A e lamë më të keqen e pandemisë pas krahëve, së bashku me 2020-ën? Hyrja sërish në karantinë e Anglisë sugjeron që jo…
“The Atlantic”
Një variant i ri i koronavirusit po përhapet në të gjithë globin. Së pari u identifikua në Mbretërinë e Bashkuar, ku po përhapet me shpejtësi dhe është gjetur tanimë në shumë vende. Viruset pësojnë mutacione gjatë gjithë kohës, shpesh pa ndonjë ndikim, por ky duket se është më ngjitës se sa variantet e tjera, që do të thotë se përhapet më lehtë. Numri i rasteve të reja në Britani pas shfaqjes së këtij varianti ka qene kaq i lartë sa e gjithë Anglia hyri të hënën në karantinën më të ashpër që nga marsi.
Ende ka shumë të panjohura, por ekspertët janë të shqetësuar nëse ky variant i ri do të rrëzojë efikasitetin e vaksinës ose do të çojë në ashpërsimin e sëmundjes. Sigurisht, do na duhen më shumë të dhëna për tu ndjerë vërtet të sigurt, por duke u bazuar në një studim të fundit, shumë shkencëtarë besojnë se ky variant nuk do ta ulë shumë efikasitetin e vaksinës, në mos fare.
Por një variant më i transmetueshëm i Covid-19 është një katastrofë e mundshme në vetvete. Duke pasur parasysh fazën në pandeminë në të cilën ndodhemi, një variant më i transmetueshëm është shumë më i rrezikshëm se një variant më i rëndë. Kjo sepse transmetueshmëria më e lartë e një virusi më ngjitës mund të çojë në përkeqësimin e pandemisë në shkallë globale, ndërsa rreziku i një varianti më të ashpër do të prekte vetëm ata që infektoheshin.
Rritja e trasmetueshmërisë së virusit mund të bëjë kërdinë një kohë shumë të shkurtër, veçanërisht kur tashmë kemi përhapje të pakontrolluar në pjesën më të madhe të Europës dhe Shteteve të Bashkuara. Në fakt, ne duhet të veprojmë shpejt, pavarësisht mungesës së të dhënave.
Adam Kucharski, një profesor në Shkollën e Higjenës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër krahasoi se çfarë do të ndodhte nëse do të kemi një rritje prej 50 për qind të vdekshmërisë së virusit me një rritje prej 50 për qind të transmetueshmërisë së tij. Në përgjithësi ne kemi një normë të riprodhimit të virusit me rreth 1.1 dhe një rrezik fataliteti prej 0.8 për qind dhe përgjithësisht 10,000 raste aktive, një skenar i besueshëm për shumë qytete europiane. Ndërsa gjërat qëndrojnë njësoj, ne do të prisnim 129 vdekje në një muaj. Nëse shkalla e fatalitetit rritet me 50 për qind, kjo do të çonte në 193 vdekje. Por me një rritje prej 50 për qind e transmetueshmërisë do të çonte në 978 vdekje në vetëm një muaj.
Rritja e transmetueshmërisë mund të çojë në daljen nga kontrolli të pandemisë. Çdo person i ri i infektuar potencialisht infekton shumë më tepër njerëz. Rritja e ashpërsisë prek vetëm personin e infektuar. Fakti që varianti i ri nuk është më vdekjeprurës fatmirësisht do të thotë që nuk është një kërcënim më i madh për individin që mund të infektohet. Sidoqoftë, është një kërcënim më i madh për shoqërinë sepse mund të ndryshojë në mënyrë dramatike numrin e njerëzve të infektuar.
Trevor Bedford, një studiues për përhapjen e Covid-19, thekson se rastet nga varianti i ri po rriten shumë shpejt në mesin e popullsisë në Mbretërinë e Bashkuar. Bedford gjithashtu vëren se ky variant i ri duket se ka një normë më të lartë të sulmit sekondar, që do të thotë numri i njerëzve të infektuar më pas nga variantet e tjera të Covid-19 është më i lartë. Së fundmi, varianti i ri duket se rezulton në ngarkesa më të larta virale.
Një faktor që çon në përhapjen e mëtejshme të virusit mund të jetë sjellja e ndryshuar e njerëzve, për shkak të lodhjes nga karantina. Por, sa më i transmetueshëm është ky variant? Ende nuk jemi plotësisht të sigurt, por vlerësimet fillestare nga të dhënat sugjerojnë që ky variant mund të jetë rreth 50 deri në 70 për qind më i transmetueshëm sesa variantet e tjera të Covid-19. Ky variant, i quajtur tani B.1.1.7, ka “një numër jashtëzakonisht të madh ndryshimesh gjenetike, veçanërisht në proteinën spike”, e cila bën të mundur që virusi të hyjë në qelizat tona. Varianti i ri mund të jetë në gjendje të lidhet më mirë me trupin tonë, duke e bërë më të favorshme që të infektojmë të tjerët.
Kjo pasiguri do të thotë që ne nuk e dimë nëse mjetet tona ekzistuese, maskat, distancimi dhe dezinfektimi, janë po aq efektive sa për variantet e tjera. Të jemi të qartë: Varianti është ende një virus frymëmarrjeje, kështu që mjetet themelore nuk do të ndryshojnë, dhe të gjithë do të vazhdojnë të ruajmë distancën sociale. Në fakt, ajo është bërë më e rëndësishme dhe mund të na duhet të jemi më të kujdesshëm, të kalojmë më pak kohë në ambiente të mbyllura dhe të mbajmë maska më të mira.
Pjesa më e madhe e vendeve europiane dhe ballkanike nuk kanë mbikëqyrje efektive gjenomike, për të gjurmuar përhapjen e variantit të ri. Kjo do të thotë se jemi duke ecur symbyllazi drejt asaj që ka të ngjarë të jetë faza më e vështirë e pandemisë.
Përveç kërcënimit të rritjes së transmetimit, duhet të kujtojmë se ky variant i ri është mjaft kontradiktor dhe i paparashikueshëm. Në fillim, kishte shumë shqetësime pse disa qytete europiane u goditën shumë keq ndërsa të tjerët u kursyen megjithëse po merrnin masa të ngjashme. E gjitha kjo duket se ishte çështje fati ose rastësie, pasi edhe këto qytete u gjendën në të njëjtën situatë pas disa javësh. Për një virus kaq të paparashikueshëm, ndryshimet e vogla fillestare mund të nënkuptojnë ndryshime gjigande në planin afatgjatë.
Ne mund dhe duhet të vendosim çfarëdo arme që kemi në arsenalin tonë, sa më shpejt të jetë e mundur. Nëse zyrtarët e shëndetit publik mund të përshpejtojnë aftësinë tonë për të zbuluar variantin e ri, ata duhet ta bëjnë.
Një ose dy javë mund të mos duket shumë, por e kombinuar me masa të tjera agresive, mund të bëjë të mundur të fitojmë disa javë shtesë. Ndoshta e gjithë kjo mund të vonojë krijimin e përhapur të këtij varianti të ri deri në shkurt apo edhe mars, kur vaksina të ketë nisur të shpërndahet gjerësisht dhe të kemi hedhur bazat për krijimin e imunitetit të tufës.
Ky moment është disi i ngjashëm me fillimin e pandemisë në mars. Duhet të flasim edhe një herë për rëndësinë e rrafshimit të kurbës. Ne duhet të ruajmë përsëri kapacitetin e spitaleve, në mënyrë që shkalla e fatalitetit të mos rritet. Por kësaj here, ne mund të jemi shumë më të shkathët, duhet ta rrafshojmë kurbën brenda një kohë të shkurtër, sepse një javë mund të bëjë një ndryshim të jashtëzakonshëm tani që kemi në krahun tonë të betejës edhe vaksinat.(SI)