Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, takohen sot, më 15 qershor, në Bruksel në kuadër të dialogut ndërmjet dy vendeve.
Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se takimi i nivelit të lartë në dialog do të lehtësohet nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë, Josep Borrell, i cili do të mbështetet nga përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Takimi i së martës është i pari ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç.
Fillimisht Borrell do të ketë takime të ndara me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç, ndërkaq rreth orës 10:30 pritet të nisë takimi trepalësh, ku do të jenë të pranishëm kryeministri i Kosovës, presidenti i Serbisë, kreu i diplomacisë së BE-së, Borrell, si dhe përfaqësuesi i Posaçëm, Lajçak.
Bashkimi Evropian i sheh takimet e ardhshme në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si vazhdim i dialogut, e jo si ndonjë fillim i ri i tij.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ditë më parë ka theksuar se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë më 15 qershor dhe se Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare presin angazhim të vazhdueshëm nga të dyja palët për përfshirje në këtë dialog, si dhe për zbatim të të gjitha marrëveshjeve të kaluara.
Kryeministri i Kosovës, Kurti, më 11 qershor ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës që më 15 qershor, “nuk do të ketë takim të ri të dialogut të vjetër” dhe se “nuk do të jetë një takim i radhës i të njëjtit dialog”.
“Do të jetë takim për dialogun e ardhshëm. Ky është dallim i madh konceptual”, ka thënë Kurti, duke shtuar se dialogut ende nuk i dihet agjenda.
Presidenti i Serbisë, Vuçiç, ka vazhduar të mbajë qëndrimin se në takimin me Kurtin do të insistojë për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash ndërmjet palëve në Bruksel.
Në prag të takimit me Kurtin, presidenti serb Vuçiç ka thënë se “nuk është koha për fjalë të mëdha, por për një qëndrim të fortë”.
“Por, gjithmonë është koha që të tregojmë se sa e duam dialogun dhe sa e rëndësishme është të shikojmë drejt së ardhmes”, ka deklaruar Vuçiç.
“Vullneti i nevojshëm” për dialogun
Stefan Surlliq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 14 qershor, ka shprehur mendimin që presidenti i Serbisë, Vuçiç, do të kushtëzojë vazhdimin e dialogut me Kosovën me zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Por, megjithatë, ai nuk pret që në raundin e 15 qershorit, palët të bisedojnë për Asociacionin, por pret që “të dyja palët të tregojnë dëshirë dhe vullnet për të vazhduar dialogun, për të biseduar për temat që mund të dalin në tryezë gjatë periudhës së ardhshme”.
Ditë më parë, partitë opozitare në Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kanë kritikuar kryeministrin Kurti, duke ia rikujtuar atij qëndrimet që kishte shprehur për dialogun para se të vinte në pushtet, se nuk bën të bisedohet me Serbinë pa kërkuar falje dhe se nuk duhet të bisedohet pa u zgjidhur fati i të pagjeturve. Gjithashtu, ai është kritikuar se po shkon në raundin e ri të bisedimeve i papërgatitur.
Zyrtarët e BE-së kanë paralajmëruar se më 15 qershor, para takimit të Kurtit dhe Vuçiçit, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Borrell do t’iu drejtohet mediave me një deklaratë, ndërkaq pas përfundimit të takimit, me media do të bisedojë përfaqësuesi i posaçëm, Lajçak./REL