Ballina Aktualitet Vërshimet në Vushtrri, gjendja më e rëndë në 40 vitet e fundit...

Vërshimet në Vushtrri, gjendja më e rëndë në 40 vitet e fundit (VIDEO)

Vushtrria sot është zgjuar me vërshime nga lumi Sitnica dhe gjendje të rënduar të ekonomive familjare dhe banorëve në pjesën e qytetit, afër këtij lumi.

Kryetari i kësaj komune Xhafer Tahiri në një postim në Facebook ka bërë të ditur se ekipet emergjente, mjekësore dhe FSK kanë evakuuar banorët dhe se po bëhet përpjekje maksimale për t’iu dalë në ndihmë.

Për më tepër, ai ka thënë se do të kërkojnë nga Qeveria kompensim të dëmit banorëve, teksa ka shtuar se shkolla fillore ‘Naim Frashëri’ në qytet është duke u bërë gati për strehim për qytetarët që kanë nevojë.

https://youtu.be/TsAdfx7qS10

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri e ka cilësuar të jashtëzakonshme situatën me vërshimet e fundit në këtë komunë. Sipas tij, një gjendje e rëndë si ajo e fundit s’është parë që nga viti 1979.

Shumë familje janë evakuuar, ndërsa dëmet janë tejet të mëdha, ka njoftuar ai në emisionin “Express” të KTV-së.

“Vushtrria është përballë me vërshime të nivelit të lartë. Nga viti ’79 s’është parë gjendje e tillë. Jemi përgatitur qysh dje për këtë duke dhënë paralajmërim për qytetarët që banojnë pranë lumit Silnica. Kemi pasur informacion se lumenjtë janë fryrë shumë dhe duke ditur se ato derdhen në lumin Silnica, tradicionalisht kanë shkaktuar vërshime. Janë afektuar rreth 500 familje. Janë mijëra hektarë të dëmtuar. Ka një numër të fermerëve që kanë pësuar dëme. Vetëm një fermer i ka humbur 120 dele”, ka thënë ai duke shtuar se janë evakuuar rreth 100 familje, shumica prej tyre vetë.