Dhjetë autoambulanca, të kompletuara me pajisje dhe aparaturë mjekësore, i dhurohen Shtëpive të Shëndetit në Maqedoninë e Veriut. Ky donacion synon fuqizimin e kapaciteteve spitalore si dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve të sektorit të emergjencës, sidomos tani që ndodhemi në periudhë pandemie, kur nevojat e popullatës për ndihmën e shpejtë mjekësore janë shtuar ndjeshëm.
Kompania Ecolog International vazhdon misionin e saj nga sfera e përgjegjësisë shoqërore. Kësaj radhe Ecolog International dhuron për spitalet e vendit dhjetë autoambulanca të kompletuara me pajisjet dhe aparaturën e nevojshme mjekësore.
Ky donacion synon fuqizimin e kapaciteteve spitalore si dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve të sektorit të emergjencës, sidomos tani në periudhën e pandemisë kur nevojat e qytetarëve për ndihmën e shpejtë mjekësore janë shtuar ndjeshëm.
Filantropi Lazim Destani, si iniciator i këtij donacioni, tha:
“Më vjen mirë që këtë donacion po e realizojmë në këtë periudhë kohore kur kërkesa për të reaguar shpejt është shumë domethënëse, sidomos tani kur akoma ndodhemi në luftë me virusin Covid-19. Shpresoj me këto dhjetë autoambulanca t’u vijmë në ndihmë spitaleve në mënyrë që shërbimet e emergjencës të jenë sa më efektive ndaj kërkesave të popullatës e të pacientëve që ndihmën e shpejtë e kanë aq të nevojshme, ndihma e shpejtë shpëton jetë njerëzish”.
Në ceremoninë e dorëzimit të autoambulancave, organizuar në hapësirat e kompanisë Ecolog në Tetovë, për pranimin e donacionit prezent ishin, Sekretarja Shtetërore në Ministrinë e Shëndetësisë, Ivanka Stojanovski dhe drejtuesit e Shtëpive të Shëndetit nga, Tetova, Gostivari, Kërçova, Dibra, Struga, Kumanova, Shtipi, Velesi dhe Manastiri. Spitalet përfituese nga ky donacion u përcaktuan sipas konsultave paraprake me autoritetet e Ministrisë së Shëndetësisë.
Përfaqësuesi i kompanisë Ecolog, Seid Jusufi, në fjalën e tij para mediave tha:
“Aktivitetet nga sfera e përgjegjësisë shoqërore për dekada me radhë kanë qenë pjesë e pandashme e kompanisë Ecolog. Ato përfshijnë fusha të ndryshme, si shkenca, arsimi, arti, kultura, deri te solidarizimi me familjet sociale apo të prekurit nga fatkeqësi të ndryshme natyrore. Në këtë periudhë dy-vjeçare, është shëndetësia ajo që ka marrë më shumë vëmendje. Së këndejmi, nga Kryetari i Bordit Këshilldhënës, z. Lazim Destani, erdhi dhe iniciativa për dhurimin e këtyre dhjetë autoambulancave. Besojmë se ky donacion do të jetë nji kontribut për fuqizimin e kapaciteteve spitalore si dhe ndihmë për punonjësit e shëndetësisë në betejën e tyre kundër Covid-19.
Autoambulancat janë të kompletuara me pajisjet dhe aparaturën e nevojshme mjekësore për t’u vënë në funksion që nga dita e sotme”.
Sekretarja Shtetërore në Ministrinë e Shëndetësisë, Ivanka Stojanovski, tha:
“ Sot jam këtu në emrin tim, në emër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për të falënderuar kompaninë Ecolog për donacionin e 10 autoambulancave të kompletuara me pajisjet dhe aparaturën e nevojshme mjekësore, dedikuar qyteteve në vijim: dy në Tetovë, dhe nga një në Kumanovë, Gostivar, Kërçovë, Dibër, Strugë, Manastir, Veles dhe Shtip.
Donacioni juaj do të jetë me përfitim të madh për Institucionet Shëndetësore dhe personelin mjekësor dhe më e rëndësishmja, do të ndihmojë drejtpërdrejt në shpëtimin e jetëve njerëzore. Faleminderit paraprakisht për çdo ndërhyrje në kohë dhe çdo jetë të shpëtuar!
Kompania Ecolog është një shembull se si një organizatë duhet dhe mund të punojë për të mirën e të gjithëve, për të qenë me përgjegjësi shoqërore ”
Drejtori, Jakup Jakupi nga Shtëpia e Shëndetit, Gostivar, tha:
“Falënderojmë kompaninë Ecolog dhe në veçanti z. Lazim Destani për këtë donacion me peshë të madhe që vjen në një moment kur ne më së shumti kemi nevojë. Falënderimet ndaj familjes Destani janë më e pakta që mund të bëjmë për të shprehur mirënjohjen e thellë jo vetëm për donacionin e sotëm por për mbështetjen e vazhdueshme në sfera të ndryshme që kjo familje i jep shoqërisë”.
Drejtoresha Snezana Trajkovska nga Shtëpia e Shëndetit, Shtip, tha:
“Më lejoni të shpreh falenderim publik në emër të të punësuarve në Shtëpinë e Shëndetit si dhe qytetarëve të Shtipit deri tek Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, kompania Ecolog dhe posaçërisht deri tek Filantropi Lazim Destani për këtë aktivitet humanitar dhe donacion që e marrim ne dhe që vjen në kohë të duhur ngaqë jemi në kohë pandemie kur kërkesat dhe telefonatat nga pacientët tanë janë të rritura, ne si personel mjekësor posaçërisht si ndihmë e shpejtë mjekësore do të jemi të qasshëm në çdo kohë për të ofruar ndihmë”