Protestë me 4 kërkesa konkrete është mbajtur sot në rrugën “Industriale” në Tetovë, rrugë kjo që shpesh herë ka marrë jetë njerëzish ndërsa autoritetet kompetente ende nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për parandalimin e kësaj. Nga Komuna e Tetovës pranuan kërkesat e protestuesve, ndërkaq, këta të fundit i dhanë ultimatum prej 14 ditëve për të plotësuar të gjitha kërkesat, shkruan Portalb.mk.
Në protestë i pranishëm ishte edhe një nga personat i cili një vit më herët, pikërisht në këtë rrugë e kishte shkelur vetura dhe që pasojat ende po i vuan, ai për këtë fajëson institucionet kompetente për neglizhencë totale.
“Mu më ka shkel vetura para 1 viti e gjysmë pikërisht në këtë vend, pasojat i vuaj ende, 14 ditë kam qenë i shtrirë në Shkup dhe ende nuk dihet se çfarë do bëhet me mua. Edhe çfarë bënë gjyqtarët tanë? Të gjitha pasojat e mia u vërtetuan, brinjët, koka dhe shumë tjera që s’kanë mundur të fshehën, ndërsa shoferi që më shkeli mua u dënua me 170 euro dhe 3 muaj ditë me kusht, as leja nuk ju morr, gjyqtarët tanë janë të korruptuar së bashku me policët. Në një shtet ku policia dhe gjykatat janë të korruptuara, kështu mbyte njerëzit dhe askujt nuk i intereson. Unë edhe të kisha vdekë nuk ka problem sepse jam 72 vjeçar, por fëmijë kanë shkelë dhe pesë pare nuk kanë dhënë dhe ende nuk ju intereson. Ne kemi shpresë për të na mbrojt, jo për të na zhduk” tha ai.
Cilat janë kërkesat e këshillit organizativ të protestave?
Vendosja e pengesave për ngadalësimin e shpejtësisë.
Duke e ndarë fizikisht të gjithë rrugën industriale dhe të lihet hapësirë për kalim nga njëra anë në anën tjetër vetëm nëpër vendkalimet ekzistuese.
Duke i ngritur vendkalimet për këmbësorë në nivel me të lartë se asfalti, me sinjalizim vertikal dhe horizontal, si dhe duke i ndriçuar ata gjatë natës.
Të shqyrtohet nga organet kompetente edhe çështja e mbikalimit te shkolla Kirili dhe Metodi.
Ndërkaq, Enis Ajrullai, një nga organizatorët dhe banorët e kësaj lagje potencoi se kjo rrugë çdo vit merr jetë njerëzish, për këtë arsye, ata nuk do të ndalen së protestuari derisa të plotësohen të gjitha kërkesat e tyre.
“Vite me radhë kjo rrugë po merr jetë njerëzish. Hiç më larg se një javë më parë një vajzë 6 vjeçare humbi jetën në këtë rrugë. Ajo nuk e kishte shijuar as klasën e parë. Kjo rrugë ia preu ëndrrat. Andaj, ne banorët e kësaj zone dhe gjithë protestuesit, kërkojmë që urgjentisht të ndërmerren masa për parandalimin e aksidenteve në të ardhmen. Deri tani ka pasur kërkesa të shumta të cilat kanë ra në vend të shurdhër por këtë herë nuk do të zmbrapsemi pa u rregulluar kjo çështje” tha Enis Ajrullai, aktivist.
Ai apeloi edhe deri te vozitësit të kenë kujdes gjatë vozitjes në këtë rrugë, pasi që siç tha Ajrullai, kjo rrugë frekuentohet çdo ditë, 2 herë në ditë nga 250 nxënës të shkollës fillore “Kirili dhe Metodi”.
Komuna e Tetovës: Do të zgjidhim këtë problem, gjithmonë kemi dëgjuar qytetarët
Edhe pse nga Komuna e Tetovës sot deklaruan se gjithmonë kanë dëgjuar kërkesat e qytetarëve, kjo del të mos jetë e vërtetë, për shkak se sipas banorëve të kësaj lagje, ata këtë kërkesë e kanë deponuar në Komunën e Tetovës disa herë me radhë, por kanë hasur në vesh të shurdhër.
Nga ana tjetër, autoritetet komunale deklaruan se disa herë me radhë kanë krërkuar nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) në Tetovë të bëje kontrolle më të shpeshta në këtë rrugë.
“Për sa i përket sigurisë së këmbësorëve në komunikacion, dhe konkretisht në bulevardin Industrial në Tetovë, sektori për veprimtari komunale pranë komunës së Tetovës disa herë deri më tani, ka dërguar shkresë deri tek SPB Tetovë, për kontrolle më të shpeshta të shpejtësisë së automjeteve në këtë rrugë të qytetit. Gjithashtu është servisuar dhe mirëmbajtur sinjalizimi vertikal rrugor si dhe semaforët në afërsi të shkollës Kirili dhe Metodi, të cilët edhe sot janë në funksion” deklaruan nga Komuna e Tetovës.
Njoftojmë se “kërkesa” të cilën Komuna e Tetovës ka premtuar se do ta zgjidhe është vetëm një prej 4 kërkesave të këshillit organizativ, edhe atë kjo e fundit ka të bëje me vendosjen e pengesave në rrugë me qëllim kufizimin e shpejtësisë.
“Për sa i përket kërkesës për vendosjen e pengesave në rrugë me qëllim kufizimin e shpejtësisë së automjeteve ju, informojmë se komuna e Tetovës do të kërkojë pëlqim nga SPB Tetovë për vendosjen e tyre, si dhe për ndërtimin e mbikalimit, gjithnjë duke vepruar në kuadër të ligjit si dhe duke marrë parasysh faktin e kategorizimit të kësaj rruge si rrugë magjistrale” thanë nga Komuna e Tetovës.
Marrë parasysh këtë, këshilli organizativ i protestave për këtë rrugë, të kontaktuar nga Portalb.mk, thanë se i kanë vendosur ultimatum, Komunës së Tetovës, që në afat prej 14 ditëve të zgjidhe të gjitha 4 kërkesat e tyre, pa përjashtuar asnjërën.
Ndryshe, rikujtojmë se disa ditë më herët pikërisht në këtë rrugë ndërroi jetë një vajzë 6 vjeçare pasi e goditi vetura, ky nuk është aksidenti i vetëm i cili ka përfunduar me pasoja fatale në rrugën “Industriale” në Tetovë.