Shfaqja e varianteve të reja, e ndryshon mënyrën e përhapjes së një virusi, duke e bërë atë më infektiv. Për shembull, siç e kemi parë me variantin Delta të SARS-COV-2. Sipas ekspertëve, janë pikërisht variantet e reja të Covid-19, ato që për momentin janë “të mbikëqyrurat speciale”, pasi shfaqja e një varianti shumë rezistent ndaj vaksinave është një “mundësi reale”.
Një studim i paraqitur nga Grupi Këshillimor Shkencor për Emergjencat në Britaninë e Madhe (SAGE), paralajmëron mbi mutacionet e koronavirusit, dhe parashikon 4 skenarë të mundshëm të ardhshëm:njëri është i dëshirueshëm, por i pamundur në një periudhë afatshkurtër; të tjerat do të ishte mirë që t’i shmangnim, por gjithsesi mbeten të mundshme.
Katër skenarët
Skenari i parë, është ai që sheh shfaqjen e një varianti të ri tepër vdekjeprurës, që vret midis 10-35 për qind të të infektuarve, duke arritur kështu nivelet e MERS-it (që vrau 1 në 3 të infektuar). Por në dallim ky i fundit, Covid-19 është i aftë të kombinojë vdekshmërinë e lartë me infektivitetin gjithashtu të lartë.
Për skenarin e dytë, ekspertët hipotezojnë lindjen e një varianti të aftë të shmangë imunitetin e vaksinës (siç duket të jetë rasti i Epsilon, i identifikuar për herë të parë në Kaliforni të SHBA-së), duke na detyruar të kthehemi një vit pas në historinë e pandemisë, kur askush nuk ishte vaksinuar.
Një hipotezë e tretë, sheh zhvillimin e një varianti rezistent ndaj ilaçeve antivirale, në të cilën autorët e studimit rekomandojnë të përdoret me kujdes, pikërisht për të provuar frenimin e zhvillimit të rezistencës ndaj ilaçeve.
Skenari i katërt, dhe i vetmi pozitiv për ne, parashikon që koronavirusi i ri të bëhet më pak infektiv dhe më i ngjashëm me një nga 4 koronaviruset, me të cilët kemi jetuar prej vitesh,
siç është ai i të ftohurës të zakonshme.
Mundësitë
Raporti nënvizon mundësinë e kombinimit të tipareve të dy varianteve agresive (duke cituar Alfën dhe Betën) për të krijuar një variant të tretë, më infektiv dhe madje edhe më vdekjeprurës. Mundësia që kjo të ndodhë është e lartë, të paktën për aq kohë sa virusi vazhdon të qarkullojë dhe të gjejë “formula të suksesshme”, për t’u përshtatur më mirë me ne.
Sipas Mark Bagelin (Kolegji Mbretëror Londër), “nuk ka gjasa që një virus i ri të jetë në gjendje të anashkalojë totalisht çdo lloj imuniteti, të ofruar nga kalimi i sëmundjes apo nga vaksina”. Sipas ekspertit, një minimum imuniteti duhet të mbetet, të paktën kundër formave më serioze të sëmundjes. Po sipas tij, ka të ngjarë që të na duhet të përditësojmë vaksinat aktuale.
Duhet ende të presim
Skenari i katërt, ai më qetësuesi për ne, përcaktohet nga SAGE si “i pamundur në një periudhë afatshkurtër, por realisht i mundshëm në një periudhë afatgjatë”. Nëse virusi do
të ndryshojë drejt një forme më pak vdekjeprurëse dhe infektive, do të duhen disa vjet, apo edhe dekada që të ndodhë.
Gjatë muajve të ardhshëm, është më mirë të përqendrohemi tek vaksinimi masiv i sa më shumë qytetarëve, dhe të vazhdojmë kërkimet për t’ia përshtatur vaksinat varianteve të reja që po vazhdojnë të shfaqen. / Focus – Bota.al