Një 29-vjeçar është arrestuar pasi hyri në rezidencën e Perandorit Naruhito në Tokio, ku ai dyshohet se kaloi dy orë para se të zbulohej, njoftoi media lokale të dielën, transmeton Tetova News.
Njeriu, identiteti i të cilit nuk është bërë i njohur, hyri në kompleksin rezidencial Akasaka përmes bujtinës fqinje të shtunën në mbrëmje, edhe pse kjo rezidencë e familjes perandorake ruhet rreptësisht, shkruan Fuji News Network (FNN).
Ai u kap nga rojet perandorake pranë rezidencës së Princeshës Yuriko, tezja e madhe e Perandorit Naruhito, rreth dy orë pasi kishte hyrë, shkruan FNN, duke cituar zyrtarë të policisë.
FNN tha se burri kishte arritur të futet përmes portës hyrëse të bujtinës, e cila nuk ruhej në atë moment.
Incidenti u raportua gjithashtu nga lajmet e TBS, ku u tha se i dyshuari i kishte thënë policisë: “Unë doja të takoja anëtarët e familjes perandorake”.
Nuk ka detaje nëse burri kishte hasur ndonjë pjesëtar të familjes mbretërore, por media lokale njoftoi se askush nuk e pësoi në këtë incident.
Policia lokale nuk pranoi të komentonte dhe Agjencia e Familjes Perandorake nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për komente.
Naruhito u ngjit në fron në vitin 2019 pasi babai i tij abdikoi.
Ai dhe gruaja e tij Perandoresha Masako dhanë urimin tradicional të Vitit të Ri të premten me video mesazh për herë të parë, pasi audienca e tyre e zakonshme u anulua për të shmangur turmat ndërsa vendi po përballet me një valë të tretë të koronavirusit./TetovaNews