Ligjvënësit amerikanë ishin mjaft të zënë gjatë vitit 2020.
Në fillim ishte gjyqi për shkarkimin e Presidentit, pastaj u morën me paketën ndihmës, më e madhja në historinë e vendit, edhe pse shumë prej tyre iu desh të punonin dhe të votonin në distancë për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Katherine Gypson e Zërit të Amerikës i hedh një vështrim këtij viti historik.
Me fillimin e 2020-s gjyqi për shkarkimin e Presidentit Donald Trump i mori mjaft kohë Kongresit.
“Donald Trump do t’u shpëtojë akuzave për abuzim pushteti,” tha në atë kohë senatorja Kamala Harris.
Përfundimisht, Presidenti Trump u lirua nga akuza se kishte përdorur ndihmën për Ukrainën për të goditur rivalin politik Joe Biden.
“Presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk është fajtor siç akuzohet,” shpalli Kryetari i Gjykatës së Lartë.
“Edhe pse kjo histori mund të harrohet, pra se përse ndaj tij u ngritën akuza, mendoj se demokratët po përpiqeshin të ngrinin argumentin se ky president meritonte të hiqej,” thotë Casey Burgat, e Universitetit George Washington.
Por shumë shpejt, debati politik u dominua nga pandemia. Nga fundi i marsit, bllokimet për të ndaluar përhapjen e virusit rrezikonin ekonominë, duke e shtyrë Kongresin të miratonte paketën e ndihmës, më e madhja në historinë amerikane.
“Bëhet fjalë për jetë njerëzish, nuk është koha për politikë,” tha Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Miratimi i Aktit CARES prej 3 trilion dollarë ishte një moment i rrallë marrëveshjeje në Kongres.
“Kur Kongresi e ka vullnetin për të bërë diçka, qoftë edhe një paketë tepër të shtrenjtë me dispozita të panumërta që prek të gjithë faktorët ekonomikë, pra kur ata duan, e bëjnë.”
Kongresit iu desh të përshtatej me mënyrat e reja të funksionimit për shkak të pandemisë.
“Kongresi ishte një nga institucionet e fundit që u përpoq të përshtatej. Ata bënë disa seanca dëgjimore dhe disa votime në distancë, por jo të gjithë anëtarët e Kongresit u përshtatën me masat e reja.”
Në qershor, mes protestave mbarëkombëtare për vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd nën arrest policor, ligjvënësit nuk arritën të miratonin një propozim ambicioz për reformat në polici.
“Vendi na ka dhënë një mundësi që të udhëheqim, por miqtë e mi në anën tjetër thjesht thonë jo,” u shpreh senatori republikan Tim Scott.
Zhgënjimi vazhdoi dhe ligjvënësit dështuan për muaj me radhë për një pakte të dytë ndihme. Një projekt i demokratëve prej 3 trilion dollarësh dështoi në Senat, ku republikanët paralajmëruan për shpenzime të tepruara.
“Nuk mendoj se situata e tanishme kërkon një paketë shumë-trilionëshe,” tha Mitch McConnell, udhëheqës i shumicës së Senatit.
Në tetor, Amy Coney Barrett u konfirmua si anëtare e Gjykatës së Lartë nga Senati me shumicë republikane megjithë kundërshtimet e demokratëve.
“Shumica republikane vendosi të dalë kundër vullnetit të popullit dhe të konfirmojë një anëtare për jetë në Gjykatën e Lartë në një kohë zgjedhjesh presidenciale,” tha Chuck Schumer, udhëheqës i pakicës në Senat
Këto zgjedhje përfunduan me fitoren e demokratit Joe Biden.
Por viti 2020 u mbyll me më shumë pasiguri në Kongres. Në janar në shtetin e Xhorxhias do të ketë balotazh për dy vende në Senat. Balotazhi do të vendosë se cila parti do të kontrollojë Senatin për dy vitet e ardhshme.