Mbi 10 ditë i izoluar nga dëbora, ky është realiteti i fshatit Panarit në Bashkinë e Korçës. Si për ironi të fatit, fshati Panarit, edhe pse nuk ka dëborë, rruga që të çon në këtë fshat është bllokuar. Grupi i xhirimit të A2 u nis për të parë se si janë duke e përballuar dimrin banorët e këtij fshati të largët dhe të bllokuar.
Rruga është e vështirë, dëbora i ka kaluar 60 centimetra, ndërsa në disa zona, ku fryn edhe era, i kalon 1 metër. Në të gjithë gjatësinë e segmentit prej 17 kilometrash duket qartë që ndërhyrja e fundit ka qenë vetëm përpara 10 ditësh, ndërsa nuk është ndërhyrë më. Përveç borës dhe akullit, rrugës gjen edhe gjurmë të kafshëve të egra të zonës.
Më e vështirë situata është në zonën e quajtur Mashkullorë, ku dëbora arrin mbi 1 metër, ndërsa ka mjegull dhe erë të fortë. Nuk kanë qenë të paktë banorët e zonës që kanë humbur rrugën në këtë zonë, deri edhe jetën.
Pas gati 5 orë rrugë mbërrijmë pranë fshatit, që nga larg dallon se nuk ka borë, por ai është i izoluar pasi rrugët që të çojnë për atje janë të bllokuara.
Banorët shprehen se është hera e parë që vijnë gazetarë në këtë periudhë, teksa as institucionet shtetërore nuk kishin shkuar deri më tani. Ata apelojnë për reagim nga instancat pasi nuk mund të jetojnë në këtë formë në një kohë kur rruga është e asfaltuar.
“Kemi dy javë të izoluar, ka fëmijë e të moshuar të sëmurë. Ka gra shtatzëna në fshat. Nuk na vjen as mjeku”, shprehen banorët.
Marrja e ushqimeve dhe ilaçeve rezervë duket se është çelësi i mbijetesës së kësaj zone, thuajse të harruar nga autoritet. Fshati Panarit është më i thelli në Korçë, ndër dekada këta banorë izolohen për muaj të tërë nga bora.
Grupi i A2 u detyrua të rrinte 1 natë në fshat pasi ishte e pamundur të kthehej brenda ditës, e megjithatë pa mjete të rënda dhe fadroma arritëm të gjendeshim pranë këtyre njerëzve. Në mëngjes, banorët shoqëruan grupin për të kaluar zonën problematike në borë e mjegull me shpresën se institucionet do të reagojnë për të krijuar komunikimin me këta banorë të bllokuar.