Gazetarja e njohur Ilva Tare ka vendosur të shkëputet nga ekrani i televizioneve shqiptare. Mbrëmjen e sotme, Tare i ka dhënë lamtumirën emisionit të saj ‘Ilva Now”, teksa nga studioja e Euronews Albania ka njoftuar largimin nga ekrani.
Vetë gazetarja tha se kapitulli i televizionit për të duhet mbyllur, pas plot 25 vitesh karrierë për t’i kushtuar më shumë kohë familjes së saj. Tare do të zhvendoset në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me familjen e saj, politikanin Eduard Selamin dhe dy fëmijët.
“Në këto 25 vite kam pasur privilegjin që ekranin ta quaj shtëpinë time. Ju keni qenë aleatët e mi në përballjet e vështira me realitetin dhe mentalitetin. Publiku ka qenë edhe kritiku dhe vlerësuesi im më i mirë. E kam zemrën plot me mirënjohje edhe për të gjithë bashkudhëtarët, me të cilët kemi punuar për të bërë me të mirën për një gazetari cilësore. Kemi kaluar shumë së bashku unë dhe ju dhe tani është momenti që unë ta mbyll këtë kapitull, për t’i dhënë më shumë kohë familjes sime, Eduardit, Melodisë e Thomasit. Është koha të nis një kapitull të ri, në një stacion tjetër të jetës sime. Iki e emocionuar, me urimet më të mira për të gjithë ju,”-vazhdon gazetarja.