Nga Ana Palacio
Projekti evropian ka pasur gjithmonë linjat e tij ndarëse, por ato kanë shkaktuar rrallë “tërmete”. Dhe kjo falë Gjermanisë, e cila është dëshmuar një arbitër i aftë i mosmarrëveshjeve midis shteteve anëtare të BE-së, sidomos gjatë qëndrimit 16-vjeçar në krye të vendit të kancelares Angela Merkel.
Me përfundimin e mandatit të katërt të Merkel në shtator, a është BE-ja duke u luhatur, apo më keq sesa kaq? Kur Evropa ishte e fokusuar ekskluzivisht në konsolidimin e tregut të vetëm, linjat e saj ndarëse ishin kryesisht të natyrës ekonomike.
Gjatë krizës së euros qënisi në 2009, mosmarrëveshjet mbi çështjet ekonomike u thelluan. Shumë vende “kursyese” të pjesës veriore u përplasën me fqinjët e tyre të supozuar jugorë, që u akuzuan si “dorëshpuar”. Vetëm në mesin e pandemisë së Covid-19 dhe falë Merkel, anëtarët e BE-së ranë dakord për ngritjen e një mekanizmi evropian të transferimit fiskal.
Por edhe fondi i përbashkët i rimëkëmbjes, NextGenerationEU, ka një fushë të kufizuar. Ndërkohë planet e shpenzimeve kombëtare sipas këtij programi, nuk janë kursyer nga polemikat. Për më tepër, mosmarrëveshjet ekonomike në BE, ecin tani krahas ndarjeve politike në rritje, të cilat e kanë shoqëruar establishmentin e BE-së drejt një integrimi më të ngushtë midis vendeve anëtare.
Ndërsa ka plot mosmarrëveshje politike midis shteteve anëtare – ajo e migrimit është shembulli më i dukshëm – ndarjet më të spikatura lidhen, së pari, me nenin 2 të Traktatit për Bashkimin Evropian, dhe së dyti me politikën e jashtme të BE-së.
Neni 2 përcakton parimet themelore të BE -së:“Respekti për dinjitetin njerëzor, lirinë, demokracinë, barazinë, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut”. Por interpretimi i tij, ka qenë një burim konflikti i rëndësishëm, dhe që ka pasur në qendër Poloninë dhe Hungarinë.
Që kur korri një fitore të madhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010, kryeministri hungarez Victor Orban ka ndërmarrë një sulm mbi sundimin e ligjit, duke gërryer liritë civile dhe duke zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme kompetencat e qeverisë.
Partia jo liberale polake, Ligj dhe Drejtësi (PiS), ndoqi shembullin e saj pasi erdhi në pushtet në vitin 2015, duke i fokusuar sulmet e saj mbi sistemin gjyqësor. Sigurisht, BE-ja i ka denoncuar këto sulme. Në dhjetorin e vitit 2017, Komisioni Evropian shkoi aq larg sa të evokonte për herë të parë Nenin 7 të Traktatit – që siguron një mekanizëm për llogaridhënien e qeverive të shteteve anëtare, veprimet e të cilat kërcënojnë sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut ose parimet demokratike-kundër Polonisë.
Në shtatorin e vitit 2018, Parlamenti Evropian bëri të njëjtën gjë kundër Hungarisë. Por Këshilli i BE-së nuk ka marrë ende asnjë vendim për asnjërën, duke pretenduar se “do t’i rikthehet një ditë kësaj çështje”.Ndërkohë, shkeljet e tyre kanë vazhduar.
Në qershorin e vitit 2019, Gjykata Evropiane e Drejtësisë,u shpreh se reforma e diskutueshme e qeverisë polake në Gjykatën Supreme, shkelte ligjin e BE-së, për shkak se minonte parimin e “palëvizshmërisë” së gjyqtarëve sipas orekseve të politikës. Komisioni i dha afat Polonisë deri në mesin e këtij muaji që të respektojë vendimin, ose do të përballet me sanksione financiare.
Por kërcënimet e Komisionit nuk janë shumë bindëse. Brukseli tha në një rast se shqetësimet për sundimin e ligjit, mund t’i penalizojnë që të dyja vendet, duke mos marrë dot pjesën e tyre të fondeve të projektit NextGenerationEU.
Por BE e ka shtyrë sërish vendimin e saj për Hungarinë, dhe pritet të bëjë të njëjtën gjë për Poloninë, edhe pse të dyja qeveritë e kanë shfrytëzuar krizën e Covid-19 si një pretekst për të forcuar më tej pushtetin e mazhorancave në pushtet.
Ndërkohë,Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen duket se po i lidh shpresat e saj për t’u zgjedhur për një mandat tjetër pas partisë së Orban Fidesz dhe asaj polake PiS. Nëse Gjermania do të donte të ndërmerrte veprime të vërteta për të mbështetur nenin 2, kjo do të ndodhte.
Në fakt Gjermania ka udhëhequr mungesën e strategjisë për të frenuar anëtarët e saj jo-liberalë. Rekordet e politikës së jashtme të Evropës janë po aq zhgënjyese, me Gjermaninë që sërish bart një pjesë të mirë të fajit për mungesën e lidershipit.
Nga marrëdhëniet e BE-së me Turqinë deri te Marrëveshja e saj Gjithëpërfshirëse për Investimet me Kinën – nënshkruar në ditën e fundit të presidencës gjermane të Këshillit Evropian – Brukseli ka ndërmarrë një numër vendimesh të dyshimta.
Gjithsesi, ekziston një zonë ku Gjermania nuk ka më ndikimin e dikurshëm:Rusia. Këtu, Gjermania ka mbajtur një qëndrim të qartë, duke ushtrua presion për normalizimin e marrëdhënieve Berlin-Moskë. Marrëveshja e fundit e Merkel me administratën e presidentit amerikan Joe Biden për të lejuar përfundimin e gazsjellësit “Nord Stream 2”, që do të çojë gazin rus direkt në Gjermani, është shembulli më emblematik.
Me mbështetjen e presidentit francez Emmanuel Macron, Merkel bëri thirrje që BE-ja të ftojë presidentin rus Vladimir Putin në një samit. Ndërkohë, Këshilli Evropian miratoi kohët e fundit një deklaratë që përcakton një qëndrim të ashpër ndaj Rusisë.
Një qasje e tillë e Gjermanisë është larg normës. Zakonisht ky vend ka udhëhequr, dhe partnerët e saj evropianë zakonisht e kanë ndjekur. Me aftësinë e saj mbresëlënëse për të përgatitur dhe përqafuar partnerët dhe kundërshtarët, Merkel e ka tërhequr më shumë se një herë BE-në nga buza e greminës.
Ajo mund të mos ketë mbyllur dot linjat ndarëse, por ajo me siguri di si të punojë përgjatë tyre. Por, siç e tregon mosmarrëveshja me Rusinë, ky nuk ishte një model i qëndrueshëm. Tani që Merkel po largohet, BE-ja do të përballet me një moment të rëndësishëm, mbi të cilin kanë ndikim vetëm votuesit gjermanë.
BE-ja po e humbet rregullatorin e saj kryesor, dhe nëse kancelari i ardhshëm gjerman do të jetë i gatshëm apo në gjendje ta marrë përsipër atë rol, kjo gjë është larg të qenit e sigurt. Strategjia kryesore gjermane për të pritur derisa kohët e dëshpëruara të imponojnë marrjen e masave dëshpëruese e ka mbajtur të paprekur BE-në.
Por gjithashtu i ka dhënë mundësi asaj të shmangë marrjen e qasjeve të qarta për çështje të rëndësishme, gjë që shpesh ka qenë në dobi të shkelësve të rregullave dhe autokratëve. Pavarësisht se kush do ta pasojë Merkelin në detyrë, udhëheqësit e BE -së do të duhet të fillojnë të marrin vendime të vështira – duke filluar me atë që duhet bërë me liderët autoritarë brenda dhe jashtë kufijve të saj.
Shënim: Ana Palacio,ish-ministre e Punëve të Jashtme të Spanjës, dhe ish-nënpresidente e Grupit të Bankës Botërore. Ajo është lektore në Shkollën e Shërbimit të Jashtëm Edmund E. Walsh në Universitetin Xhorxhtaun. /
“Atlantic Council”