Ndryshimi i papritur i motit në orët e para të mëngjesit të sotëm është shoqëruar me stuhi të mëdha breshëri, duke krijuar një situatë të pazakontë brenda qytetit të Shkodrës, por edhe rrethinave të tij.
Kjo ka krijuar panik në qytet dhe, sipas drejtuesit të ndërmarrjes së ujësjellës-kanalizimeve, Mark Mollës, për disa orë rrugët janë bllokuar nga breshëri.
“Mbrëmë, nga ora 2.30 deri në orën 5, Shkodra është përfshi nga një valë shtrëngatash, shoqëruar me breshër. Ka bërë realisht dëmtime në frutikulturë, në bahçe, infrastrukturën rrugore. Lëvizja ka qenë e vështirë në orët e para të mëngjesit të sotëm, sidomos për njerëzit që kanë shkuar në punë heret, ata që punojnë në fasoneri dhe vështirësi ka patur edhe për fëmijët e kopshteve dhe shkollave, në zonat ku është shfaqur shtrëngata”, tha ai.
Që nga ora 7 e mëngjesit, mjetet e bashkisë kanë nisur punën për pastrimin e rrugëve duke mundësuar rifillimin e lëvizjes në qytet.
Ndërkohë, stuhia e breshërit ka lënë pasoja të shumta në zonën rurale të bashkisë së Shkodrës, duke dëshmuar se sa e brishtë është situata në bujqësi dhe ndikimin e madh që kanë në këtë sektor fenomenet natyrore,
Për dëmet e shkaktuara gjatë natës nga stuhia e pazakontë e breshërit, fermerët kërkojnë ndihmën e shtetit. Fermeri Arben Peshku nga fshati Kuç, thotë se nuk është në gjendje të paguaj siguracione për rastet e dëmtimit të prodhimeve bujqësore në fushë.
“Kjo është fatkeqësi natyrore dhe shteti nuk ka gjë në dorë. Shteti mund të na e mbyllin gojën ne si fshatar duke na thënë që të sigurojmë tokën. Por, paguaj taksën e tokës, paguaj taksën e shtëpisë, paguaj taksë trualli, tapi nuk kemi qysh në kohën e Partisë së Punës, pra paguaja të gjitha shtetit, atëherë edhe shteti ta shikojnë këtë punë dhe të na ndihmojë”, thotë ai.
Drejtuesi i bujqësisë në Bashkinë e Shkodrës, Alban Sekja, thotë se stuhia e breshërit ka prekur kryesisht fshatrat e njësisë administrative Guri Zi, një nga më të mëdhatë në Bashkinë e Shkodrës, duke dëmtuar rreth 350 hektarë me kultura bujqësore.
“Janë dëmtuar kultura bujqësore si perimet e fushës, pemët frutore, agrume, vreshta, ullishte. Prodhimi ka shkuar totalisht dëm për këto fermerë. Një sipërfaqe që, paraprakisht deri tani, llogaritet në 350 hektarë të mbjella me këto kultura bujqësore”, tha ai.
Vitet e fundit, fshatrat përreth qytetit të Shkodrës janë përfshirë disa herë nga fatkeqësitë natyrore si përmbytjet apo stuhitë e shiut dhe breshëri, që kanë dëmtuar ekonominë familjare të qindra fermerëve. Megjithatë, fermat bujqësore vazhdojnë të funksionojnë jashtë sistemit të siguracioneve, ç’ka vë në rrezik qëndrueshmërinë dhe vazhdimësinë e tyre.
https://youtu.be/-4_Y0dV6l_Y