Nga Alastair Campbell, The New European
Herën e parë që e takova, Emmanuel Macron ishte shumë pak i njohur jashtë Francës, dhe ndonëse qëllimi i tij për të garuar për president ishte i qartë, ai ishte pretendenti i katërti ose i pestë për të pasur sukses.
E megjithatë, ndërsa ai deklaroi se do të fitonte, sytë e tij ishin të ndezur nga një vetëbesim që shkonte përtej optimizmit formal, që e shoqëron çdo politikan gjatë fushatave zgjedhore. Unë kam takuar shumë njerëz të fuqishëm, ambiciozë, të zgjuar, dhe plot vetëbesim.
Por nuk mendoj se kam takuar ndonjëherë ndonjë njeri me kaq shumë vetëbesim sa Macron, me një kombinim të tillë të ambicies dhe inteligjencës. Dhe duke e vëzhguar që nga ajo kohë, kam pasur gjithmonë bindjen, se kur ai i vë vetes një synim të vështirë, shanset janë që ai ta përmbushë atë.
Ndër sfidat e tij aktuale, nxjerrja e vendit nga pandemia, përpara se t’i rikthehet reformave e brendshme, është ajo e rizgjedhjes në detyrë, me disa që dyshojnë se ai do të kalojë sërish si një nga dy kandidatët e parë në raundin e dytë të zgjedhjeve pranverën e ardhshme, ndërsa të tjerët supozojnë se nëse do të përballet me një balotazh me Marine Le Pen, mund të humbasë.
Vetëbesimi i tij i jashtëzakonshëm, nuk ishte kurrë më i ekspozuar sesa kur ecte i vetëm drejt turmës entuziaste në tubimin e tij të fitores në Luvër në majin e vitit 2017. Ndërsa mbështetësit e tij të ngazëllyer tundnin flamuri trengjyrësh kombëtar, Macron kishte këmbëngulur në vendosjen në fond të himnit evropian.
Sërish, një mesazh i qartë:ai mund të ishte zgjedhur si president i Francës; por synonte të ishte lideri i Evropës. Dhe ndërsa Angela Merkel po përgatitet ta lërë detyrën e kancelares pas pas 16 vitesh, shumicën si figura më e fuqishme e Evropës, Macron e sheh mundësinë e mandatit të dytë si president, jo për të qenë thjeshte një lider në Evropë, por si udhëheqës i saj.
Sigurisht, Macron kishte arritur një fitore të jashtëzakonshme. Në vetëm 13 muaj, themeloi partinë e tij En Marche, dhe ndonëse doli nga qeveria e presidentit Francois Hollande, u zgjodh president në moshën 39 vjeçare – presidenti më i ri në historinë e vendit – dhe siguroi më pas një shumicë për En Marche në Asamblenë Kombëtare.
Për disa, vetëbesimi mund të duket si arrogancë. Dhe kjo ishte kritika kryesore ndaj tij.
I urryer në të majtë dhe në të djathtë, popullariteti i tij pësoi një rënie spektakolare. Dhe ishte po ai vetëbesim, që i dha idenë për daljen nga kjo situatë:vetë ai.
Macron shkroi një fjalim prej 2300 fjalësh drejtuar kombit, për të nisur një debat 3-mujor kombëtar. Pastaj zbriti në bazë për të takuar kritikët e tij, në të gjithë vendin, duke marrë sulme, dëgjuar zemërimin e tyre, ndjerë dhimbjen e tyre, duke biseduar me ta për orë të tëra.
Franca është një vend jashtëzakonisht i vështirë për t’u qeverisur. Të gjithë presidentët zgjidhen me premtimin për ndryshime, por hasin në vështirësi të menjëhershme politike,
sapo të sjellin ndryshimin për të cilin janë zgjedhur.
Macron hoqi taksën mbi pasurinë, sikurse edhe kishte premtuar, por nxiti akuzën se ishte një president “i të pasurve”. Ai nisi reformat në tregun e punës, siç kishte premtuar, por kjo zemëroi shumë nga sindikatat. Ai nisi reformën e sistemit të pensioneve, por hasi në vështirësi, dhe më pas reforma ngeci kur mbërriti pandemia.
Në kulmin e protestave të Jelekverdhëve, popullaritet i tij ra në vetëm 20 për qind. Le Pen mbetet kërcënimi kryesor për të. Sondazhet aktuale, tregojnë se ajo merr 40 e ca për qind të votave në rastin e një balotazhi të dytë, pra shumë më tepër se sa 33 përqindëshi që ajo fitoi në 2017.
Strategjia e saj, duket të jetë mbajtja e një profili shumë të ulët, organizimi në terren, dhe vazhdimi i heqjes dorë nga shumë elementë ekstremë të axhendës së saj të dikurshme, shndërrimi nga një kandidate populiste në një kandidate të zakonshme të së djathtës, dhe shfrytëzimi i ndjenjës anti-Macron kudo që ajo mund ta gjejë, majtas dhe djathtas.
Për shkak se Brexit-in shihet gjerësisht në Francë si një katastrofë për Mbretërinë e Bashkuar – jo më pak nga presidenti i saj – ajo ka hequr në heshtje dorë nga Frexit-i i saj. Lajmi se negociatori i BE-së mbi Brexit, Michel Barnier mund të hyjë në garë vitin e ardhshëm, ka të ngjarë që të ketë alarmuar atë dhe Macron në mënyrë të barabartë.
Padyshim Macron e ka humbur mbështetjen që kishte dikur në të majtë, pas asaj që shumë e panë si një hap të qëllimshëm drejt të djathtës, si për shembull me ligjin që kufizon publikimin e videove të oficerëve të policisë gjatë detyrës, apo projektligjin e miratuar së fundmi që synon të godasë “separatizmin islamik”.
Por ndërsa rrota e ciklit zgjedhor po kthehet sërish, ai po i rikthehet strategjisë që i shërbeu aq mirë 4 vjet më parë, as majtas dhe as djathtas, pozicione të mëdha, të guximshme, pragmatike por anti-populiste. Nga kjo qasje buron vendosmëria e tij për ta vendosur Francën në krye të thirrjeve, që vendet më të pasura të ndihmojnë ato më të varfra të vaksinohen kundër Covid-19.
Gjithashtu, ai refuzoi të përfshihej në nacionalizmin e vaksinave. Ishte ai që i nxiti udhëheqësit e BE-së, Ursula von der Leyen dhe Charles Michel, të hartonin një strategji evropiane, madje edhe me koston e trazirave të brendshme politike, për shkak të gabimeve të hershme në Bruksel. Pikëpamja e Macron:nëse bota nuk vaksinohet, virusi do të vazhdojë të fitojë.
Ngjashëm, ai ka mbrojtur pikëpamjen se Franca, dhe në fakt e gjithë bota, ka nevojë për më shumë dhe jo më pak Evropë. Ai është i vendosur të vazhdojë përparimin e bërë me Merkel mbi planet e tij ambicioze, sipas të cilave kombet e Evropës duhet të bëjnë më shumë së bashku në mbrojtje, teknologji dhe energji, të integrojnë tregjet e kapitalit, të rregullojnë vendimmarrjen e BE-së, dhe të harmonizojnë më shumë rregullat.
Kushdo që do ta pasojë Merkelin si kancelare, në raport me marrëdhëniet franko-gjermane Macron do të ketë pozicionin që kishte qëkur mbërriti në Elize:atë të përvojës, të objektivave të qarta të kuptuara prej kohësh. Vetëbesimi plus etika maniakale e punës, ishte formula e tij fituese në vitin 2017. Garës së vitit 2022, ai i shton përvojën dhe koherencën. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
*Marrë me shkurtime