Ballina Sport Befasia e madhe! Zvicra mposht Francën, Mbappe gabon penalltinë vendimtare

Befasia e madhe! Zvicra mposht Francën, Mbappe gabon penalltinë vendimtare

Zvicra ka mundur Francën me penallti me shifrat 7-8, pas gjuajtjeve të penalltive dhe ka bërë surprizën e madhe, duke eliminuar kampionen e Botës dhe u kualifikuar në çerekfinale. 120 minutat e ndeshjes ishin mbyllur në barazim 3-3.

Helvetët shënuan të parët, me Haris Seferovic, që shënoi shumë bukur me kokë në minutën e 15. Pas golit Franca shkoi e gjitha në sulm dhe krijoi shumë volum, por në pjesën e parë nuk mundi të rrezikojë dhe krijojë shanse të pastra. Pjesa e dytë ishte akoma më e paparashikueshme.

Fillimisht në minutën e 55-të Pavard shkaktoi penallti për Francën, por Zvicra nuk mundi ta shfrytëzojë mundësinë nga 11 metrat sepse Ricardo Rodrigues u eklipsua nga portieri Hugo Lloris.

Penalltia e humbur ia “preu krahët” Zvicrës, me Francën, që mori zemër dhe shpërtheu me dy gola. I jashtëzakonshëm Benzema, që shënoi në minutën e 57 pas një marrje magjike të topit të Mbappe nga pas.

Dy minuta më pas ylli i Real Madrid gjeti sërish rrjetën, pasi ylli i Paris Saint-Germain bëri lëmsh në zonë Zvicrën, duke përmbysur dhe fiksuar shifrat në 2-1. Franca vijoi të shtynte në zonën e Zvicrës dhe në minutën e 75 gjeti golin e tretë.

Paul Pogba mori një top të kthyer pas goditjes së Benzema dhe lëshoi një të djathtë të pandalshme nga Sommer, për të çuar shifrat në 3-1. Ky gol rezultoi të ishte shumë i rëndësishëm. Kjo ndodhi sepse Zvicra u kthye në jetë, njëjtë si Kroacia sot ndaj Spanjës.

Ishte i njëjti protagonist: Haris Seferovic, i cili fillimisht shënoi në minutën e 81-të për 3-2. Jo vetëm kaq sepse Zvicra barazoi shifrat në minutën e parë të shtesës. Ishte Mario Gavranovic, që tundi rrjetën në minutën e parë të shtesës.

Xhaka i jep një pasim dhe i krijon hapësirën për të goditur në hyrje të zonës dhe Gavranovic shënon një gol sa të bukur, aq edhe të rëndësishëm, duke dërguar ndeshjen në shtesë, me Francën që goditi shtyllën në minutën e fundit me Kingsley Coman.

Në shtesë Franca ishte natyrshëm më kërkuese dhe provoi në disa raste. Rrezikun më të madh e krijoi në fillim, kur portieri Sommer bëri një pritje shumë të bukur dhe i mohoi golin. Edhe në vazhdim kampionët e Botës rrezikuan, me Mbappe, që goditi disa herë keq.

Në fund Olivier Giroud goditi me kokë nga pranë portës, por sërish u shfaq Sommer, që nxori nga repertori një tjetër super pritje. Me këtë mundësi u mbyll edhe koha shtesë dhe arbitri i drejtoi ekipet te pika e bardhë e penalltisë, që do ishte fundi i Francës.

Pesë të parët e Zvicrës: Gavranovic, Schar, Akanji, Vargas e Mehmedi i shënuan të gjithë për Zvicrën, por e kundërta ndodhi me Francën, ku gaboi ai që askush nuk e priste: Kylian Mbappe. Pogba, Giroud, Thuram e Kimpembe shënuan të parat dhe yllit të PSG, Sommer ia priti penalltinë.

Festë e madhe për Zvicrën dhe shkon në çerekfinale duke eliminuar kampionen e Botës dhe bërë surprizën e madhe. Me siguri ka festë edhe te Spanja, që përballë s’do ketë Francën, por skuadrën e Petkovic. /abcnews.al