Ballina Bota Analiza Si duhet të garojnë mes tyre fuqitë e mëdha

Si duhet të garojnë mes tyre fuqitë e mëdha

Nga Michael Spence, Project Syndicate

Në mbledhjet e fundit të G7-ës dhe NATO-s, Kina u veçua si një rivale strategjike, një partnere tregtare që bën shumë llogari vetjake, si një kërcënim teknologjik dhe i sigurisë kombëtare, si një shkelëse e të drejtave të njeriut, dhe një kampione e autoritarizmit në rang global.

Kina i denoncoi këto etiketime, dhe ambasada e saj në Britani i quajti “gënjeshtra, thashetheme dhe akuza të pabazuara”. Rreziqet që sjell një retorikë e tillë, nuk duhet të nënvlerësohen aspak. Shumë njerëz në Perëndim, nuk e pranojnë strukturën e qeverisjes njëpartiake të Kinës.

Ashtu siç zyrtarët në Kinë e përçmojnë demokracinë liberale perëndimore, dhe për të cilën ata argumentojnë se është në një rënie ta pakthyeshme. Por rreziku i vërtetë, është që zyrtarët e të dy palëve duket se po luajnë një “lojë me shumën zero”, sipas së cilës të dyja palët nuk mund të bashkëjetojnë dot; dhe njëra palë duhet të “fitojë”.

Sipas kësaj logjike, të dyja palët duhet të përpiqen gjithnjë që ta shkatërrojnë konkurrentin. Pra për Kinën, Perëndimi – dhe sidomos Shtetet e Bashkuara – duhet të kërkojnë të përmbysin ngritjen e saj (që në fakt u lehtësua në një pjesë e vogël zyrtarësh nga SHBA).

Dhe për Perëndimin, Kina është e vendosur ta përdorë fuqinë e saj ekonomike, përfshirë tregun e saj të madh të brendshëm, për të riformuar sistemin global sipas modelit dhe interesave të saj.

Sa më shpesh që i përsëritin udhëheqësit këto narrativa, aq më shumë ka të ngjarë që qytetarët e thjeshtë të binden se ato janë të vërteta. Rritja e frikës dhe zemërimit nga të dyja palët, e shton rrezikun që këto narrativa të bëhen profeci vetë-përmbushëse.

Ndërkohë, fokusimi tek konkurrenca dypalëshe i lë në hije nevojat dhe interesat e njerëzve në tregjet dhe ekonomitë në zhvillim. Është e vërtetë:Kina dhe Perëndimi mbështesin një version të multilateralizmit. Por konkurrenca strategjike e shfrenuar e përjashton multilateralizmin efektiv, dhe jo vetëm duke e përçarë tregtinë dhe transferimin e teknologjisë – një faktor kryesor i zhvillimit.

Kina dhe Perëndimi, kanë nevojë urgjente për një kornizë të re, për të kuptuar gjendjen e botës dhe vendin e tyre në të. Një kornizë e tillë duhet të pranojë para së gjithash, se konkurrenca ekonomike e rregulluar siç duhet, nuk është një “lojë me shumën zero”.

Në terma statikë, konkurrenca normale ekonomike e rrit efikasitetin e çmimeve, dhe

ndihmon në përafrimin e kërkesës dhe ofertës. Në terma dinamikë, kjo çon në atë që Joseph Schumpeter e quajti “shkatërrimi krijues” – një mekanizëm i fuqishëm për përkthimin e njohurive, ideve dhe eksperimenteve në produkte të reja, shërbime dhe procese të uljes së kostos.

Pra me fjalë të tjera, kjo çon në përparime të mirëqenies së njeriut. S’ka asnjë arsye të mendohet se rivaliteti ndërkufitar nuk mund të prodhojë të njëjtat përfitime. Përkundrazi, përvoja tregon se mundet, për sa kohë që strukturat mbështetëse ligjore dhe rregullatore janë në vend dhe fusha e lojës është e barabartë.

Pa dyshim, sigurimi i këtyre kushteve – veçanërisht një fushë e barabartë loje – është i vështirë në një shkallë ndërkombëtare, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të realizohet. Konkurrenca strategjike është një histori tjetër.

Tek e fundit, sot ka teknologji të fuqishme me përdorim të dyfishtë – që shpesh lindin nga sektorë jo-mbrojtës – dhe që çojnë përpara si objektivat ekonomikë, ashtu edhe ato të sigurisë kombëtare. Udhëheqësit nuk duhet të pretendojnë se nuk është kështu.

Por nga ana tjetër, kjo nuk do të thotë që vendet janë të dënuara të luajnë një “lojë me shumën zero”, të përqendruar në dobësimin e të tjerëve. Përkundrazi, Kina dhe Perëndimi duhet të bien dakord për të arritur dhe ruajtur një shkallë të barazisë ekonomike, teknologjike dhe në fushën e mbrojtjes. Kjo do të thotë të braktisësh përpjekjet për të bllokuar përhapjen e njohurive dhe teknologjisë, një mision që është rrallë efektiv në planin afatgjatë.

Një qasje e tillë, do të shmangte fragmentimin e madh të sistemit ekonomik global, dukuri që është veçanërisht e dëmshme për palët e treta. Dhe kjo do të pengonte përdorimin agresiv të aftësive ushtarake ose teknologjike, një element shumë jetik në një mjedis ku asnjëra palë nuk i beson tjetrës.

Por një sistem që minimizon nevojën për besim, nuk e justifikon keq-bërjen reciproke. Nuk ka asgjë të keqe të preferosh sistemin e qeverisjes së dikujt, përfshirë ekuilibrin e tij të veçantë të të drejtave individuale dhe interesave kolektive.

Preferenca të tilla bazohen në faktorë si përvoja personale, edukimi dhe vlerat, dhe jo nga fakte objektive. Nuk ka dëshmi të qarta se një sistem i veçantë i qeverisjes, garanton zhvillimin ekonomik dhe shoqëror. Si demokracitë ashtu edhe sistemet njëpartiake, kanë prodhuar rezultate të mira dhe të këqija të zhvillimit.

Duket se parakushti më i rëndësishëm për zhvillim, është angazhimi i udhëheqësve për një vizion gjithëpërfshirës të mirëqenies njerëzore. Kur supozojmë se sistemi ynë i preferuar është objektivisht më superior, dhe i demonizojmë alternativat, ne përfundojmë në keq-formulimin e termave dhe rezultateve të mundshme të konkurrencës ekonomike dhe strategjike.

Ç’është më e keqja, konkurrenca mbi qeverisjen e shmangu vëmendjen nga dimensionet më produktive të ndërvarësisë. Konkurrenca ekonomike, teknologjike dhe ushtarake është e pashmangshme. Çështja është nëse do të jetë konstruktive.

Si po shkojnë punët aktualisht, bota po shkon drejt një ekuilibri në të cilin nuk do të jenë, me palët e treta, ose “jo-protagoniste”, ato që do të vuajnë më shumë. Por nuk është ende vonë për të ndryshuar kurs.

Duke pasur parasysh mungesën e informacionit dhe besimit, së bashku me dinamikën e brendshme politike, ndryshimi i kursit do të kërkojë guxim të konsiderueshëm nga udhëheqësit në të dy palët. Hapi i parë, është që të dyja palët të heqin dorë nga lloji i retorikës provokuese që kemi parë javët e fundit. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim: Michael Spence, fitues i Çmimit Nobelit në ekonomi, profesor i ekonomisë dhe bashkëpunëtor në Institucionin Hoover.