Situata me virusin korona në Tetovë dhe Gostivar po përkeqësohet. Në Tetovë, 4 reparte spitalore janë shndërruar në Qendra Covid, edhe atë Reparti për Sëmundje Infektive, Qendra mobile Covid, Reparti për Sëmundje Interne dhe Spitali për Sëmundje të Mushkërive në fshatin Leshkë. Koordinatorit i Qendrës Covid në Tetovë thotë se për momentin 210 pacientë janë duke marrë terapi kundër Kovid-19,, ndërsa 90 prej tyre janë të hospitalizuar dhe me terapi oksigjeni. Sipas tij, tani për tani Spitali i Tetovës është në gjendje që ta përballojë këtë situatë.
“Brenda 24 orëve kemi hospitalizuar 20 pacientë, ndërsa gjithsej të hospitalizuar kemi 90, edhe kemi 120 pacientë që janë në trajtim të ambulancës Covid dhe po trajtohen, d.m.th shuma e përgjithshme që trajtohen në ambulancën Covid edhe spital janë 210 pacientë. Për fat të keq kemi pasur edhe dy raste që kanë ndërruar jetë edhe sa i përket statusit vaksinal kemi 8 pacientë që kanë marrë vetëm dozën e parë edhe kjo tregon se të gjithë pacientët që i kemi të hospitalizuar nuk janë të vaksinuar”, tha Gëzim Nuredini – koordinator i Covid-Qendrës.
Pulmologu, Ruzhdi Rexhepi, thotë se të gjithë ata që vijnë në spital kanë gjendje të rënduar shëndetësore dhe kanë nevojë për terapi me oksigjen. Apelon që të gjithë që ndjejnë simptoma të virusit, sa më parë të paraqiten në spital.
“Në mënyrën më rapide të mundshme na mbushen vendet nga pacientë që na vijnë me një stad shumë të avancuar të sëmundjes dhe mezi se i mbulojmë me oksigjen për shkak se na vijnë me një pjesëmarrje të oksigjenit nga 97-98% sa është normalja, na vijnë me 40 deri në 60% dhe sa do që t’i japësh oksigjen, aq mund të marrë! Dua të flas me një gjuhë pak më popullore që të kuptohemi, vonesat e mëdha janë kosto personale për pacientët. Personali këtu ka tre ditë që riorganizohemi nga të gjitha repartet e spitalit”, u shpreh Ruzhdi Rexhepi – Pulmolog.
Në Gostivar për momentin janë të hospitalizuar rreth 70 pacientë të cilët janë duke marrë terapi me oksigjen. Reparti i Sëmundjeve Interne këtu është shndërruar në Qendër Covid. Sipas drejtorit të spitalit nëse do të krijohet nevoja, do të lëshohen në përdorim edhe hapësirat e tjera ku ka të instaluar sistem oksigjenit.
“Gjatë fundjavës kërkesa u shtua dhe numri në mënyrë drastike filloi të rritet dhe ishim të obliguar si edhe valën e dytë të aktivizojmë Repartin Intern dhe Repartin e Neurologjisë, kështu që hapëm edhe hapësirat e spitalit dhe gjithë personeli është i angazhuar në trajtimin e këtyre rasteve. Edhe pse numri është variabil, por standard sillet diku 70 plus-minus, rreth 70 pacientë të hospitalizuar gjenden në spitalin e përgjithshëm”, theksoi Jakup Jakupi – Drejtor i Spitalit të Gostivarit.
Në Tetovë është rritur numri i atyre që duan të vaksinohen, deri sa para disa ditësh numri i të vaksinuarve nuk kalonte as 20%. Pas rritjes së rasteve edhe pas vendosjes së masave nga ana e qeverisë, interesimi për vaksinim u trefishua.