Kjo është njëra nga xhamitë më të vjetra në Maqedoninë e Veriut, e ndërtuar rreth 500 vjet më parë në fshatin Garanë të Kërçovës. Kjo xhami e shekullit XV e gjitha është e ndërtuar nga druri, guri dhe balta, ndërsa siç mund të shihet është punuar me dorë. Minarja e saj është e shkurtër, por praktike.
Historia flet se kjo xhami është ndërtuar, kur është ndërtuar edhe xhamia “Sulltan Pajaziti” e Kërçovës për të cilën shkruhet se është ndërtuar në vitin 1453.
Xhamia është e ndërtuar në pjesën e vjetër të fshatit Garanë. Aty janë falur jo vetëm banorët e fshatit, por të fshatrave përreth, me që nuk ka pasur xhami tjetër.
Banorët thonë se tani, sa për simbolikë, kjo xhami shfrytëzohet një herë në vit.
“Xhamia e fshatit Garanë, gjegjësisht xhamia e vjetër e fshatit Garanë daton nga shekulli i XV dhe llogaritet si një ndër xhamitë më të vjetra të qytetit të Kërçovës. Fshati Garanë i ka dy xhami funksionale dhe këtë e llogarisim si xhamia e vjetër, xhamia e cila na kujton shumë momente. Për këtë arsye disa herë, ndër shekuj dhe ndër vite është rindërtuar, rinovuar. Herën e fundit kjo xhami me iniciativë të vetë popullatës dhe fshatrave është rindërtuar në vitin 1994”, tregon Kujtim Kasami, doktor shkencash.
Vait Hajrullai është nipi i imamit të kësaj xhamie që ka qenë dikur haxhi Qerim Hajrullai. Qerimi i ka shërbyer këtij xhemati që nga mosha e re, e deri në ditët e fundit të jetës së tij.
“Gjyshi im ka punuar prej në moshën rinore, prej kur e ka kryer në atë kohë medresenë dhe ka qenë si imam në atë xhami, deri në ditën e fundit të jetës së tij. I ka shërbye asaj xhamie dhe fshatrave të fshatit Garanë”, shprehet Hajrullai.
Banorët disa herë e kanë rinovuar këtë xhami, duke u munduar që ta mbajnë si kujtim të fshatit nga e kaluara dhe si një vlerë e çmuar historike 500 vjeçare.
“Unë mendoj që kjo xhami duhet ta luaj rolin e saj, së pari rëndësinë dhe peshën e madhe që ka historike, sepse flasim për një objekt shumë të vjetër dhe ne siç e kemi mirëmbajtur deri më tani do të duhet ta mirëmbajmë, bile apeloj që mirëmbajtja dhe kujdesi ndaj këtij objekti fetar dhe kësaj xhamie të jetë edhe më i madh”, tha më tej Kasami.
Fshati Garanë ka edhe dy xhami tjera, në të cilat banorët kryejnë ritualet fetare, por xhamia e vjetër ka një rëndësi të veçantë për ta. Dëshira e madhe e tyre është që kjo xhami të ruhet dhe të mbetet edhe për gjeneratat e ardhshme.