Nga Silvia Marchetti, Eu Observer
Qeveria e re e ish-kreut të Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Mario Draghi, shënon ngjitjen në pushtet të shumicës më të madhe që ka përjetua Itali në historinë e saj republikane 75-vjeçare.
Por përpara shtrihen shumë sfida në lidhje me përcaktimin e një axhende të përbashkët, por edhe me sheshimin e grindjeve brenda Lëvizjes Pesë Yjet. Të gjashta partitë që formojnë aleancën e re qeverisëse, përfshirë ish grupet opozitare Forza Italia dhe LEGA, duhet të kapërcejnë tani dallimet e tyre politike, dhe të bashkëpunojnë për të zbatuar një program të përbashkët.
Kabineti i përzier teknokrato-politik i unitetit kombëtar të Mario Draghi ka 2 prioritete kryesore:luftën kundër pandemisë së Covid-19 përmes përfundimit të shpejtë të fushatës së vaksinimit të popullatës, dhe përcaktimin e një plani për të shpenzuar me efikasitet rreth
220 miliardë euro ndihmë e drejtpërdrejtë financiare që i është akorduar Italisë nga BE-ja përmes fondit të rimëkëmbjes.
Plani duhet t’i dërgohet Komisionit Evropian brenda muajit prill.“Ne duhet të shpejtojmë me planin për të shmangur rrezikun e humbjes së këtyre fondeve. Kjo është një mundësi e artë për Italinë, dhe deri më tani është bërë pak në drejtim të planifikimit se ku duhet të investohen grantet dhe kreditë”- tha një zyrtar i Partisë Demokratike.
Draghi pritet që të paraqesë në parlament javën e ardhshme udhëzimet e programit të tij. Nëse gjërat shkojnë normalisht, Italia do të ketë një qeveri plotësisht operative deri në fund të javës së ardhshme. Por ndërsa Draghi me siguri që do ta fitojë mocionin e besimit falë shumicës së gjerë që e mbështet, formimi i kabinetit të tij ka shkaktuar përçarje brenda Lëvizjes Pesë Yjet, e cila rrezikon të shkatërrojë stabilitetin e një prej aleatëve kryesore të qeverisë.
Edhe pse mbështetës të Lëvizjes Pesë Yjet e mbështetën Draghin gjatë një votimi në internet, duke i dhënë dritën jeshile pjesëmarrjes së partisë së tyre në qeveri, kanë shpërthyer tensionet midis udhëheqjes dhe rreth 30 disidentëve anti-Draghi, duke nxitur rrezikun e një ndarje të brendshme.
Këta të fundit, që kanë qenë gjithnjë kritikë ndaj udhëheqjes së BQE-së të drejtuar nga Draghi, kërcënojnë me një mocion mosbesimi në parlament, nëse nuk planifikohet një tjetër referendum në internet.“Ky referendum në internet ishte një shaka. Një farsë. Pyetja që iu bë mbështetësve që iu kërkua të votonin ishte hartuar në mënyrë qesharake.
Ajo u formulua me djallëzi për ta shtyrë elektoratin tonë që të votonte pro. Ishte një tallje me ta, ndaj votimi duhet të përsëritet me një pyetje të drejtë, dhe koha në dispozicion për të votuar duhet të jetë së paku 24 orë”-thotë një rebel i Lëvizjes Pesë Yjet.
Afati i votimit ishte më i shkurtër se sa për referendumin e mëparshëm të Lëvizjes Pesë Yjet. Ai zgjati vetëm 8 orë, teksa burime brenda kësaj partia thanë se kjo ishte mënyra e vetme për të garantuar ngjitjen e Mario Draghit në pushtet.
Mbështetësve ju kërkua që të votojnë pro nëse mbështesin krijimin e një “super-ministrie” të fuqishme për tranzicionin ekologjik, në mënyrë që të bashkojnë forcat me Draghi, ministri i cila sipas deputetëve rebelëve nuk është krijuar ende, duke mashtruar kësisoj votuesit.
Tani, ata po kërkojnë një votim të ri në internet, për të vendosur nëse partia duhet të jetë “brenda” apo“jashtë” koalicionit.“Ne kemi humbur identitetin tonë origjinal, kemi braktisur vlerat tona. Së pari aleanca jonë e neveritshme me PartinëDemokratike2 vjet më parë ishte e vështirë të gëlltitej.
Tani kjo aleancë e neveritshme e partive të të gjitha ngjyrave me armiqtë historikë dhe ish-aleatët, të cilën ne nuk do e pranojmë”-thotë një nga kundërshtarët e lëvizjes më të fundit të Pesë Yjve. Kjo partia ka kohë që përballet me një krizë të brendshme, duke mos pasur një model të qartë udhëheqjeje dhe organizimi.
Që nga fitorja e tyre në zgjedhjet e vitit 2018, konsensusi ka rënë dhe shumëanëtarë ose kanë hequr dorë nga lëvizja, ose kanë ndërruar parti. Edhe pse kjo forcë politike mban ende afro 1/3 e votave në parlament.
“Aktualisht ka një hendek në zgjerim midis bazës tonë të votuesve, dhe vendimeve të marra nga udhëheqja e lëvizjes, e cila po vepron si një marionetë me kukullat e saj, duke e manipuluar komunikimin dhe duke shkatërruar idealin tonë të demokracisë së drejtpërdrejtë”-shprehet deputeti rebel.
Burimet argumentojnë se ndërsa Draghi mund të mbijetonte shumë mirë edhe pa Lëvizjen Psë Yjet, grupi i “kundërshtarëve” brenda kësaj të fundit ka fuqinë të pengojë procesin legjislativ në parlament duke bllokuar ose vonuar miratimin e ligjeve dhe masave kryesore që gjenden në komitetet teknike.
Rebelët zotohen që të shndërrohen në një forcë opozitare brenda shumicës, ndërsa disa prej tyre tashmë janë larguar nga lëvizja. Ndërkohë, Italia ka mbetur tashmë vetëm me një parti zyrtare në opozitë, që po përfiton nga kaosi që ka përfshirë Lëvizjen Pesë Yjet dhe nga vendimi i LEGA-s për të mbështetur qeverinë Draghi.
Grupi i krahut të djathtë Fratelli D’Italia i drejtuar nga Giorgia Meloni i ka thënë “jo” qeverisë Draghi që nga fillimi i negociatave politike. Por kjo parti është e gatshme që të bashkëpunojë mbi çështje kryesore si lufta kundër pandemisë dhe plani i rimëkëmbjes ekonomike.
“Ne kemi marrë mijëra e-maile mbështetje nga votuesit e zhgënjyer të LEGA-s dhe Lëvizjes Pesë Yjet që ndihen të tradhtuar dhe të braktisur dhe që potencialisht po kërkojnë të na bashkohen neve. Pesë Yjet ishin tashmë një patericë e Partisë Demokratike, tani ata po zhduken nga skena”-, tha një deputet i Fratelli D’Italia.
“Lëvizja Pesë Yjet ka kaluar nga të qenit një forcë anti-establishment në të qenit pjesë e establishmentit, duke e humbur frymën e tyre origjinale “ripërtëritëse”. Fillimi i fundit të tyre ishte kur votuan pro emërimi të Ursula von der Leyen si president e Komisionit Evropian, dhe më pas kur u bënë aleatë me demokratët në një kabinet të ri”- shtoi zyrtari i djathtë.
Fratelli D’Italia,besojnë se tensionet midis aleatëve të rinj në pushtet do të shpërthejnë sapo partitë të nisin të diskutojnë çështjet me delikate, përfshirë reformat në sistemin e taksave dhe atë në sistemin e drejtësisë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.