Shtetet e Bashkuara po ndjekin me vëmendje përhapjen e variantit më ngjitës të koronavirusit, i cili u zbulua për herë të parë në Britani. Zyrtarët britanikë paralajmërojnë se ky variant mund të jetë edhe më vdekjeprurës.
Dy zyrtarë amerikanë thanë se nevojiten të dhëna shtesë për të vërtetuar nëse varianti është vërtetë më vdekjeprurës.
Zyrtarët janë të shqetësuar edhe nga një variant tjetër i koronavirusit, i shfaqur në Afrikën e Jugut, megjithëse nuk janë identifikuar raste të këtij varianti në Shtetet e Bashkuara.
Dr. Francis Collins, këshilltar i Presidentit Biden për koronavirusin, tha se të dhënat britanike janë paraprake dhe se nuk është e qartë nëse kërcënimi i variantit britanik vjen nga mutacionet në virus apo nga kushte specifike në sistemin shëndetësor britanik në këto momente.
Dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit të Sëmundjeve Infektive tha në një intervistë me rrjetin MSNBC se pret të shohë të dhënat e papërpunuara britanike para se të diskutojë rrezikun e vdekshmërisë nga variant i ri dhe se zyrtarët amerikanë po analizojnë ndikimin që mund të kenë variantet e reja tek efektiviteti i vaksinës.
Këto komente vijnë ndërkohë që Presidenti Joe Biden ka marrë një numër masash për të fuqizuar përgjigjen ndaj pandemisë. Presidenti prezantoi planin e tij strategjik për të ulur ritmet e përhapjes së virusit si dhe nënshkroi një numër urdhërash ekzekutivë për të shtuar prodhimin dhe vaksinave dhe rritjen e imunizimeve si dhe për të shtuar përdorimin e maskave./VOA