Imazhe tronditëse nga Afganistani po qarkullojnë në të gjithë botën, me turmat e refugjatëve që përpiqen të shpëtojnë nga makthi i talebanëve duke u nisur drejt Perëndimit.
Imazhet e afganëve nëpër shkretëtirë, ku takohen kufijtë e Afganistanit e Pakistanit dhe Iranit, të kujtojnë eksodin e hebrenjve nga Egjipti dhe të ngjallin frikën e krizës së re të emigrimit në Evropë me BE-në që kërkon të punojë me fqinjët e Afganistanit për të frenuar rrjedhën.
Destinacioni fillestar i këtyre refugjatëve të varfër nga Afganistani ka shumë të ngjarë të jetë Turqia me kostot e transportit që arrijnë në 1500 dollarë për person dhe prej andej shumë prej tyre shpresojnë të arrijnë në Evropë.
Një nga bashkatdhetarët e tyre, të cilët kohët e fundit bënë të njëjtin udhëtim, tha se shkretëtira, e parë në pamjet e publikuara nga gazeta britanike “Daily Mail”, është pjesa e fundit e një udhëtimi të gjatë.
“Këta janë më të varfrit nga të gjithë, sepse ka rrugë të tjera që kërkojnë më pak ecje, por kushtojnë më shumë” tha ai./ Abcnews.al