandat të pestë, roli i saj në politikën e jashtme u zbeh, teksa nisi të konsumohej shpejt edhe në politikën e brendshme.
Unioni i saj Kristiandemokrat (CDU) i qendrës së djathtë, ishte nën 30 për qind në sondazhe, ndikuar jo pak nga grindjet e brendshme që e detyruan Annegret Kramp-Karrenbauer, trashëgimtaren e supozuar të zonjës Merkel, të dorëhiqej nga posti i drejtueses së CDU-së.
Planet e kancelares për trashëgimin e pushtetit të saj ishin sabotuar. Dy gjëra e ndryshuan situatën. E para ishte pandemia, e cila e vendosi sërish zonjë Merkel në qendër të skenës. Në një fjalim televiziv të datës 18 mars 2020, ajo rrëmbeu vëmendjen e gjermanëve duke e përshkruar koronavirusin e ri si sfidën më të madhe të vendit që nga viti 1945.
Kohët e fundit, ndërsa Gjermania po përballet me një valë të dytë dhe më vdekjeprurëse të virusit, ajo i bëri një lutje të fortë parlamentit për t’u mbyllur akoma më shumë (kushtetuta ua rezervon landeve kompetenca të tilla). Suksesi i hershëm i Gjermanisë në pasjen e një numri të ulët vdekjesh, reagimi i fortë fiskal, dhe sjellja e qetë e zonjës Merkel, riktheu edhe popullaritetin e saj.
Ajo vlerësohet tani nga mbi 70 për qind e gjermanëve, ndërsa është forcuar edhe pozita e partisë së saj. Pastaj erdhi presidenca e Këshillit të BE-së. Ndërsa pandemia e Covid-19 testoi lidhjet dhe solidaritetin e Evropës, zonja Merkel e theu tabunë gjermane ndaj borxhit të përbashkët, dhe ra dakord për një fond prej 750 miliardë eurosh, për të ndihmuar në rimëkëmbjen ekonomike të bllokut gjatë vitit 2021 dhe më tej.
Më vonë, ajo bindi qeveritë problematike të Polonisë dhe Hungarisë, të nënshkruajnë dispozitat e reja të sundimit të ligjit në rregullat e buxhetit të BE-së, dhe ndihmoi në forcimin angazhimit të unionit kundër ndryshimeve të klimës.
Dhjetori solli më shumë suksese:duke shmangur një Brexit pa marrëveshje, BE dukej e vendosur të binte dakord mbi një marrëveshje paraprake investimesh me Kinën. Ky është një çmim i lakmuar prej kohësh nga zonjat Merkel, edhe pse e shton grupimin në rritje të skeptikëve ndaj Kinës në BE, ashtu edhe në administratën e ardhshme amerikane të Joe Biden.
Çuditërisht, ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, thotë se votuesit nuk kanë arritur ende ta kuptojnë se kancelarja po largohet. Megjithatë ndërsa presidenca e BE, dhe faza më e keqe e pandemisë po lihen pas në të shkuarën, ylli i zonjës Merkel mund të zbehet më shpejt sesa pritej.
Këtë vit, do të ndodhin një seri ngjarjesh politike, që do t’i paraprijnë zgjedhjeve parlamentare të shtatorit, duke u kujtuar votuesve se epoka e Merkel së shpejti do të ketë marrë fund. Ngjarja e parë, është zgjedhja e një udhëheqësi të ri të CDU-së në një kongres virtual të partisë që do të mbahet më 16 janar.
Që të 3 kandidatët, e shohin atë si një trampolinë për të marrë më pas postin e kancelarit. Megjithatë fushata ka qenë zhgënjyese, dhe jo vetëm sepse Covid-19 e ka shtyrë deri tani 2 herë votimin. Debatet kanë qenë të zhurmshme, dhe figurat më të njohura të CDU-së druhen se një garë shumë e fortë mbi të ardhmen e partisë pas Merkel, mund të nxjerrë në pah ndarjet që janë të vështira të mbyllen, vetëm disa muaj para një fushate elektorale.
Asnjë nga të tre pretendentët, nuk ka një mbështetje masive të mbështetësve të CDU. Shpërthimet periodike të Friedrich Merz, një mbrojtës i uljes së taksave, e ngacmojnë jo pak bazën konservatore të CDU-së, por nga ana tjetër shqetësojnë të moderuarit, që e dinë shumë mirë se zgjedhjet fitohen kryesisht me votat e votuesve të qendrës.
Armin Laschet, udhëheqësi i moderuar i landit Nordrhein-Westfalen, shteti më i populluar në Gjermani, nuk ka hedhur asnjë hap të qartë përtej centrizmit Merkelian. Ai sapo ka nisur të rritet ndjeshëm në sondazhe. Në fillim Norbert Röttgen, një ekspert i politikës së jashtme, i shkarkuar dikur nga Merkel, nuk u konsiderua si një pretendent në këtë garë.
Një fushatë e gjallë dhe tërheqëse me fokus gratë dhe të rinjtë, ka përmirësuar disi pozitat e tij, por ai mbetet në thelb një i “huaj” për shumicën e anëtarëve të CDU-së. Disa figura të njohura brenda kësaj partie, ankohen pak a shumë hapur se Spahn, që i ka menaxhuar mirë presionet e punës së tij, është më i përshtatshëm për udhëheqjen e CDU-së sesa Laschet.
Shumë anëtarë pëlqejnë ndërkohë kryeministrin karizmatik të landit të Bavarisë Markus Söder, njëherazi kreut i Unionit Kristiansocial (CSU), partisë motër të CDU-së.
Zakonisht kjo e fundit pret deri në pranverë, kur të dy partitë zgjedhin një kandidat të përbashkët për kancelarinë. Por një varg veprimesh të sigurta gjatë krizës së Covid-19, e kanë shndërruar zotin Söder në një nga politikanët më të njohur në Gjermani. Mohimi nga ana e tij se ka ndonjë interes për postin e lartë, nuk ka arritur të ndalë zërat mbi të.
Dhe e gjithë kjo i krijon CDU-në një problem serioz. Nga 3 politikanët më të njohur konservatorë në Gjermani, njëri (zonja Merkel) po del në pension; një tjetër (Jens Spahn) po tenton të marrë stafetën; dhe një i tretë (Söder) po pretendon se nuk ka ambicie të mëtejshme. Ndërkohë, të tre burrat që kërkojnë të drejtojnë CDU-në, renditen shumë prapa tyre në sondazhe. Nëse Spahn dhe Söder do të arrijnë të mbajnë nën kontroll ambiciet e tyre, kjo mbetet të shihet. Por pozicioni jo komod i CDU-së, do të ndikojë në mendjet e 1.001 delegatëve të partisë, të mandatuar për zgjedhjen e liderit të tyre të ardhshëm.
Të gjitha palët e pranojnë se performanca shumë e mirë në sondazhe e CDU/CSU, fsheh nga pas një “bonus Merkel” të madh, por që do të skadojë para zgjedhjeve. Do të jetë më lehtë të shohim se sa e madhe është mbështetja reale, sapo CDU të zgjedhë një lider të ri.
Të Gjelbrit, që e arritën për pak kohë në sondazhe CDU/CSU në vitin 2019, shpresojnë të thithë disa vota në qendër, sidomos nëse më 16 janar do të fitojë Merz. Po kështu shpreson edhe Olaf Scholz, ministri i Financave dhe zëvendëskancelar, që do të drejtojë Social Demokratët (SPD) në zgjedhje.
Por “shenjtërimi” i tij i hershëm si një kandidat serioz për kancelar, nuk ka arritur deri më tani të ngrejë sadopak vlerësimet e turpshme të partisë së tij në sondazhe. Partitë gjermane, do të garojnë këtë vit edhe në 5 zgjedhje nëpër lande.
Dy lande në lindje të Gjermanisë, mund të testojnë murin mbrojtës të CDU-së kundër Alternativës për Gjermaninë të ekstremit të djathtë. Por më e rëndësishmja, në mars do të mbahen zgjedhjet lokal në Baden-Württemberg, një land i pasur në jug i udhëhequr nga të Gjelbrit në koalicion me CDU-në.
Kjo marrëveshje, mund të dëshmohet si një gur prove për një koalicion kombëtar, por me CDU/CSU si partnerin kryesor. Të dyja palët, po përgatiten për një koalicion të tillë “zi-jeshil”.Por të mundshme janë një varg konfigurimesh të tjera, në ato që do të jenë zgjedhjet më të paparashikueshme të Gjermanisë në dekada.
Zonja Merkel e vlerëson stabilitetin mbi gati gjithçka tjetër. Por teksa ajo po përgatitet të heqë dorë nga udhëheqja e vendit, në Gjermani do të ketë gjithnjë e më pak stabilitet politik./ Përktheu: Alket Goce-abc