Turqia është e izoluar në masë të madhe në Lindjen e Afërt. Partneri më i ngushtë i saj, Katari, sapo vendosi për paqen me fqinjin e tij. Ky hap dhe ndërrimi i pushtetit në SHBA do të detyrojë Turqinë të ndërrojë rrugë.
“Një sinjal i mirë për stabilitetin në të gjithë rajonin”: Kështu e vlerësoi ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas rezultatin e takimit me homologun turk, Mevlüt Cavusoglu në Ankara. Edhe Cavusoglu u tregua i kënaqur. Bisedimet u zhvilluan në një “atmosferë positive”, tha ai. Në qendër të bisedimeve ishte konflikti për rezervat e gazit në Mesdheun lindor. Që nga zbulimi i tyre në Detin Mesdhe Turqia dhe anëtaret e BE, Greqia dhe Qiproja grinden, të dyja palët ngrenë pretendimin për zonat detare. Vitin e kaluar konflikti për pak u shkallëzua në konflikt ushtarak.
Tek zhvillimi i fundit, krahas gjendjes së vështirë të ekonomisë turke, duhet të ketë çuar edhe ndryshimi i pushtetit në Uashington, është e mendimit, Hürcan Aslı Aksoy, zëvendësdrejtuese e Qendrës për Studimet e Aplikuara Turke, CATS në Fondacionin Gjerman, Shkenca dhe Politika. „Administrata e ardhshme e Bidenit do të punojë më fort me BE, dhe Erdogan dëshiron në këtë afrim që të jetë në anën e duhur”, thotë ajo për DW.
“Turqia ka nevojë sërish për aleatë”
Mund të jetë ky mendim që e ka bërë qeverinë në Ankara të rishikojë politikën e saj në Lindjen e Afërt. Turqia është në masë të madhe e izoluar në Lindjen e Afërt, thotë Aksoy, duke iu referuar kështu konflikteve në Mesdheun lindor, Kaukazin jugor, Sirinë dhe Libinë. “Turqia ka nevojë sërish për aleatë, për të ruajtur ato që Erdogani ia paraqet popullit turk si suksese gjeostrategjike dhe gjeoekonomike. Në ndërrimin e tanishëm të kursit luajnë rol edhe faktorë të brendshëm politikë.
Nga pikëpamja turke kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme së fundmi në Gadishullin Arabik. Aty në fillim të vitit, Katari, partneri më i ngushtë i Ankarasë në rajon, si edhe Arabia Saudite, e partneri i saj, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjiptit i dhanë dorën njëri-tjetrit. Këtij i parapriu bojkotimi më shumë se tre vjet i Katarit nga ana e Arabisë Saudite dhe partnerëve të mbretërisë. Për Turqinë, që e kishte mbështetur Katarin në kohën e bojkotit të Arabisë Saudite, kjo do të thotë ridimensionim i marrëdhënieve me të dyja palët. Një hap me shanse, por edhe me rreziqe.
Pajtim në vend të diferencave?
Parimisht Turqia e përshëndet pajtimin në Gjirin Persik. “Përmes tij shpresohet të ketë avantazhe diplomatike si për Turqinë edhe për vendet e Gjirit”, thotë Aksoy. “Afrimi mes Katarit dhe Arabisë Saudite mund të kontribuojë që marrëdhëniet politike mes Turqisë dhe Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara si edhe Egjiptit të hyjnë në rrugën e përmirësimit dhe të tejkalohet izolimi i saj. Katari mund të luajë rol ndërmjetësues.”
Vërtet Katari ka sinjalizuar gatishmëri për këtë. Megjithatë afrimi i qëndrueshëm mes Turqisë dhe vendeve të Gjirit do të kërkojë kompromise nga të dyja palët. Kështu qeveria në Ankara është akoma e zemëruar me vrasjen e gazetarit saudit Jamal al-Khashogi nga nëpunësit sauditë në tetor të vitit 2018 në ambasadën saudite në Stamboll.
Arabia Saudite dhe partnerët e saj janë të pakënaqur me marrëdhëniet e ngushta të Turqisë dhe Katarit me Vëllazërinë Myslimane. Me axhendën e tyre religjioze-revolucionaze ata në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara dhe Egjip konsiderohen si organizatë terroriste. Për këtë arsye Arabia Saudite zhvillon kundër Turqisë një bojkot ekonomik jo të deklaruar zyrtarisht.
Konfrontim me Libinë
Të dyja palët duhet të lëvizin nga pozicionet e tyre edhe në lidhje me një vend tjetër. Libinë. Turqia mbështet aty qeverinë e unitetit të Fajis-al-Saradxhit. Qeveria e tij është e varur edhe nga votat e aktorëve islamistë, edhe të Vëllazërisë Myslimane. Edhe për këtë arsye Arabia Saudite dhe aleatët e saj qëndrojnë në anën e gjeneralit Kalifa Haftarit, trupat e qeverisë në ekzil të tij qëndrojnë në Tobruk.
Nëse Turqia dhe Arabia Saudite afrohen me njëra-tjetrën, këtë e bëjnë në një fazë të pasigurisë në politikën e jashtme. Ende nuk dihet, se cilin kurs do të ndjekë presidenti Biden kundrejt Arabisë Saudite. Në fushatën zgjedhore, Biden u shpreh mjaft kritik ndaj mbretërisë.
Tone të reja kundrejt Izraelit
Edhe me Izraelin, Turqia synon një ndryshim në marrëdhënie pas vitesh tensionimi. Në të shkuarën Erdogani e ka përsëritur distancimin e tij nga Izraeli. Kur presidenti Trump në vitin 2017 deklaroi, se SHBA do ta njohë Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, Erdogani reagoi me ashpërsi. “Ne do të vëmë në lëvizje të gjithë botën islame”, deklaroi ai në një samit të posaçëm të Organizatës për Bashkëpunimin Islamik në Stamboll. Si reagim pas përplasjeve vdekjeprurëse të forcave izraelite me demonstruesit palestinezë, Turqia tërhoqi ambasadorin e saj.
Dhe kur në verë po ravijëzohej afrimi i Izraelit me Emiratet e Bashkuara, Erdogani kërcënoi me ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Emirtatet. Kur Maroku në dhjetor deklaroi, se do të njohë Izraelin si shtet, ministri i Jashtëm turk, Cavusoglu u mjaftua vetëm me pohimin, se afrimi nuk duhet të shkojë në disfavor të palestinezëve.
Ende Izraeli reagon i përmbajtur ndaj sinjaleve turke të afrimit. Parimisht ka një gatishmëri për ridimensionimin e marrëdhënieve dypalëshe, thotë politologu Hay Eytan Cohen Janarcak nga Instituti i Jeruzalemit për Strategjinë dhe Politikën për revistën A-Monitor. Për këtë duhet të plotësohen tre kushte: “Izraeli dëshiron kthimin e ambasadorit turk, që Turqia të mos mbështesë më Hamasin, dhe që Erdogani të mos lëshojë më deklarata armiqësore kundër Izraelit.”