Kryeministri japonez Yoshihide Suga ka njoftuar zgjatjen e kufizimeve
Japonia ka zgjatur kufizimet e COVID-19 në Tokio dhe rajone të tjera deri në fund të këtij muaji për të frenuar infektimet dhe për të parandaluar mbingarkesën e spitaleve.
Teksa njoftoi masat, Kryeministri Yoshihide Suga tha se kjo mase është e nevojshme për të forcuar një sistem mjekësor i cili gjendet në vështirësi.
“Sfida jonë përfundimtare tani është parandalimi i kolapsit të sistemit mjekësor, kështu që unë do t’i kërkoj administratës së re testimin dhe trajtimin e hershëm për të moshuarit dhe ata me kushte paraekzistuese“, tha ai.
Japonia po lufton me valën e pestë të virusit. Numri i rasteve të rënda dhe ngarkesa e sistemit shëndetësor vazhdon të mbërthejë Tokion dhe zonat përreth. Masat e reja pritet të zgjasin deri më 30 shtator.
Kufizimet e deritanishme janë përqendruar në mbylljen e disa ambienteve sipas disa orareve të vendosura nga autoritet lokale.
Qytetarët po nxiten të punojnë nga shtëpia dhe të shmangin udhëtimet sa më shumë që të jetë e mundur. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 1,834 raste pozitive me COVID-19.