Në fund të muajit dhjetor Komuna e Tetovës ka paguar 32 mijë euro për pastrimin e shtratit të lumit “Shkumbin”. Edhe pse nga Komuna e Tetovës thanë se ka përfunduar pastrimi i këtij të fundit në pjesën e Tetovës, kamera e gazetarit të Portalb.mk dhe banorët lagjes së romëve, dëshmojnë të kundërtën, shkruanPortalb.mk.
Nga Komuna e Tetovës konfirmuan se punët për pastrimin e lumit “Shkumbin” në pjesën e Tetovës kanë përfunduar dhe informuan se në muajin prill, vazhdojnë punët për pastrimin e lumit Poroj-Reçicë.
“Po, punët për pastrimin e lumit kanë përfunduar. Vazhdimi i kësaj do të jetë në muajin prill, edhe atë për Poroj-Reçicë” deklaruan nga Komuna e Tetovës.
Menjëherë pas kësaj, gazetari i Portalb.mk ishte në një nga pjesët më të ndotura të lumit “Shkumbin”, pikërisht në Lagjen e Romëve për të vërtetuar se a është pastruar realisht lumi dhe pjesët përreth tij, në atë pjesë.
Nga këtu, dëshmuam se pamja e njëjtë të cilën e gjetëm para shpalljes së tenderit për pastrimin e lumit ishte edhe aktualisht, kjo pjesë përveç që nuk ishte e pastruar, dukej edhe më e ndotur, me mbeturina të të gjitha llojeve.
Lumi te “Lagjja e Romëve”, foto: 06.01.2021.[/caption
Pyetëm edhe një banore të kësaj lagje, tha se ajo pjesë ka vite dhe ndoshta dekada që nuk është pastruar.
“Jo, absolutisht nuk është pastruar tani. Ka dhjetë vite ose ma shumë që nuk e kanë pastruar atë pjesë, ka shumë mbeturina” tha ajo.
Megjithatë, për Komunën e Tetovës të lartpërmendurat janë thjeshtë “konstatime të gazetarit të Portalb.mk”. Pasi që, sipas tyre, ajo pjesë është pastruar dhe menjëherë është ndotur.
“Ky është konstatimi yt, ju kam thënë edhe gazetarëve të tjerë se çdoherë që ta pastrojmë për një javë e ke të njëjtë. Ata biznes e kanë: Plastikën, bakrin, aluminin, shishet dhe kartonët. Aty e bëjnë seleksionimin dhe djegien e tyre dhe pastaj e shesin. Ky fenomen nuk është vetëm sot, por me vite”, tha zëdhënësi i komunës së Tetovës, për Portalb.mk.
Megjithatë, edhe pse ky vend vazhdimisht ndotet nga banorët përreth kësaj lagje, nga komuna e Tetovës dhe nga Inspektorati Ekologjik ende nuk kanë dalë me një strategji për këtë problematikë, pasi që edhe vet autoritetet komunale konfirmojnë se aty digjen mbeturina, që është në kundërshtim me ligjet pozitive në vend.
Ndryshe, disa muaj më herët nga komuna e Tetovës kishin nënshkruar kontratë prej 2 milion denarëve me një firmë nga fshati Poroj, për pastrimin e shtratit të lumit S hkumbindhe lumenjve në Reçicë të Madhe dhe të Reçicë të Vogël si dhe lumit në Poroj.
Portalb.mk vazhdimisht ka informuar për këtë deponi, për shkak të asaj që shpesh here ekspertët e kësaj fushe kanë deklaruar se deponitë e tilla janë rrezik real për përhapjen e epidemive të ndryshme, asnjë institucion qoftë lokal apo qendror nuk ka ndërmarrë masa për zgjidhjen e kësaj problematike, të paktën jo në qytetin e Tetovës.
Kjo deponi ndodhet 700 metra në vijë ajrore nga Komuna e Tetovës, në këtë lagje ka dhjetëra banorë, çdo ditë e më shumë të rrezikuar nga sëmundjet e ndryshme që mund tju vijnë si pasojë e kësaj deponie.
Inspektorati ekologjik i padobishëm
Portalb.mk me vite ka shkruar për fenomenin e mosgjetjes së autorëve të djegjes së mbeturinave në Tetovë, dhe krijimit të deponive si kjo e fundit, numri i personave të cilët e kanë për detyrë t’i gjejnë dhe sanksionojnë këta persona është 4, shifër kjo që është jashtëzakonisht e vogël për një qytet me rreth 70,000 banorë.
Disa nga rastet për të cilat autorët ngelën të pazbuluar, si pasojë e paaftësisë të inspektoratit ekologjik janë djegia e deponisë së Tetovës, djegia e mbeturinave te lagjet “Bllok 70” dhe “Dardania” , djegia e mbeturinave në “Lagjen e romëve”, si dhe shumë tjera të cilat qytetarët vazhdimisht i denoncojnë në “E-report” për arsye se numri i vendosur në webfaqen e Komunës (0800-55-043) për denoncimin e këtyre rasteve, është jofunksional.
Ndryshe, edhe pse deklaratavisht kompetentët vazhdimisht kanë fajësuar qytetarët për krijimin e deponive të tilla, ata asnjëherë nuk kanë ndërmarrë ndonjë masë sanksionuese apo parandaluese në mënyrë që raste të tilla të mos ndodhin më. Madje, për një vit të tërë, Inspektorati Ekologjik i Tetovës ka shqiptuar vetëm 15 dënime.