Së shpejti, tregu i automobilëve luksozë mund të ketë një makinë të projektuar nga një kompani shqiptare. Kompania “Arrera Automobili”, në pronësi të një shqiptari planifikon të fusë në prodhim super veturën të quajtur Illyrian Pure Sport, e cila pritet të ketë një motor të madh me një fuqi prej 840 kuaj fuqi, raporton abcnews.al.
“Pure Sport është dizajnuar nga i njëjti dizajner që ka dizajnuar Porsche 9RE, pikërisht Qendrim Thaçi. Tani, përmes kompanisë së tij Arrera Automobili, Thaçi dëshiron ta bëjë Pure Sport makinën e parë shqiptare”, tha Arrera Automobili në një postim në Facebook.
Sipas “Forbes.it“, 28-vjeçari Thaçi ka lindur në Kosovë dhe tani jeton në Gjermani.
Ai ka hartuar idenë e tij për një pasardhës të Porsche 918 Spyder.
Në një intervistë me portalin automobilistik Motor1, Thaçi zbuloi se ai tashmë ka mbledhur një ekip inxhinierësh dhe dizajnerësh.
Supermakina e re Illyrian Pure Sport do të mundësohet nga një motor 6.2 litërsh LT2 V8, me një fuqi 840 kuaj.
Shpejtësia maksimale pritet të arrijë në 375 kilometra në orë.
Arrera Automobili ndjek një startup tjetër nga rajoni, Rimac Automobile të Kroacisë, një prodhues i hiper makinave elektrike që ka tërhequr vëmendjen e prodhuesve të makinave sportive luksoze që po kërkojnë të përshtaten me të ardhmen elektrike të industrisë. /abcnews.al