Nga Berlini bota do të informohet në të ardhmen më herët për pandemitë e ardhshme. Qendra e re do të mbledhë e analizojë miliarda të dhëna.
Pandemia e Coronës ende e mban të mbërthyer botën. Megjithëse vaksinimet po sjellin një lloj normalizimi, frika nga valë të reja pandemie mbetet. Moskoordinimi në fillim të pandemisë globale dhe dështimi për një paralajmërim të hershëm të saj, bëri të nevojshme që OBSH të përmirësojë sistemet e saj të paralajmërimit.
Për të reaguar ndaj pandemive në të ardhmen shumë më herët dhe për të marrë masat e duhura, që viruset të mos përhapen shumë shpejt, në Berlin është hapur së fundmi një qendër paralajmërimi e pandemive e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, “Global Hub for Pandemic and Epidemic Intelligence”. Në këtë qendër do të mblidhen miliarda të dhëna mbi shëndetin e kafshëve, sëmundjeve, lëvizjeve të popullsisë, pasojave të ndryshimit të klimës dhe shumë të dhëna të tjera. Kjo do të ndihmojë që të identifikohen herët shenja që në bazë të modeleve kompjuterike do të krijojnë skenarë konkretë të kërcënimit nga pandemia.
“Mendjet më të mençura”
Qendra e re do të fillojë nga puna në muajt e ardhshëm dhe do të punojë për të çuar përpara inovacionet teknike. Qeveria gjermane dhe Ministria gjermane e Shëndetësisë i ofrojnë 100 milionë euro OBSH-së për të ngritur dhe vënë në punë qendrën e re, financimet do të vijnë edhe nga vende të tjera. Kjo do të jetë një qendër që do të mbledhë “mendjet më të mençura” nga displina dhe vende të ndryshme për të punuar për përballimin e rreziqeve shëndetësore globale, tha drejtori i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Merkel: Arrijmë shumë nëse bashkojmë forcat.
Mike Ryan, drejtor ekzekutiv i programit të emergjencës së OBSH shpjegon si do të punojë qendra e re. “Kjo qendër do të zhvillojë metoda analize super moderne, dhe do të kalojë në një nivel të ri të grumbullimit të të dhënave gjithnjë e më komplekse. Qendra do të lidhë komunitete përkatëse në të gjithë botën për të mundësuar një qasje më të mirë tek të dhënat dhe të ndahen në mënyrë më efektive.”
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila e hapi qendrën e re të pandemive u shpreh se “Corona e pandemisë, tregoi, “se sa shumë mund të arrijmë, nëse bashkojmë forcat.” Sipas Merkel “duhet që të gjitha vendet anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë të kuptojnë, se OBSH është aq e fortë sa ç’janë edhe vendet anëtare të saj dhe se sa përgjegjësi duan t’i japin OBSH-së. Sepse atë që nuk e njohin ato nuk mund ta luftojnë, dhe nuk mund të shërojnë.” Puna e OBSH ka qenë gjithmonë një çështje zemre”, për të vlerësoi Angela Merkel (CDU). Edhe drejtori i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus u shpreh se pandemia na tregoi se bota “ka nevojë për një hop të dukshëm përpara në drejtim të analizës së të dhënave”./DW